Vdekja e gruas së Alban Hoxhës, Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimet
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin ndaj dy mjekëve Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, të shpallur fajtorë për veprën penale “mjekimi i pakujdesshëm”, lidhur me vdekjen e Dorjana Hakës, bashkëshortes së ish-portierit Alban Hoxha.
Kolegji Penal vendosi mospranimin e rekursit të paraqitur nga mjekja Elona Burba, duke vlerësuar se nuk kishte shkelje të ligjit material apo procedural në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Burba ishte dënuar me 1 vit burgim, dënim i konvertuar në 2 vite shërbim prove, si dhe me heqjen e të drejtës për ushtrimin e profesionit të mjekut për 2 vite. Ndërsa Petrit Rexhepi ishte dënuar me 6 muaj burgim, të konvertuar në 1 vit shërbim prove.
Çështja lidhet me vdekjen e Dorjana Hakës, e cila në nëntor të vitit 2014 iu nënshtrua një lindjeje me operacion në Spitalin “Koço Gliozheni”. Pas ndërhyrjes, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua dhe ajo u transferua në disa spitale të Tiranës, përpara se të ndërronte jetë pas 16 ditësh.
Sipas arsyetimit të gjykatave, shkak i përkeqësimit të gjendjes shëndetësore ishte një trombozë cerebrale, ndërsa shkaku i vdekjes u përcaktua si arrest kardiak i shkaktuar nga tromboza e venave cerebrale dhe edema e trurit.
Gjykata e Apelit kishte konstatuar se, përpara ndërhyrjes kirurgjikale, Dorjana Haka nuk i ishte nënshtruar të gjitha analizave të parashikuara nga protokolli mjekësor. Konkretisht, nuk ishin kryer testet e koagulimit INR dhe APTT.
Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë të administruar në proces, shtatzënia dhe ndërhyrja cezariane përbëjnë faktorë rreziku për trombozë dhe kryerja e testeve të koagulimit ishte e nevojshme për vlerësimin e gjendjes së pacientes dhe marrjen e masave parandaluese.
Gjykata e Lartë vlerësoi se argumentimi i Gjykatës së Apelit ishte i bazuar në prova dhe se nuk kishte ndërprerje të lidhjes shkakësore mes mosveprimit të të gjykuarës dhe pasojës së ardhur.
Në vendim theksohet gjithashtu se mungesa e autopsisë nuk pengonte përcaktimin e shkakut të vdekjes, pasi ekspertizat dhe dokumentacioni mjekësor kishin përcaktuar trombozën e venave cerebrale si shkakun kryesor.
Kështu, me mospranimin e rekursit, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin ndaj dy mjekëve për “mjekim të pakujdesshëm”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



