E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbulohet skema, Daniel Shima dhe Gerond Meçe bashkë në tenderat e AKSHI-t
Denoncime

Zbulohet skema, Daniel Shima dhe Gerond Meçe bashkë në tenderat e AKSHI-t

Teksa SPAK thelloi hetimet financiare drejt njërit grup në AKSHI, ne kemi bërë disa hulumtime të reja lidhur me raportet financiare dhe qarkullimet e kompanisë ABS të Gerond Meçes.

Në këtë hulumtim, që është vijues i investigimit të shkurtit të vitit 2026, del në dritë një raport i dyshimtë me kompaninë “M TECH”. Një subjekt i themeluar në vitin 2016 dhe i mbyllur në vitin 2019. Ajo që bie në sy është raporti i fortë financiar mes dy kompanive në një kohë kaq të shkurtër…

Mes 1 qershorit të vitit 2017 deri më 3 janar 2019, “M TECH” lëshon 25 fatura shitjeje ndaj kompanisë “ADVANCED BUSINESS SOLUTION”. Vlera totale është 87 milionë lekë ose rreth 900 mijë euro. Pjesa dërrmuese e faturave janë identike, në vlerën 1,8 milionë lekë të reja. Më 2 nëntor të vitit 2018, bie në sy një faturë me vlerë prej 36,5 milionë lekësh ose rreth 370 mijë euro.

Por, cilat janë kapacitetet reale të kompanisë “M TECH”, e cila i faturon subjektit ABS plot 900 mijë euro? Hulumtimi zbulon se kompania në fjalë kishte vetëm 2 të punësuar, administratoren Eleni Zhapa dhe pastruesen Zhaneta Çapani. Se çfarë nevojash kishte një kompani e konsoliduar në fushën e IT-së si ajo e Gerond Meçes, të merrte shërbim nga një subjekt që ka vetëm 2 të punësuar, kjo duket çudi.

“Faturat fiktive janë në atë masë që e bëjnë të pamundur ndjekjen e tyre. Ka pasur raste jo vetëm në Prokurorinë e Posaçme, jo vetëm në dosjen e AKSHI-t, por edhe në dosje të tjera siç kanë qenë dosjet e famshme të përmbarimit dhe bëhej fjalë për mijëra fatura fiktive. Kjo i jep një ngarkesë të madhe Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit për të ndarë grurin nga egjra, për të ndarë se cilat fatura realisht ekzistojnë dhe cilat janë pjesërisht apo tërësisht fiktive”, u shpreh avokati Arber Hoxha.

Ligjërisht, raportet janë korrekte, por këtu lindin dyshimet e transaksioneve fiktive për një kompani që qarkullon paratë me origjinë nga tenderat e dyshimtë. Nëse faturat nuk përkthehen në punë reale, atëherë duhet të ngrihen antenat e strukturave ligjzbatuese.

“Zakonisht kompanitë që qarkullojnë vlera shumë të mëdha parash me numër të kufizuar punonjësish janë ato kompani të cilat ofrojnë një shërbim që ka shumë vlerë ose punonjësit i ka shumë të kualifikuar dhe ky punonjës prodhon shumë volum pune dhe rrjedhimisht ti si kompani mundesh që të gjenerosh fatura me vlera të mëdha. Unë di rastin e një kompanie që është pjesë e hetimit nga SPAK-u, e cila ka bashkë me administratorin 4 punonjës. Për 10 muaj ka faturuar disa milionë euro shërbime tek një kompani tjetër. Tani çdo biznesmen i ndershëm në këtë vend e di që me 4 punonjës dhe me një kosto totale prej jo më shumë se 90 mijë euro në 10 muaj, është e pamundur që ti të krijosh aq shumë volum pune dhe të kesh aq shumë punonjës të kualifikuar për të gjeneruar një vlerë pune kaq të madhe, që është disa milionë euro”, u shpreh Emirjon Senja.

Nëse krahason bilancet e dy kompanive, ‘ABS’ dhe ‘M TECH’, rezulton se shifrat e deklaruara të transaksioneve nuk përputhen.

Për vitin 2017, ‘M TECH’ ka deklaruar në bilancin e saj klientë të paarkëtuar në shumën 8,112,000 lekë, shumë që lidhet me detyrimet e pashlyera deri më 31.12.2017 nga ‘Advanced Business Solutions’.

Kjo e fundit, në anën tjetër, deklaron dyfishin e shumës si detyrim ndaj ‘M TECH’, plot 16 milionë lekë. Pra, për të njëjtën marrëdhënie financiare, njëra palë deklaron shumën 8 milionë lekë, ndërsa pala tjetër thotë se i detyrohet atij subjekti 16 milionë. Këtu problemi nuk është më vetëm kontabël, por ka diçka që fshihet… Kjo, nëse i referohemi raportit vijues financiar në vitin pasardhës. Për vitin 2018, ‘M TECH’ flet për 40 milionë lekë të paarkëtuara nga ABS, ndërsa kjo e fundit flet për 46,6 milionë lekë. Pra, një diferencë prej rreth 6,6 milionë lekësh ose 70 mijë euro.

Pyetja që ngrihet natyrshëm është pse këto kompani partnere kanë deklarime të ndryshme rreth transaksioneve mes tyre dhe çfarë synohet të fshihet…?

“Gjëja e parë që mund të të shkojë ndërmend është që mund të jetë një gabim, dyshimi i dytë është që mund të ketë një tentativë për evazion fiskal.

Pika e tretë është mënyra se si janë qarkulluar paratë që janë gjeneruar nga tenderat e AKSHI-t, ku një kompani merr tenderin dhe pastaj e transferon te kompani të tjera për të shkuar tek personi i cili ka organizuar skemën”, u shpreh gazetari Emirjon Senja.

“Në skemat klasike të pastrimit të parave, kompanitë zakonisht përdorin formën 80 me 20, ku rreth 80% e volumit të transaksioneve janë vërtet transaksione të përditshme normale të biznesit. “Djalli” fshihet te ai 20%, ai 20% i cili ka edhe vlerën më të madhe të parasë dhe në numër është i kufizuar transaksionesh dhe, duke qenë se ka volum të madh transaksionesh ky 80%, atëherë ky 20% fillon dhe mbulohet dhe është shumë e vështirë për t’u zbuluar, ku në fakt ai është problemi i vërtetë”, u shpreh Ergis Sefa, ekspert ekonomie.

Një tjetër detaj interesant është fakti se kompania ‘M TECH’, në 3 vite që ka operuar, e ka normën e fitimit tepër të lartë, përkatësisht 24, 71 dhe 68%. Një tjetër tregues që përforcon dyshimet se ky subjekt nuk ka kryer punë reale.

“Gjëja që të bën më shumë përshtypje është volumi për kohën, pra një volum i madh jo vetëm në sasinë e parave, por edhe në numrin e transaksioneve, por edhe koha në të cilën janë bërë, sepse duhet ta themi, duhet ta pranojmë që nuk kemi të bëjmë me kompani që kanë shpikur një produkt inovativ apo një shërbim që ishte shumë i veçantë për Shqipërinë. Shërbim IT në Shqipëri ka pasur dhe ka me shumicë, por për një kohë kaq të shkurtër të kesh këtë numër kaq të lartë transaksionesh dhe këtë volum parash, kjo është ajo gjëja që ngre një flamur të kuq në drejtim të pastrimit të parave”, u shpreh Ergis Sefa, ekspert ekonomie.

Por, cilat ishin sekretet e shkëlqimit të këtij subjekti? Administratorja e subjektit ‘M TECH’ njihet si një prej njerëzve të afërt të Daniel Shimës, ish-zëvendësdrejtorit të AKSHI-t. Pra, njeriut që ka lëvizur në prapaskenë fijet. Personi që, siç zbuluam në investigimin e mëhershëm, zotëron prona në vlerë miliona euro përmes prestanomeve.

Këtu zbulohet dhe merr kuptim raporti i afërt mes Daniel Shimës dhe Gerond Meçes. I pari i vënë nën hetim pas investigimit të Inside Story, ndërsa i dyti është rikthyer si aktori kryesor i tenderave në fushën e IT-së.

“Një logjikë ekonomike, nga ajo që dimë nga rasti, nuk është se ka të mirëfilltë. Logjika ekonomike të çon që të kesh të bësh me produkte apo shërbime tepër të veçanta, për të cilat tregu ka nevojë, në mënyrë që të justifikosh një fluks kaq të madh parash apo numër transaksionesh. Pra, nëse ti nxjerr një produkt apo një shërbim që është inovativ, vërtet i veçantë, nëse ofron një produkt apo shërbim që është pothuajse i ngjashëm, mos të themi në të njëjtin nivel mesatar me shumë ofrues të tregut, nuk ka asnjë logjikë ekonomike që mund ta justifikojë pikërisht këtë lloj dhënieje shërbimi në këtë mënyrë”, u shpreh Ergis Sefa, ekspert ekonomie.

Pas qarkullimit të rreth 900 mijë eurove, kompania ‘M TECH’ e mbylli aktivitetin. Tërheqja e subjektit ndodh në një moment kur ai që dyshohet se ishte shefi i vërtetë i saj, Daniel Shima, hedh të tjerë hapa. Në vitin 2019, Shima nis një fushatë të gjerë investimesh në blerje trojesh për ndërtime përmes kompanive “Premium Glass” dhe “Alu Glass”. Në subjektin ‘Premium Glass’ rezultonte aksionere edhe nëna e tij me profesion rrobaqepëse.

Sipas informacioneve, pikërisht nën emrin e nënës së tij, Merita Shima, ish-pronare e “Premium Glass”, po ndërtohet në Farkë, në truallin në pronësi të saj, një tjetër godinë banimi.

Raporti mes Gerond Meçes dhe Daniel Shimës bëhet edhe më evident nëse i referohemi raporteve financiare mes subjekteve ABS dhe “Alu Glass”.

Më 4 maj 2022, kompania e xhamave “Alu Glass” faturon me plot 15,3 milionë lekë ose rreth 160 mijë euro kompaninë e Meçes. Nuk dihet se çfarë shërbimi mund t’i ketë ofruar ky subjekt, që tregton fasada xhamash, një kompanie që operon në fushën e IT-së…

“Në qoftë se ne shikojmë që janë të njëjtat firma që shpallen fituese, janë të njëjtat firma që ankimojnë prokurime karshi firmave të tjera, kjo nënkupton një qëllim zvarritjeje që të mos shkojë prokurimi jashtë këtyre 2, 3 apo 4 firmave, të cilat e kanë kthyer në një rutinë të zakonshme. Po të hapim faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike, do të shohim sot që një firmë në fushën e IT-së ka lidhur një kontratë 2 ose 3 milionë euro. Pas një jave shikojmë të njëjtën firmë që ka ankimuar një fituese tjetër, pas një jave tjetër shohim firmën që është ankimuar që shpallet fituese e një prokurimi të ngjashëm. Pra, ky kthehet në një rreth vicioz që të mos e lësh prokurimin të shkojë jashtë firmës së destinuar dhe në këtë moment, nëse e njëjta firmë herë shpallet fituese, herë shpallet ankimuese, herë shpallet tërheqëse, kjo nënkupton që aty diçka ka”, u shpreh avokati Ermal Hamataj.

“Pikërisht kjo është një nga ato problemet që ngrejnë pikëpyetje të mëdha. Zakonisht, veçanërisht për shërbime të specializuara siç është IT-ja, ti duhet të kesh edhe stafin e kualifikuar, por edhe numrin e duhur. Por kur ti ke jo vetëm numër të reduktuar stafi, por edhe kualifikimet nuk përkojnë me shërbimet teknologjike që ti jep, atëherë kjo bën të mendosh, të ngresh një dyshim të arsyeshëm që kemi të bëjmë thjesht me një dhënie fiktive shërbimi sesa me dhënien e një produkti sipas rregullave të tregut”, u shpreh Ergis Sefa, ekspert ekonomie.

Raporti mes ABS dhe ‘Alu Glass’, që kontrollohet nga Sokol Parllaku, njeriu i Daniel Shimës, bëhet më evident nëse hulumtojmë përtej kufijve. Inside Story ka mësuar se kompania e lidhur me Shimën po ndërton dy kulla në Prishtinë në bashkëpunim me kompaninë ‘ABS Kosova’ të Gerond Meçes dhe subjektin tjetër AESS, të kontrolluar nga shtetasja shqiptare me pasaportë gjermane Migena Shrëder.

Këtu merr kuptim edhe roli i zonjës në fjalë në lojën e tenderave në AKSHI, e cila ka dhënë dëshmi në SPAK duke goditur grupin rival të Gerond Meçes.

Nëse analizon kompaninë ‘AESS’ të Migena Shrëder, rezulton se në periudhën 2018-2023 subjekti ka ndërruar plot 9 herë pronësinë mes saj dhe babait. Në të gjitha rastet, kalimet bëheshin përmes dhurimit. Lëvizjet përkojnë pikërisht me kohën kur subjekti në fjalë shfaqet në tenderat e AKSHI-t në grupin e influencës të lidhur me Gerond Meçen dhe Daniel Shimën. Dy emra që, siç zbuluam më sipër, kanë qenë bashkë në lojë.

“Në rast se ne shikojmë një person juridik i cili është krijuar para një muaji dhe futet në Agjencinë e Prokurimeve dhe fiton një kontratë me miliona euro, dyshimi lind: si ka mundësi që kjo firmë, me një person ndoshta të panjohur në administrimin e saj, pa pasuri aktuale dhe pa pasur kontrata të ngjashme, fillon dhe merr një punë kaq të madhe dy muaj pas krijimit të saj. Në 50% të mundësive, administratori që figuron në këtë shoqëri nuk është përfituesi real i atyre të ardhurave”, u shpreh Ermal Hamataj, avokat.

“Në rastin e AKSHI-t duhet parë nëse kemi të bëjmë me persona të cilët vërtet janë pronarë apo janë prestanome, por barrën e provës mbi të gjitha e ka prokuroria, nuk e kanë këta persona të cilët supozohet që kanë vetëm emrin aty dhe pronarët janë realë”, u shpreh avokati./InsideStory

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.