Xhaçka: Nuk e kemi frikë SPAK-un, as unë, as burri

Deputetja socialiste Olta Xhaçka ka folur për herë të parë sonte në Top Story me Grida Dumën, lidhur me akuzat e opozitës për statusin e bashkëshortit të saj si investitor strategjik, dhe planin për ndërtimin e një resorti në jug të vendit.

Ajo tha se statusi i investitorit nuk ka asnjë favor nga qeveria, duke shtuar se nuk është në konflikt interesi pasi ligji për këtë status, nuk i përjashton familjarët e politikanëve.

E pyetur nga Grida Duma nëse ka frikë nga hetimi i SPAK, Xhaçka u shpreh se as ajo dhe as bashkëshorti i saj nuk i druhen SPAK. Përgjigjja e Xhaçkës tregon se në kampin e rilindjes kushdo që ka mbështetje e Ramës nuk e ka aspak frikë SPAK-un, kjo siguri e Xhaçkës konfirmon kontrollin politik që ekziston mbi dumanët e drejtësisë së re.

Pjesë nga intervista:

Duma: Si ndodhi që një biznesmen me kaq përvojë, sot ka situatën e pronës nën hetim dhe SPAK ka sekuestruar rreth 10 mijë metra katrorë dhe e gjitha është një dosje për korrupsion, mbivendosje prone, që është marrë më lirë se çmimi i tregut.. si mund ta bënte këtë një biznesmen me kaq vite në terren?

Xhaçka: Pyetja është e drejtë, por faktet nuk janë të cituara drejt. Bashkëshorti im ka blerë një pronë, që ka filluar një kontratë premtimi, dhe më pas ka bërë aktin e blerjes së pronës. Unë di që kontrata e premtimit deri te akti i blerjes së pronës, kanë kaluar shumë muaj, nuk e di pse ish pronarët kanë vendosur ta shesin 10 lekë dhe jo 100 lekë. Këtu nuk ka lidhje pushteti politik.

Duma: Pse duhet ta besojmë këtë?

Xhaçka: Pse ka lidhje në një marrëveshje mes pronarit dhe blerësit? Nuk rezulton kështu sepse kur bashkëshorti im e ka blerë, e ka blerë përmes noterit që ka bërë verifikimet në shtet që është pronë e rregullt. Po ra kjo i bie të ketë rënë shteti shqiptar. Unë nuk e di si është regjistruar ajo pronë, as bashkëshorti im nuk ka si ta dijë historikun e kësaj prone. Bashkëshorti im është personi i parë i interesuar për këtë çështje.

Duma: Ndihesh e frikësuar?

Xhaçka: Jo, sepse përmes këtij linçimi po më duket se mbaj një barrë që nuk më takon ta mbaj. Ndoshta nuk tingëllon mirë kur them ‘po çlidhje kam unë? Çlidhje ka bashkëshorti im sesi është regjistruar kjo pronë në 1994?’ Ky procedimi i SPAK duket sikur po mbron një njeri të pushtetit për të mbyllur vrimat e një gjëje që dihej se ishte me cen? Jo nuk është kështu. Nuk jam e frikësuar as unë dhe as bashkëshorti im sepse nuk e dinim si janë ndarë AMTP në 1994.

Olta Xhaçka, deputetja dhe ish-ministra e Partisë Socialiste, është vendosur në qendër të akuzave të opozitës prej marsit 2022.

Vendimi i Këshillit të Ministrave pjesë e së cilit asokohe ishte edhe Olta Xhaçka për t’i dhënë bashkëshortit të saj, biznesmenit Artan Gaçi, statusin e investitorit strategjik ka vendosur në pikëpyetje mandatin e saj si deputete por kryeministri Edi Rama i është bërë “mburojë” pasi mazhoranca në Kuvend me urdhër të tij refuzoi kërkesën e opozitës për të çuar mandatin e saj në Kushtetuese.

Gjatë intervistës në Top Story, Xhaçka deklaroi se bashkëshorti i saj kishte marrë kredi për të bërë investimin përallor në plazhin e jugut. E pyetur nga moderatorja Grida Duma për shumën që Artan Gaçi kishte marrë kredi, ish-ministrja mbeti pa fjalë.

“Një investim privat në pronë private, blerë nga ish pronar privat, pas përmbushjes së disa kritereve konform ligjit, shteti e stimulon për shpejtësi. Shteti i jep prioritet në lidhjen e kontratës për përdorimin e plazhit, duke qenë se është investim në fushë strategjik dhe investimi konsiderohet e mirë publike. Në një pronë private me leje zhvillimi dhe ndërtimi të marrë. Përpara aplikimit të statusit, ky investim nuk ka pasur nevojë për asnjë lehtësi procedurale. Për shkak se në atë zonë investimet e tjera të rëndësishme kishin status të investitorit strategjik dhe prioritet për lidhjen e kontratës, i lindte e drejta edhe këtij investimi për shkak të nivelit të punësimit që të bënte të njëjtën gjë për të ngritur një sipërmarrje 100% turistike. Unë dhe im shoq i kemi pasur punët e ndara, nuk dua ti bëj avokatinë sipërmarrjes së tij, por ai është shkëputur në momentin që ne kemi krijuar një familje bashkë. Është marrë me biznes që në vitin 1991. Nuk bëhet fjalë për dikë të pasuruar nga politike”, tha Xhacka.

Pyetje: Keni folur për këto investime në detaje?

“Kemi folur patjetër se ky projekt ka qenë ëndrra e tij, Ka qenë në partneritet më kompani të rëndësishme të huaja që mund të menaxhonin këtë investim. Ka qenë ëndrra e tij sepse ka dashur të realizojë një gjë të rëndësishme për ekonominë atje. Duke besuar që e ardhmja e këtij vendi është turizmi, kursimet, me kreditë bankare… Do ta realizonte në këtë sipërmarrje. Nuk di tua them detajet, nuk më kanë interesuar. Nuk jam naive, por nuk e kam ditur, nuk e di sa mund të më besojnë, por nuk e kam ditur që statusi i investitorit të asistuar, përcaktimi i koordinatave do ishte në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Kam menduar që nuk mund të votoja një vendimmarrje që e dija që kishte të bënte me familjarët e mi. Kam qenë prezente në mbledhjen dhe kam lajmëruar që ndodhet kjo pikë që mendoj se nuk duhet të votoj dhe nuk jam paraqitur në atë votim. Ishte përgjegjësi etike. Nuk ishte thjesht çështja e konfliktit të interesit, ishte kjo ngacmim etik që nuk duhet të merrja pjesë në atë votim. Nuk pyeta Ramën, thjesht ia deklarova sekretarit të përgjithshëm”, tha Xhacka.

“Në fakt puna si ministre ka qenë e gjatë, kanë qenë tre poste ministrore, kështu që pas një eksperiencë kaq të gjatë mendoj se është e përligjur të kesh një moment refleksioni. Përballem me një lumë shpifjesh dhe akuzash e kam rikonsideruar shijen e këtij profesioni dhe pasioni. Nuk kam folur se kam respektuar institucionet. Opozita akuzon se jam në papajtueshmëri mandati dhe se mazhoranca po më mbron për të mos shkuar në “Kushtetuese”. Ka pasur momente që kam menduar që çfarë na duhet statusi i investitorit strategjik… por ky status nuk është favor, është thjeshtë një stimul që qeveria ia bën ekselencës për të investuar drejt sektorëve prioritet të ekonomisë. Nuk ka vendim që përjashton familjarë të deputetëve apo ministrave të merren me biznes dhe të mos diskriminohen. Ndalesa është që nuk mund të përfitojnë të ardhura nga prona publike, nuk mund të përfitojnë prona publike”, u shpreh ajo.

Publikuar nga Publik Media