Vrau burrin e të dashurës, shqiptari: U tremba!
Greqia është përfshirë nga tronditja pas vrasjes së kryetarit të komunitetit Lithovouni, 51-vjeçarit Kostas Alexandris, një ngjarje që sipas autoriteteve duket se ka në qendër një konflikt të fortë personal me motive pasionale.
Mediat greke raportojnë se hetimet e deritanishme të policisë po çojnë drejt një piste erotike, ndërsa provat e mbledhura dhe dëshmitë e para sugjerojnë se mes viktimës dhe autorit të dyshuar ekzistonte një përplasje e mëparshme, e lidhur me një grua.
Sipas informacioneve të publikuara nga protothema.gr, 45-vjeçari i arrestuar dyshohet se kishte një rivalitet personal me viktimën, i cili kishte degraduar në konflikt fatal. Megjithatë, autoritetet po tregohen të rezervuara ndaj pretendimeve të tij, pasi ai përpiqet ta paraqesë ngjarjen si akt të kryer nga frika dhe në kushtet e vetëmbrojtjes.
“Ai po më bënte shenja nga brenda makinës dhe u tremba,” ka deklaruar i dyshuari, duke pretenduar se reagoi i pari pasi mendoi se rrezikohej.
Sipas versionit të tij, momenti kritik ndodhi kur ai pa viktimën duke bërë lëvizje kërcënuese nga automjeti, çka e shtyu të vepronte. Por kjo dëshmi nuk ka bindur hetuesit, të cilët po analizojnë me kujdes të gjitha rrethanat dhe provat materiale.
Në të njëjtën kohë, autori i dyshuar ka pranuar para policisë se ngjarja lidhet me një konflikt pasioni. Hetimet kanë zbuluar se ai kishte pasur një lidhje intime me bashkëshorten e viktimës, e cila për një periudhë ishte larguar nga familja dhe jetonte në Patra. Më pas, ajo kishte vendosur të rikthehej pranë bashkëshortit të saj, zhvillim që mendohet se ka ndezur konfliktin fatal.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e vrasjes dhe për të përcaktuar saktësisht përgjegjësitë penale të autorit të dyshuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



