E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbulohet kush do ta gjykojë dosjen për Ervis Martinajn
Lajme

Zbulohet kush do ta gjykojë dosjen për Ervis Martinajn

Një vendim i fundit i Gjykatës së Lartë ka përcaktuar se cila gjykatë do të shqyrtojë një nga çështjet penale që lidhen me Ervis Martinajn. Kolegji Penal ka zgjidhur konfliktin e kompetencës mes Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke vendosur që procesi të vazhdojë në këtë të fundit.

Vendimi është marrë më 10 mars 2026 dhe ka të bëjë me procedimin penal të regjistruar në vitin 2022. Në thelb të çështjes qëndron një kontroll policor i zhvilluar në muajin maj të atij viti në ambientet e hotelit “Zeus Garden”, ku kishte dyshime se ndodhej Ervis Martinaj.

Gjatë operacionit, efektivët sekuestruan një sërë sendesh, mes tyre një armë zjarri pistoletë me municione, jelekë me mbishkrimin “Policia”, portofolë me simbole identifikuese të policisë, maska, pranga dhe pajisje të tjera. Në këtë procedim penal janë përfshirë edhe Armand Merlika, Ergys Merlika dhe Dea Pistolja, të cilët akuzohen për veprën penale të moskallëzimit të krimit, ndërsa ndaj Martinajt rëndojnë akuzat për mbajtje pa leje të armëve dhe përdorim të paautorizuar të uniformave apo shenjave identifikuese.

Një nga provat më të rëndësishme të administruara në dosje lidhet me ekspertimin biologjik. Sipas rezultateve të ADN-së, në disa prej objekteve të sekuestruara janë identifikuar gjurmë gjenetike që përputhen me profilin e Ervis Martinajt, i cili rezulton i zhdukur që prej muajit gusht të vitit 2022.

Në arsyetimin e saj, Gjykata e Lartë vlerëson se çështja nuk përmban elemente që lidhen me akuzën për grup të strukturuar kriminal, faktor që do ta kalonte automatikisht dosjen në kompetencën e GJKKO-së. Për këtë arsye, gjykimi do të zhvillohet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Vendimi nuk përbën një qëndrim mbi fajësinë ose pafajësinë e personave të përfshirë në procedim, por ka si qëllim vetëm përcaktimin e institucionit gjyqësor që do të shqyrtojë çështjen në themel.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.