E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Veliaj-Dako-Bushi, 3 mosketierët e tërmetit
Publik News

Veliaj-Dako-Bushi, 3 mosketierët e tërmetit

21 shtatori dhe 26 nëntori, dy datat e vitit 2019, janë ditë trishtuese në kalendarin tonë, tragjike për fat të keq, që sollën 51 jetë të shuara në Durrës dhe Thumanë. Por shënuan një kapitull tragji-komik. Lindën në këtë muaj Tre Mosketierët e Tërmetit. Tre burra eskortë e punëve të zeza të Ramës në shumë raste. Ata janë Erion Veliaj, Vangjush Dako dhe Artur Bushi. Ngjasimi me episode të historisë së shkruar të të madhit Aleksandër Dyma, nuk përkon kund, vetëm në kahun e së keqes, dhe mbrojtja e tyre ndaj mbretit lakuriq, ndërsa mbushin dhe llogari të tij në sektorë delikatë, është gijotinë e hapur.

Nxitimi i Ramës për të shpëtuar nga ndjekja penale, dhe me mjaft shanse prangosjen e tyre, është i dukshëm. Vuri në lëvizje makinerinë e kontrollit institucional, angazhoi KGJK e tij, Kap Gjithçka duhet Kapur, dhe kryesoi aksionin e shpëtimit të tyre.

Po Si?

I zgjedhur Prokuror i Përgjithshëm me mandat të plotë 7-vjeçar, megjithë projeksionin mbështetës të mazhorancës, Olsi Çela u përpoq të japë shenja profesionale.

U përpoq…

Zgjodhi me 7 dhjetor 2019, të shkojë në Durrës dhe përpara Prokurorisë së qytetit, lajmëroi para mediave një hetim serioz, intensiv, ndaj zyrtarëve të Bashkisë pa bërë diferencim, drejtues apo inspektor, përfaqësues i cilitdo institucioni, në duart e të cilit, kishin kaluar dhe firmosur dosjet e ndërtimeve të banesave. Hetim edhe ndaj subjekteve investuese, ndërtuese, furnizuese. Shumë nga ne e morën seriozisht nismën ligjore siç detyra kushtetuese ia përcakton zotit Çela. Por kishte jo pak të tjerë anues nga shakaja, e mes tyre gjendej Kryeministri.  Të nesërmen Edi Rama vajti në Durrës në zonat e dëmtuara, në peligrinazhin e tij propogandistik të pandërprerë 24 orë në 24 dhe saktësoi nervoz para kamerave. “Ende se keni marrë vesh kush është fajtor për shembjen e ndërtesave? -Tërmeti, -tha ai, tërmeti i shembi bandesat…” Këtë kumt po ia përcillte zotit Çela dhe vartësve të tij sigurisht. Në Durrës janë shumë punë, shumë banda, shumë organizata, pafund ndërtime, miliona euro dhe Gjushi nuk mundet të dalë krejt akullore.  Por askush nuk mund të afrohet tek dosjet e nënshkruara si leje nga Gjushi dhe më tej tek betoni i markës “Dako”, furnitor thuajse i shumicës së ndërtuesve në këtë qark. Për të mos pasur surpriza në asnjë shteg, iu dha leje zonjës Valbona Sako, një javë më parë, me 1 dhjetor, të dorëhiqej pas një deklarimi të turbullt emocional dhe leksikor. Shijaku, një tjetër qytet i rrënuar, por sërish asgjë përtej ndonjë karrocieri të aksidentuar nëpër dosje.

Dosjet mbyllen hetimi merr fund.

Tirana është një histori katastrofe, ku Rama plot kacabunj, i hungëriste live Erion Veliajt të merrej me lyerje shkallësh, ngulje hunjsh gardhi, ku koneria u përsos duke fshehur gjëra të rënda. Shkollat “Betim Muço” “Kongresi i Lushnjes”, “Emin Duraku”, e mjaft të tjera, ndërtime të reja në 2006-ën dhe më pas, ku bashkiaku Veliaj krekosej se kishte bërë hatanë, në tre vitet e fundit, u thërmuan si vezë poshtë kamionit. Kombinati dhe zona e Freskut, me ndërtime në standarde qameti me leje bashkiake Veliaj-Rama, të shpartalluar.

Thumana është nxirë nga viktimat. Shumë fshatra janë shkërmoqur. Ja kanë thënë Ramës se janë në bashkinë e Krujës këto zona të banuara?!! Dhe se aty është Artur Bushi kryebashkiak në vitin e 6-të?! Por edhe ky është një ndër mburojat e shumë punëve të Ramës dhe treva është burim dhe plantacion të fortësh, të cilët Rama vetëm i dëgjon, por asnjëherë urdhëron. Atë shkollën në Bubq, të rikonstruktuar me afro 500 mijë euro, të cilën e fshiu tërmeti, ndonëse ishte inauguruar me 24 nëntor, dy ditë më herët se lëkundjet të mbërrinin, dosja e të cilës diku është kriposur, kush e ka nëpër shkresa, Bashkia e Stambollit apo e Krujës??

Por njerëzit duhen gënjyer dhe gjetur ca fajtorë andej këndej, sa për të bërë të fortin diku, e mbuluar të menderosur aty ku duhet. Vora, Farka, Kashari, ku sasia e rrezikshmëria e dëmeve janë më periferike, bëhen shenjestër. Aty kanë qenë në qeverisje demokratët. Aty kërcasin prangat. Kryeministri duhet të dëgjojë edhe deklarimin e drejtorit të institutit të tij të Ndërtimit, Agron Hysenlliut, lajmin e bërë nga Shijak TV, ku ai thotë se “cfarë ekspertizash kemi bërë ne, me sy i kemi parë. Se po të bëhen ekspertizat, siç duhet teknkisht e ligjërisht, bëhet nami në Shqipëri…” Ai, drejtori profesionit, vrapuesi për të thënë se, Teatri si godinë ishte një ndërtesë kalbësirë, kur ia donte mideja Ramës të shprehej kështu.

Mosketierë të emëruar, nëse SPAK-u del në punë, akullorja do të shkrijë në duar me pranga.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.