Thomas Strakosha kthehet përsëri vendimtar për Lacion, duke mbrojtur një fitore të rëndësishme pas një fillimi aspak të mbarë të kampionatit. Portieri i përfaqësueses shqiptare është bërë protagonist sot me një tjetër mrekulli, këtë radhë në minutën e 95 të ndeshjes kundër Empolit ndaj një gjuajtje të Kaputos.
Ishte 1-0 për Lacion dhe ai devijim me këmbë i mundësoi skuadrës së portierit shqiptar të tregonte vlerat e saj.
“Unë njeriu i ndeshjes? Jo, suksesi është i të gjithëve. Kishim fat në fund, nuk ishim në maksimum e kjo shihet. Duhet të përmirësohemi të gjithë, janë tre pikë të arta dhe tani duhet të punojmë. Nuk e prisja gjuajtjen e Kaputos në fund, mendova më të keqen. Por edhe kështu jemi të lumtur”, tha portieri shqiptar pas sfidës.
“Empoli luan mirë, e dinim. Jemi të ndërgjegjshëm që duhet të bëjmë më mirë. Komplimente atyre për si kanë luajtur, janë të fortë. Dy ndeshjet e para ishin të vështira, por kemi mësuar nga ato. Tani duhet të vazhdojmë në këtë rrugë dhe përqendrohemi, duhet të gjejmë formën e duhur fizike, jemi në rrugën e duhur”, ishin fjalët e portierit shqiptar.



