E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja e biznesmenit në Sarandë, zbardhet dëshmia e të plagosurit
Lajme

Vrasja e biznesmenit në Sarandë, zbardhet dëshmia e të plagosurit

Si nisi konflikti për beach bar-in

Është zbardhur dëshmia e Kostandin Voglit, 31-vjeçarit që mbeti i plagosur në incidentin e ndodhur në Qafë Gjashtë, ku humbi jetën Rexhep Ismaili. Pas vetëdorëzimit në polici, Vogli ka rrëfyer për hetuesit se konflikti kishte nisur më herët dhe lidhej me një mosmarrëveshje biznesi me Viktor Ruçin.

Sipas deklarimit të tij, të dy kishin qenë bashkëpronarë të një beach bar-i, por situata ndryshoi pasi Vogli u burgos. Në mungesë të tij, Ruçi kishte përjashtuar vëllain e Voglit nga aktiviteti, çka u bë shkak për përplasjen. 31-vjeçari ka pohuar se kishte kërkuar sqarime për këtë çështje dhe se tensionet ishin shtuar edhe më shumë pas një debati verbal disa ditë para ngjarjes.

Për të zgjidhur konfliktin, ai ka shkuar në lokal së bashku me disa persona të tjerë, me qëllimin për të biseduar me Ruçin. Por situata ka dalë jashtë kontrollit dhe është përshkallëzuar në dhunë fizike.

Sipas të dhënave hetimore, rreth orës 21:20 të mbrëmjes, një grup prej disa personash, Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla, janë paraqitur në lokalin në pronësi të Rexhep Ismailit. Aty ka nisur një konflikt i ashpër me Viktor Ruçin dhe personat që ndodheshin në tavolinë me të.

Gjatë përplasjes, dyshohet se vetë Ismaili ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar në drejtim të grupit. Në vijim të ngjarjes, dyshohet se Lulzim Tabaku ka reaguar duke qëlluar me pistoletë, duke i marrë jetën Ismailit me një plumb.

Pas incidentit, personat e përfshirë janë larguar nga vendngjarja. Kostandin Vogli u vetëdorëzua disa orë më vonë, ndërsa autorët e dyshuar të tjerë vijojnë të jenë në kërkim nga policia.

Ndërkohë, është proceduar penalisht edhe Hajredin Ismaili, vëllai i viktimës, pasi dyshohet se ka larguar nga vendngjarja armën automatike që përdori viktima para se të qëllohej për vdekje.

Personat e dyshuar:

  • Lulzim Tabaku, 37 vjeç – i akuzuar për “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”
  • Idriz Çela, 40 vjeç
  • Eljo Muço, 19 vjeç
  • Kostandin Vogli, 31 vjeç
  • Marjo Agalliu, 22 vjeç
  • Ermal Shkalla, 21 vjeç

Këta të fundit akuzohen për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.