E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Veliaj:Mos e blini ujin e boteve, denonconi çdo spekulant
Politikë

Veliaj:Mos e blini ujin e boteve, denonconi çdo spekulant

Gjatë verës, Bashkia e Tiranës dhe ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve kanë punuar për të ndërtuar një linjë të dedikuar që sjell ujë direkt nga impianti i Bovillës, për të furnizuar zonën e Astirit, e cila deri më sot furnizohej me ujë pusi dhe ku mungonte rrjeti i kanalizimeve.

Në inspektimin e kryer në mesnatë, ku po punohet intensivisht për rrjetin e ri të kanalizimeve në Rrugën e Elbasanit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky ishte gushti i fundit që zona e Astirit ka vuajtur nga mungesa e ujit të pijshëm.

 

 

Ai nënvizoi se pavarësisht deklaratave të politikanëve për të bërë politikë pas kthimit nga pushimet me çështjen e ujit, Bashkia e Tiranës i ka dhënë zgjidhje prej dy javësh, përmes linjës së dedikuar që zgjidh përfundimisht këtë shqetësim. “Ky është gushti i fundit që kemi pasur këtë problem; kemi tashmë dy javë që kemi sjellë një linjë të dedikuar dhe e kemi zhdukur përfundimisht problemin dhe krizën e ujit të pijshëm në zonën e Astirit. Kjo do të thotë se kur politikanët që bëjnë trazira, që bllokojnë punët, ikin nga Tirana, Tirana mbaron punë shumë shpejt. Ka qenë realisht argëtuese të shohësh politikanët, Monën dhe Lulin, që kthehen pas pushimeve edhe recitojnë për punime që tashmë janë kryer”, theksoi kryebashkiaku.

Veliaj shtoi se ky projekt, që i dha zgjidhje furnizimit me ujë të pijshëm të Astirit do të shtrihet edhe në zona të tjera në periferi të qytetit. Sipas tij, me hapjen e linjës së re të dedikuar, që vjen nga Bovilla dhe shkon direkt te Astiri, problemi i ujit të pijshëm do të zgjidhet edhe për zona të tjera periferike. Ai theksoi se ky investim është treguesi më i mirë se kur politika nuk përfshihet në punët komunale, Tirana ecën përpara.

“Për gjithë qytetarët, sidomos tek zona e Astirit, Yzberishtit, Laprakës, që sot po shohin të mirat e këtij investimi, besoj e kanë kuptuar se kur politika nuk përfshihet në punët komunale, Tirana ecën përpara. I them Monës dhe Lulit, mirëserdhët në Tiranë pas pushimeve, por gjërat që po denonconi tashmë kanë nja dy javë që i kemi zgjidhur. Është koha të bllokoni diçka tjetër, se ujësjellësin dhe kanalizimet e Tiranës, siç duket edhe nga kjo punë në mesnatë, nuk i bllokoni dot. Përfundimisht, punët në këtë qytet, nuk i bllokoni dot”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të mos blejnë ujë të pakontrolluar nga autobotet private, të cilët abuzojnë duke e shitur ujin e marrë për vaditje apo prodhim industrial, si ujë të pijshëm. “Kemi patur një problem me qytetarët që, për inerci apo fiksimin e tyre, blejnë ujë nga botet, nga makina të improvizuara e shitës informalë. Uji, që dikush e blen për vaditje, për fonderi që ftohin metale ose prodhim industrial, dhe pastaj fshehurazi e shet nëpër lagje, kërkon bashkëpunim nga banorët. Mania, fiksimi, nostalgjia për të blerë ujë, që medemek është marrë te burimi, është i rremë. Analizat na tregojnë se uji i ujësjellësit që është i klorinuar, që ka pësuar gjithë trajtimin kimik, është uji i saktë për t’u përdorur”, tha Veliaj, teksa kërkoi bashkëpunimin e banorëve për të denoncuar të gjitha rastet e spekulimit. “Ndaj, ju lutem, denonconi çdo spekulant, çdo bot. Kemi marrë masa që të anulohen të gjitha lëvizjet e këtyre boteve”, u shpreh ai.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.