Veliaj bën gati 2.5 milionë euro për 70 vetura elektrike për makina me qira
Jo vetëm kopshte e çerdhe me qira, por Erion Veliaj ka vendosur të shpenzojë miliona euro të taksapaguesve të Tiranës për luks. Në 29 korrik të këtij viti, Bashkia e Tiranës, lidhi kontratë me një operator ekonomik, për marrjen me qira të 70 autoveturave elektrike. Kontrata parashikon që bashkia e Tiranës do të marrë me qira 70 automjetet elektrike për tre vitet në vijim, duke i paguar operatorit ekonomik një shumë prej më shumë se 2.5 milionë eurosh në total. Ky tender, i ndarë në tre lote me vlerë totale që shkon në rreth 4 milionë euro me TVSH, është i kontestuar nën dyshime se fituesi ishte paracaktuar. Një prej kompanive pjesëmarrëse në garë, ankimojë tenderin në Komisionin e Prokurimit Publik, për shkak se kompania tjetër në garë, e cila u shpall dhe fituese, nuk përmbushte kriteret teknike të automjeteve që i ofronte Bashkisë së Tiranës. Kompania ankuese bazohej mbi të dhënat teknike të automjeteve që kompania ofronte të cilat nuk përputheshin me dokumentet standarde të tenderit dhe specifikimet teknike që Bashkia e Tiranës paraqiste. Për këtë arsye, kompania ankuese pretendonte se është shkelur barazia në tendera, duke u shpallur fituese një kompani e cila nuk përmbushte kriteret e tenderit të vendosura nga vetë bashkia e Tiranës. E megjithatë, edhe Komisioni i Prokurimit Publik e ka rrëzuar këtë ankesë, duke i lejuar bashkisë së Tiranës që të vijojë lidhjen e kontratës për marrjen me qira të 70 automjeteve elektrike, të cilat do të përdoren për administratën.
Mirëpo përtej dyshimit mbi paracaktimin e fituesit të tenderit, ajo që bie në sy, është fakti se Bashkia e Tiranës ka zgjedhur të shpenzojë miliona euro të taksapguesve të kryeqytetit, pa dhënë shpjegime se përse i duhet një numër kaq i madh autoveturash me qira, në një kohë që shumica e punëve në administratën e bashkisë kryhen nga zyra. Bashkia nuk shpjegon se për cilat institucione në varësi do t`i përdor këto automjete, duke mos paraqitur as studim fizibiliteti ku të shpjegohet edhe nevoja e marrjes me qira në një kohë që me një shumë të tillë parash, 70 automjete mund të bliheshin dhe të ishin aset i bashkisë së kryeqytetit jo vetëm për 3 vjet por për gjithmonë. Nga një vëzhgim në transfertat e thesarit në Open Data, rezulton se në më pak se katër vjet, bashkia e Tiranës drejtuar nga Erion Veliaj ka paguar më shumë se 1.4 milionë euro vetëm për makina me qira. Pak ditë pas lidhjes së kontratës për makinat me qira, anëtarët e këshillit bashkiak të opozitës në bashkinë e Tiranës, denoncuan një tjetër aferë, atë të marrjes së ambienteve me qira nga Erion Veliaj për çerdhe e kopshte, në një kohë që ka mbledhur 55 milionë euro nga taksa e arsimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



