Ukrainasit e ikur nga lufta: Do të kthehemi një ditë për ta rindërtuar atë

Rreth dy javë më parë, zona më e madhe e Kievit kishte një popullsi prej rreth 3.5 milionë banorësh, rrugët e saj gumëzhinin nga kafenetë, bizneset dhe baret. Sot, pas 14 ditësh bombardime nga ushtria ruse, kryeqyteti ukrainas është i shkretë, ku 50% e banorëve të tij janë larguar.
“Gjysma e popullsisë së Kievit është larguar. Afër 2 milionë njerëz janë larguar nga kryeqyteti”, shprehet kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko. Ditët e fundit, ndërsa bombardimet ruse në Irpin dhe periferitë e tjera të kryeqytetit u intensifikuan, qytetarët e Kievit kanë vërshuar drejt qytetit perëndimor të Lviv-it, ku dhjetëra mijëra njerëz kanë kërkuar strehim që nga fillimi i pushtimit.
28 vjeçarja Anastasya Stepanchuk, ishte e vendosur të qëndronte në shtëpinë e saj në periferi të Kievit me burrin e saj, i cili po lufton për të mbrojtur kryeqytetin. Por, kur forcat ruse filluan t’i afroheshin qytetit, ajo vendosi të ikte.
Ajo la pas një Kiev të panjohur, kafenetë dhe dyqanet e mbyllura dhe rrugët plot me postblloqe
“Kievi është bërë një kështjellë, me çdo rrugë, ndërtesë dhe pikë kontrolli të fortifikuar”, shprehet kryebashkiaku Vitali Klitschko.
“Më duhej të ikja dhe jam e frikësuar, sepse lashë shumë miq dhe, natyrisht, burrin tim”, thotë Anastasya Stepanchuk.
“Nuk dua të rri jashtë vendit tim. Do të kthehem në qytetin tim kur gjërat të përmirësohen. Pasi Ukraina të fitojë, unë do të kthehem në Kiev për ta rindërtuar atë. Të gjithë duam të kthehemi dhe të marrim pjesë në rindërtimin e tij”, thotë Stepanchuk.
Shumë nga ata që u detyruan të largoheshin nga qyteti i tyre folën për frikën se çfarë do të gjejnë në vendin e tyre pas kthimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



