Vjosa Osmani takon Donald Trump në Paris
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në ceremoninë e veçantë të rihapjes së Katedrales së famshme ‘Notre Dame’ në Paris ditën e djeshme.
Gjatë kësaj ceremonie, Osmani ka pasur rastin të takohet me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Osmani ka publikuar një fotografi përkrahë dy homologëve të saj, ku ka shkruar “Aleanca euroatlantike”.
Një njoftim i presidencës në Kosovë tregon se përveç ceremonisë që shënon përfundimin e restaurimit të këtij monumenti 850-vjeçar, pas zjarrit shkatërrues që dëmtoi rëndë katedralen pesë vite më pare, liderët botëror gjithashtu morën pjesë dhe në një darkë të organizuar nga Macron.
Mes figurave të rëndësishme globale atje, pjesëmarrës ishte edhe presidenti i porsazgjedhur i SHBA-së, Donald Trump. Notre Dame nuk është ndonjë kishë e zakonshme, por një pasuri e shenjtë kombëtare e Francës.
Në Paris ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Rama, për ceremoninë e rihapjes së katedrales së “Notre Dame”.
Rama në ceremoni
Kreu i qeverisë shqiptare ka postuar në rrjetin social Facebook, pamje nga momenti i ceremonisë së rihapjes së katedrales, ndërsa shkruan se edhe Shqipëria ka kontribuar modestisht në rindërtimin e saj, por ende asnjë shtrëngim duarsh me liderët e BE apo presidentin Donald Trump.
Nga ana tjetër, edhe Serbia ka qenë e pranishme me kryeministrin Millosh Vuçeviç në ceremoni, dhe jo me presidentin Aleksandër Vuçiç.
Edhe nga Serbia, sikurse edhe Rama, nuk është bërë publike asnjë takimi i nivelit të lartë në Paris.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



