E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Viktimat e një sistemi përballë mashtruesve profesionistë!
OP-ED

Viktimat e një sistemi përballë mashtruesve profesionistë!

AV. DENISA DAKA

Vrasja e 62-vjeçarit Haxhi Baçinozi në prani të djalit të tij na tregoi rishtas të gjithëve bashkë sesa të dobëta janë strukturat këtu, shërbimi i inteligjencës posaçërisht.

E ndërsa H.B., ish-i persekutuar politik, kishte vuajtur dënimin politik për vite me radhë pa bërë asnjë krim, debitori “mashtrues”, i cili duhet të ishte doemos prapa hekurave, vrau dy herë radhazi një njeri të mirë, i cili në një tjetër kohë i shtriu dorën për ndihmë, vrasësit të tij.

Krimi i “vjedhjes me anë të mashtrimit”, kryer në shumë raste nga individë me precedentë penalë, po merr përmasa të frikshme në këtë vend, duke kthyer në viktima apo të dëmtuar dhjetëra qytetarë e biznese këtu.

Në Kodin Penal “vjedhja me anë të mashtrimit” konsiderohet krim, ndërsa me “bekimin” e prokurorëve, në shumë raste, keqbërësit vijojnë prej vitesh skemat e tyre të mashtrimit pa u hetuar asnjë ditë për fakte e rrethana të rënda, duke nxitur të tjera krime e ngjarje në vijim.

Ndërsa këta mashtrues të rrezikshëm vijojnë skemat e tyre kriminale me paratë që përvetësojnë nga qytetarët e jo vetëm, për të dëmtuarit nis paskëtaj një kalvar i tërë vuajtjesh e peripecish të paimagjinueshme.

E jo veç kaq, por këta “borxhlinj”, të cilët u kthejnë jetën me kokë mbrapsht njerëzve, përveçse nuk kanë frikë nga ligji; vrasin apo kanosin çdo ditë nga paniku, frika a dëshpërimi kreditorët e tyre, duke denoncuar në raste të tjera këta të fundit për “përndjekje” a “prishje qetësie”.

Secili prej tyre dëmtohet disa herë radhazi; pikësëpari, duke mos marrë mbrapsht “borxhin” e, së dyti, duke zgjidhur privatisht këto probleme (në mungesë të ndjekjes nga strukturat përkatëse), duke u gjykuar në shumë raste më pas si të pandehur a të akuzuar për dhunën e ushtruar kundër keqbërësve të tyre, apo duke u transportuar në qendra spitalore apo në botën e përtejme, për të vetmin fakt që guxuan të kërkojnë lekët e tyre, këtyre vasalëve unikë.

Më keq se kaq nuk mund të shkojë kurrsesi, duke parë nga afër sesi një sistem “drejtësie” po degradon ditë pas dite, duke u lënë dorë të lirë qytetarëve të tij të zgjidhin “privatisht” problemet e tyre.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.