U shkel vija e kuqe? Berisha “gatuan” përjashtimin e Salianjit
Akuza për lidhje me Suel Çelën
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi sot përjashtimin nga partia të ish-deputetit Ervin Salianji, pas takimit që ky i fundit organizoi një ditë më parë në Elbasan.
Në një konferencë për shtyp, Berisha deklaroi se ka informacione sipas të cilave organizatori “në hije” i këtij takimi ka qenë Suel Çela, i cilësuar prej tij si një nga figurat kryesore të botës kriminale në Elbasan.
“Në të gjithë karrierën time politike dhe në ditët më të vështira, unë kurrë nuk kam bërë kompromis me krimin. Nëse e kam ndjekur këtë betejë, pavarësisht çmimit që ka pasur, e kam bërë sepse është vendimi më i drejtë. Vija ime e kuqe është e pakalueshme kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me krimin,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se është absolutisht e papranueshme që një anëtar i kooptuar i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të organizojë një takim me Suel Çelën, të cilin Berisha e quajti “kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit dhe drejtues të një prej karteleve më të fuqishme në Europë”.
“Sapo dikush ndërmerr një veprim të tillë, ka tejkaluar vijën e kuqe dhe mban përgjegjësi personale për pasojat. Nuk mund të pranoj në asnjë rrethanë bashkëpunim me kartelet e drogës apo organizatat kriminale,” vijoi ai.
Duke iu referuar konkretisht takimit në Elbasan, Berisha tha se Partia Demokratike disponon informacione të qarta se Suel Çela ka qenë organizatori kryesor në hije i tij, ndërsa përshëndeti strukturat lokale të PD-së që, sipas tij, e bojkotuan takimin.
“Përgëzoj të gjitha strukturat e Elbasanit që e refuzuan me neveri një takim të tillë,” përfundoi Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



