Zbulohet gjyqtari që do vendosë drejtësi në sfidën Andorra-Shqipëri
Shqipëria do të zbresë në fushë të enjten në orën 20:45 përballë Andorrës, në një duel të rëndësishëm për kualifikueset e Botërorit 2026. Pak ditë para ndeshjes, UEFA ka bërë publik edhe emrin e arbitrit që do të drejtojë sfidën.
Për drejtësinë në këtë përballje është caktuar rumuni Horațiu Feșniç, një gjyqtar me eksperiencë, i cili deri më tani nuk ka arbitruar Kombëtaren shqiptare, por ka gjykuar disa skuadra shqiptare në Europë, si Partizani, Tirana dhe Vllaznia.
Feșniç, 36 vjeç, do të ketë në ndihmë bashkëkombasit e tij Valentin Avram, Alexandru Cerei dhe Rares Vidican. Ndërkohë në dhomën e VAR-it do të jenë Ovidiu Haţegan dhe Adrian Costreie.
Rumuni debutoi si arbitër në elitën e futbollit të vendit të tij më 12 mars 2012, në moshën vetëm 22-vjeçare. Katër vite më vonë u përfshi në listën e FIFA-s, duke fituar besimin për të gjykuar takime të rëndësishme ndërkombëtare.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



