Vlora e “Trump” nën ujë
VLORA 🎥
Pamjet që vijnë nga Vlora nuk kanë nevojë për shumë koment.
Edhe pse shiu ka përfunduar prej orësh, uji vazhdon të mbajë të mbuluar lagje të tëra të këtij qyteti.
Përmbytjet e mëdha evakuojnë dhjetëra familje, dëme të rënda në qytet
https://www.instagram.com/reel/DAuBJaFN5Xq/?igsh=MzRlODBiNWFlZA==
Qyteti i Vlorës është goditur nga reshje intensive shiu gjatë natës, duke shkaktuar përmbytje të mëdha dhe probleme serioze në disa zona të qytetit. Situata më alarmante është regjistruar në disa lagje kryesore, ku reshjet kanë përmbytur rrugë dhe banesa, duke bërë të nevojshme evakuimin e dhjetëra familjeve.
Sipas të dhënave paraprake, 33 familje janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve dhe janë strehuar në një konvikt të ofruar nga Bashkia e Vlorës. Në total, rreth 55 persona kanë kaluar natën jashtë shtëpive të tyre, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të menaxhuar situatën.
Ndër lagjet më të prekura janë ‘Albano dhe Romina’, ‘Leg Sallat’, ‘28 Nëntori’, si dhe zonat pranë Xhamisë, Kishës Ortodokse dhe bibliotekës publike. Rrugë të rëndësishme si ‘Hasan Kushta’, ‘Gjergj Araniti’, dhe bulevardi kryesor ‘Ismail Qemali’ janë gjithashtu përmbytur, duke krijuar probleme serioze në qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve.
Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në biznese dhe banesa private, por ende nuk ka një vlerësim të plotë të tyre. Autoritetet lokale pritet të fillojnë analizimin e situatës dhe vlerësimin e dëmeve në ditët në vijim.
Ekipet e emergjencës janë duke punuar për të larguar ujin nga zonat më kritike dhe për të hapur rrugët e bllokuara. Sipas njoftimeve të meteorologëve, pritet që moti i keq të vijojë edhe në orët e ardhshme, duke e rënduar më tej situatën në qytet.
Banorët janë këshilluar të qëndrojnë në ambiente të sigurta dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



