Vëllai i McGonigal i përfshirë në skandalin e pronave në Vlorë
Dhjetëra banorë të krahinës së Dukatit, Tragjasit, Radhimës dhe Orikumit protestuan të hënën para dyerve të SPAK, duke denoncuar 33 vite shkelje, uzurpime dhe falsifikime të pronave të tyre.
Banorët depozituan një kallëzim penal të firmosur nga 180 persona, ku akuzohen zyrtarë të lartë, përfshirë Kryeministrin, për një skemë të shpopullimit dhe tjetërsimit të tokave. Sipas përfaqësuesve, presioni ka arritur kulmin me urdhrat e IKMT për shembjen e njësive ekonomike që mbajnë gjallë ekonominë e zonës.
Deklarata e banorëve
Edviol Kulluri, përfaqësues i banorëve, tha:
“Krahina jonë synohet të shfaroset totalisht, me metoda ekonomike dhe mohim prone. Situata është që neve aktualisht na ka ardhur IKMT-ja dhe kërkon të presë të gjitha njësitë ekonomike që kemi ne në territorin e krahinës sonë, njësitë e mesme dhe të vogla, jo të oligarkëve dhe të këtyre të mëdhenjve, njësi të cilat mbajnë në këmbë ekonominë e krahinës sonë. Në momentin që prishen këto njësi dhe banesat shoqëruese me to, krahina jonë ngelet praktikisht pa financë, pa ekonomi dhe ne nuk mund të mbijetojmë më në atë krahinë.”
Ai shtoi:
“Po, prandaj ne sot nuk kemi ardhur thjesht për të protestuar, kemi ardhur për të depozituar kallëzimin tonë në SPAK. Kallëzimi është bërë, është firmosur nga 180 banorë të krahinës tonë… Situata aktuale është që realisht edhe pse duket e ekzagjeruar, ne gjendemi përpara një krimi kundër njerëzimit, për shkak se shpopullimi sipas kodit penal shqiptar është krim kundër njerëzimit. Dhe për këtë arsye jemi mbledhur këtu para SPAK.”
Ai paralajmëroi gjithashtu:
“Ne nuk kemi plane të bëjmë luftë të armatosur kundër shtetit tonë, absolutisht jo. Por grabitësit dhe ata që janë të veshur me, që kanë një uniformë dhe e keqpërdorin, që në fakt ata janë kriminelët e vërtetë, ta dinë që do përballen me protesta të forta, shumë të forta, të modelit evropian, po nga ato të tipit francez. Ta kenë parasysh.”
Deklarata e avokatit
Avokati i banorëve, Arben Llangozi, sqaroi:
“Janë të dy elementët, edhe grupi i strukturuar kriminal, por kemi kallëzuar edhe zyrtarë të lartë, duke filluar nga kryeministri, për arsye sepse ashtu siç e kanë parashtruar banorët, kanë parashtruar para zyrës time duke thënë se ata po shpopullohen, dhe referuar nenit 74 të Kodit Penal, është e përcaktuar në mënyrë të qartë se kur politikat e një shteti krijohen të atilla për shfarosjen apo shpopullimin e tij, përbën krim kundër njerëzimit.”
Llangozi shtoi se kallëzimi përfshin falsifikimin e dokumenteve, tjetërsimin e pasurive dhe dhënien e lejeve të ndërtimit mbi to, dhe se përfshihen edhe shtetas amerikanë:
“Përderisa këta shtetas abuzojnë me pasaportën amerikane, ne i jemi drejtuar që hetimet të shtrihen edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra ky kallëzim është gjithëpërfshirës, për të gjitha rrethanat e paraqitura që nga viti 1991 e deri më sot. Janë intensifikuar. Këto janë informacione konfidenciale, por bëhet fjalë edhe për politikanë të lartë të Shteteve të Bashkuara. Po e disponojmë edhe emrin, të cilin e kemi vënë dhe do ta vëmë në sekret hetimor, sepse s’duam të veprojmë pa miratim të organeve ligjzbatuese.”
Ai përmendi edhe rolin e Kryeministrit:
“Fillon nga kryeministri, i cili ka miratuar leje ndërtimi me dokumenta të falsifikuara. Kemi prova të cilat provojnë që ky shtetas ka qenë në Republikën e Shqipërisë, kemi prova që është promovuar nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, kemi prova të cilat aktualisht ky shtetas, sipas asaj që ne kemi pretenduar, jemi drejtuar Departamentit të Shtetit, FBI-së, ambasadës dhe të gjithë institucioneve për të kryer hetime ndaj tij.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



