E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Xhuana u dhunua deri në 3 të mëngjesit, u kthye me nofull të thyer”
Lajme

“Xhuana u dhunua deri në 3 të mëngjesit, u kthye me nofull të thyer”

“Molla e sherrit” vjehrra?

Gazetarja zbardh detaje tronditëse nga vdekja e 25-vjeçares

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në vend, ku 25-vjeçarja Xhuana Nikollaj i dha fund jetës së saj pas një periudhe të gjatë dhune dhe presioni psikologjik. Rasti ka rikthyer në qendër të vëmendjes fenomenin e dhunës në marrëdhëniet intime dhe pasojat tragjike që mund të sjellë.

Gazetarja Aida Topalli, gjatë një interviste në emisionin “Në Radio” në Radio Tirana, ka zbuluar detaje nga prapaskenat e kësaj historie, e cila sipas saj kishte nisur si një histori dashurie mes dy të rinjve nga Lezha, por që përfundoi në mënyrë dramatike.

Sipas saj, marrëdhënia mes tyre kishte zgjatur për një kohë të gjatë përpara se të kurorëzohej në martesë.

“Dy të rinjtë kishin një histori të gjatë dashurie, të cilën e kishin kurorëzuar në martesë verën e vitit të kaluar. Martesë e cila zgjati vetëm 3 muaj pasi ka pasur dhunë të vazhdueshme psikologjike dhe fizike ndaj 25-vjeçares”, u shpreh gazetarja.

Pas ndarjes, hetimet nuk janë përqendruar vetëm tek ish-bashkëshorti i saj, Eraldo Fizi, por edhe tek persona të tjerë që mund të kenë pasur ndikim në konfliktet mes çiftit.

“Ka pasur akuza dhe deklarata të të afërmve se ka qenë vjehrra ‘molla e sherrit’ mes çiftit të ri. Por grupi hetimor do të hetojë se çfarë fshihet pas kësaj”, theksoi Topalli.

Pas divorcit, Xhuana kishte tentuar të rindërtonte jetën e saj në Tirana, ku jetonte dhe punonte së bashku me një shoqe. Megjithatë, takimi i fundit me ish-bashkëshortin, i cili ishte kthyer nga Italy më 9 mars, rezultoi fatal.

“Pas debateve të vazhdueshme me mesazhe, ai është takuar me ish-bashkëshorten dhe kanë qëndruar deri rreth orës 3 të mëngjesit të ditës së martë. Kur është kthyer në banesë, shoqja e saj ka deklaruar se Xhuana ka qenë me shenja të dukshme dhune, deri në nofull të thyer”, rrëfeu gazetarja.

Gjendja e rënduar fizike dhe psikologjike dyshohet se e shtyu të renë drejt konsumimit të fostoksinës. Edhe në momentet e fundit të jetës, ajo arriti të dëshmonte për dhunën që kishte përjetuar.

“Xhuana Nikollaj ka mundur të rezistojë për të paktën 2 orë që nga momenti që është marrë nga banesa për në Qendrën Spitalore ‘Nënë Tereza’. Ka deklaruar se personi që i ka shkaktuar shenjat e dhunës dhe që e ka çuar drejt kryerjes së një akti të tillë ka qenë ish-bashkëshorti i saj, Eraldo Fizi”.

Një tjetër element i rëndësishëm për hetuesit është letra që 25-vjeçarja la pas. Në të, përdorimi i numrit shumës ka ngritur dyshime se presioni ndaj saj mund të mos ketë ardhur vetëm nga një person.

“Ajo ka lënë një letër ku shkruhej: ‘Nuk mund të lejoj të më dëmtojnë më shumë, prandaj ju kërkoj falje’. Xhuana në atë letër flet në numrin shumës, shkaktarë mund të kenë qenë edhe familjarë të ish-bashkëshortit të saj.”

Një nga pistat që u përfol menjëherë pas ngjarjes ishte edhe mundësia e një shtatzënie, e cila mund të kishte ndikuar në rëndimin e situatës. Megjithatë, kjo hipotezë është përjashtuar nga ekspertiza mjeko-ligjore.

“Nga ekspertiza mjeko-ligjore rezulton që 25-vjeçarja nuk ka qenë shtatzënë”, sqaroi Topalli.

Edhe pse dhuna ishte e pranishme, institucionet nuk kishin pasur dijeni për situatën, pasi nuk rezulton të jetë bërë një denoncim zyrtar.

Siç theksoi gazetarja në emisionin “Në Radio”, “në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë dhe në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës nuk ka pasur një denoncim të mëhershëm të familjarëve”. Sipas saj, kjo lidhet edhe me dinamikën e marrëdhënies së çiftit, e cila kishte kaluar në periudha qetësie dhe më pas në momente të agravimit të konfliktit.

Përcjellja për në banesën e fundit në Shëngjin u kthye në një moment reflektimi për shoqërinë. Qytetarë të shumtë u bashkuan në homazhe dhe ndezën qirinj në kujtim të saj.

Sipas gazetares Aida Topalli, ky reagim qytetar ishte “një kambanë alarmi për situatën në të cilën ndodhet shpesh gruaja shqiptare”.

Përtej tragjedisë, Xhuana Nikollaj përshkruhet nga të afërmit dhe miqtë si një vajzë me ëndrra dhe ambicie, e cila pavarësisht vështirësive po përpiqej të ndërtonte një jetë të pavarur.

“Ka qenë studente e Drejtësisë dhe punonte në Tiranë. Vinte nga një familje e mirë, e kulturuar, të cilët e kishin mbështetur pas divorcit kur kishte tentuar të vazhdonte jetën e saj. Bëhet fjalë për një vajzë të bukur, të shkolluar, që punonte dhe vazhdonte jetën e saj”.

Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim Eraldo Fizi, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje që ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje nevojën për reagim më të fortë ndaj dhunës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.