Welcome to Sicilia (Albania)!
Pak ditë më parë pamë videot e Hakljave në “Top-Channel.tv”, të cilat hodhën ngjarje të reja mbi hijet e dyshimta se cilët ishin protagonistët real të vrasjeve masive në Tropojë. Pak ditë më parë, pamë se si Tropoja i ngjante një Korleone të vërtetë, ku mafiet Coza Nostra dhe Camorra luftonin kundra njëra tjetrës me fuqinë e Shtetit që kishin pas krahëve. Pamë se si dhe politika e ndyrë e këtyre 30-viteve, u vendos në rresht si një ushtar i devotshëm për të përmbushur misionin e saj triumfues: Të shpartallojmë cilindo që i kundërvihet Shtetit edhe pse vetë Shteti, ishin po ata cuba, të cilët u ngritën nga hiçi nga dora e ndyrë e palo-politikës.
U përdorën dhe kjo dihej botërisht, pasi në dokumentar, dëgjoje se si krerët e lartë të pushtetit, kërkonin kokat e tyre me çdo çmim. Po kjo pak rëndësi ka, pasi çdo gjë doli me zë dhe figurë për të gjithë ata që kanë sy dhe vesh! Unë do flas për një tjetër Shqipëri, atë si Sicilia e Palermos. E cila vazhdon të derdh gjak edhe pse jeton ende e gjakosur nga plagët e pambyllura.
Shqipëria e 30 viteve ka kaluar fortuna të mëdha! Furtuna, që nga eksodet e mbytjeve me anije, skafe dhe vrasje emigrantësh maleve për në Greqi e deri tek plumbat pas koke nëpër qytetet e ndryshme, tipike si vrasje mafioze.
Besoj se i keni parë të gjitha ngjarje dhe i mbani mend pak a shumë, se si janë egzekutuar dhjetra eksponentë të lartë, që nga politikanë, bankierë e deri tek efektivë të policisë. Kjo tregon, se kush di diçka dhe tenton të flasë, kalibri 9 milimetër i një pistolete apo breshëritë e kallashnikovëve, do të jenë fundi i frymës së tyre. Prokuroria apo gjykatat, do të jenë po ata që në koordinim me shërbimin sekret, do të zhvillojnë djegien e çdo materiali kompromentues që zbardh të vërtetën. Besoj se i dini këto nga lajmet e shumta të këtyre 30 viteve, që të mos hyjmë në detaje, por të meremi me thelbin.
Shqiperia sot, ka më shumë banda se sa njerëz! Dhe ky është fakt i pakontestueshëm. Kemi banda në Tropojë, Has, Elbasan, Lushnje, Fier, Vlorë, Tiranë, Durrës, Sarandë, Kavajë, Korçë, Pogradec dhe kudo. Kemi banda dhe cuba kudo ku rrethohet Shqipëria. Këto banda, që erdhën prej ngritjes nga politika dhe shfrytëzimi i forcës së ligjit. Erdhën duke u bërë pjesë e shërbimit sekret dhe para-militarëve të akuzuar herë pas here si militantë partiakë, të së djathës, të së majtës apo dhe të qendrës. Erdhën dhe u ngritën deri aty, saqë tërheqja e këmbzës së armës, do të dëgjohej shumë edhe në Perëndim. Në Europë, në mbajmë vend ordinerë për krime dhe larje hesapesh. Që nga trafikimi i qenieve njerëzore, lëndëve narkotike e deri tek trafikimi i armëve apo i kontrabandës.
Do thoni ju që shqiptarët qenkan kaq shumë të fortë saqë të arrijnë deri këtu ? Natyrisht që po! Sidomos, kur pas ke një kokë si politika, që të hap dyert me lidhje, informacion, pushtet të parasë dhe material kriminal të disponueshëm. Kjo bëhet më e lehtë, kur kostumet Prada, Luis Viton, Giorgi Armani, shëtisin nëpër korridoret e politikës sa tek Parlamenti, tek Sheratoni, tek Rogner, tek Hotel Tirana apo vilat lluksoze në Gjirin e Lalzit, Ksamil, Jalë dhe gjetkë me makina të blinduara Mercedes, Porsche, BMW, Bentley apo Rolls-Royce. Domosdo, që kokat janë aty tek selitë partiake dhe në Parlament. Prokuroria, Gjykatat, shërbimi sekret, policia e shtetit dhe të gjithë organet e tjera ligj-zbatuese, janë në shërbim të kokave në politikë, që më pas delegohen si nën urdhëra tek emisarët e tyre që marrin përsipër të zhvillojnë lojën e cubave në Sicilinë tonë që quhet Shqipëri.
E gjitha kjo histori, Kanabisi, Xibraka, Gërdeci, fajdet, 97-ta, vjedhja e thesarit, trafiqet e ndryshme, pengamarrjet, gjobvëniet, vrasjet politike, vrasjet mafioze dhe vrasjet krahinore me tendencë larjen e hesapeve midis bandave, janë institucionalizuara me foltoren e parlamentit. Ndodhitë e shumta kanë përfunduar me mbylljen e dosjeve, apo djegien e tyre nga arkivat.
Shqipëria nuk e ka fatin të quhet një vend i lirë, ku krimi i organizuar dhe cubat e bandave, mbushin xhepat e padronëve të tyre të veshur me Gucci e Prada që levizin rrugëve me badigardë, eskorta dhe makina të blinduara, nën hijen e rëndë të pritjes së ndonjë atentati të radhës!
Mirësevini në Siçili, por mos harroni t’i mbyllni vetë gojët, veshët edhe sytë, përpara se dikush t’ju shfaqet nga pas si egzekutori juaj!!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



