Vdekja e 25-vjeçares, xhaxhai i Xhuana Nikollajt përlot rrjetin
“Krishti të pastë në parajsë, moj e bukura e axhës”
Humbja tragjike e 25-vjeçares Xhuana Nikollaj ka lënë pas një dhimbje të thellë tek familjarët dhe të afërmit e saj. E reja, e cila ndërroi jetë më 10 mars pasi konsumoi fostoksinë, u përcoll dje për në banesën e fundit mes lotëve dhe dhimbjes së familjes, miqve dhe qytetarëve që e njihnin.
Ceremonia mortore, e zhvilluar një ditë më parë në Shëngjin, u shndërrua në një moment të rëndë për familjen Nikollaj. Mes shumë mesazheve prekëse, një reagim i ndjerë erdhi nga xhaxhai i saj, Vasil Nikolla, i cili ndau në rrjetet sociale një mesazh plot dhimbje për mbesën që humbi jetën në moshë kaq të re.
Në postimin e tij, ai shprehu mallin dhe dashurinë për Xhuanën, duke kujtuar momentet kur e reja e priste me përqafime sa herë që ai shkonte në shtëpinë e saj. Mes fjalëve të dhimbjes, ai shkroi se familja është e tronditur nga humbja e saj dhe se buzëqeshja e Xhuanës do t’u mungojë përgjithmonë.
“Sot të nisem në banesën e fundit, moj mbesa ime e dashur Xhuana Nikolla. Jetove veç 25 vjet, moj e bukura e axhës, dhe na shkaktove plagë të thella, moj vajzë. Mamasë tënde, babait tënd që është djali i axhës tim, tre motrave të tua, gjithë axhallarëve, kushërinjve dhe gjithë të afërmve. Të gjithë ndihemi të tronditur. Kur vija te shtëpia jote në Shëngjin, ti gëzoheshe dhe vije më përqafoje duke më thënë: ‘Axhe, hajde më shpesh se të dua fort’. Krishti të pastë në parajsë, moj e bukura e axhës… nuk jam në gjendje të shkruaj bukur, por janë fjalët e axhës tënd që dalin direkt nga zemra. Do të na marrë shumë malli për ty, me atë buzëqeshjen tënde aq të bukur dhe të ëmbël”, shkruan ai.
25-vjeçarja ishte martuar në verën e vitit 2025, ndërsa muajt e fundit dyshohet se kishte përjetuar dhunë nga bashkëshorti i saj, Eraldo Fizi. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga policia për veprat penale “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes”.
Sipas të dhënave paraprake të autoriteteve, ekzistojnë dyshime se dhuna e ushtruar ndaj të resë mund të ketë qenë një nga faktorët që e shtynë drejt aktit tragjik. Persona që pretendojnë se njihnin situatën e çiftit kanë treguar se mes tyre kishte pasur konflikte dhe episode të përsëritura dhune.
Pas ndarjes, Xhuana ishte larguar nga Lezhë dhe ishte zhvendosur në Tiranë, por sipas dëshmive, ish-bashkëshorti dyshohet se e kishte ndjekur edhe atje.
Para aktit fatal, e reja kishte lënë edhe një letër për prindërit e saj, ku shprehte dhimbjen dhe kërkonte falje ndaj tyre. Në mesazhin e saj ajo shkruante se nuk dëshironte që njerëzit që e kishin lënduar të vazhdonin t’i bënin keq.
Ndërkohë, ekzaminimet mjeko-ligjore kanë evidentuar shenja të forta dhune në trupin e saj, kryesisht në pjesën e kokës, në fytyrë dhe në njërin krah.
Pas kësaj ngjarjeje tragjike, familjarët dhe të afërmit e kujtojnë Xhuanën si një vajzë plot jetë, të buzëqeshur dhe të dashur me të gjithë. Për ta, ajo do të mbetet gjithmonë në kujtime me përqafimin dhe buzëqeshjen e saj që, siç thonë, do t’u mungojë përgjithmonë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



