Video/ ish-ministrja Xhaçka behët meme : Plazhin e duam që të mos na vijë dikush nga mali dhe të vendosë çadrën

Ish-ministrja dhe deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, ka folur mbrëmjen e djeshme në një intervistë televizive për skandalin e shpalljes investitor strategjik të bashkëshortit të saj.

Sa i përket investimit miliona euro në jug të vendit, në fshatin Dhërmi, Xhaçka theksoi se një projekt i atij niveli, patjetër që i duhet dalja në det. Sipas saj, investimi në hotel nuk do të bëhej nëse nuk do të konceptohej edhe plazhi i lidhur me këtë objekt.

Gjatë intervistës ajo lëshoi edhe një “perlë”, pasi tha se plazhin e duam që të mos na vijë dikush nga mali dhe të na vendosë çadrën aty.

“Lidhja e kontratës për përdorimin e plazhit është përkundrejt tarifës, është e përvitshme si gjithë subjektet e tjera, ke vetëm prioritet për të mos ardhur dikush nga mali dhe të të vërë çadrat në plazh kur ti ke një investim të një niveli të caktuar, i cili prodhon ekonomi, turizëm edhe të tjerë. Kur investimi është i një niveli të tillë për përdorimin e plazhit është vetmja, i vetmi benefit i statusit të asistuar”, u shpreh ajo.

Hapësirat për plazhet publike në jug të vendit zvogëlohen çdo vit e më shumë. Qytetarët që zgjedhin bregdetin e jugut janë pothuajse të detyruar të paguajnë për shezlonge, pasi hapësirat publike zotërohen nga privatët.

Publikuar nga Publik Media