E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zgjedhjet rrezikojnë të trukohen, opozita pa plan për mbrojtjen e votave
Publik News

Zgjedhjet rrezikojnë të trukohen, opozita pa plan për mbrojtjen e votave

Nuk kishte ndodhur kur rë, por ja që me Edi Ramën çdo gjë është e mundur… Dje, Kuvendi i Shqipërisë, i komanduar prej tij (njëfarë zotësie kjo), dëshmoi se është në lartësinë e turpit ku e kemi projektuar gjatë kësaj kohe. Ashtu kokulur me stomakun në krye dhe kryet në të pasme aradhja e “etërve të kombit” iu bindën një burri që miratoi një Kod Zgjedhor, duke… shkelur çdo kod politik, etik e njerëzor.

Mjerë ky vend për të tillë persona kaq të nëpërkëmbur, të shantazhueshem, pa dinjitet, krenari e logjikë, me fytyrën shollë, me barkun shpellë, bijë të një pragmatizmi që vret babën për dy kacidhe ngritën kartonin e ulën sytë për të prishur rregullat e lojës. Për sa kohë ne shqiptarët nuk zgjidhim dot pse “uni” i një individi përgjatë historisë deri në aktualitet na merr çdo pushtet dhe çdo mundësi për t’i rezistuar në parti, në Parlament, në shtet dhe shoqëri, duke emëruar e shkarkuar, duke joshur e kërcënuar, shpërndarë e mbledhur, zor se e kemi ndershmërisht qëllim në vetvete një demokraci me standarde.

Një Reformë Zgjedhore me konsensus patën kërkuar në Bruksel, një të tillë Bundestagu gjerman duke e thënë shqeto se hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit varen edhe prej saj. Po ashtu, Mike Pompeo e ngjatjetoi sapo u gatua i ngrohtë si simite. Edi Ramës, integrimi në vetvete nuk i thotë asgjë para pushtetit se ai vetë i integruar është.

Europa dhe ambasadorët e saj këtë s’e kanë kuptuar, ose nuk duan ta kuptojnë. Në emër të pushtetit me çdo kusht e çmim, ai po udhëheq agresionin më të madh në historinë e pluralizmit, atë të hileve kundër rregullave.

Ndaj, në këtë pikë, atij nuk i bëjnë dot shumë presion. Procesi i integrimit në Bashkimin Europian do duhej të ishte ëndrra e një shoqërie si e jona, por ajo e lidhur për bukën e gojës me gjasë ka humbur aftësinë që të ëndërrojë. Ambasadorët, të cilët ishin kumbarët e marrëveshjes së “5 qershorit”, shfaqën dy cilësi para opinionit publik. Mungesë kredibiliteti diplomatik dhe karakteri njerëzor.

Ata e prenë në besë dhe lanë në baltë opozitën, por jo vetëm atë. Këtë s’e thotë një antiamerikan, as anti- europian, paçka se i mirëpret këto akuza nga pasardhësit e adhuruesve të regjimeve komuniste jugosllave, ruse apo kineze, të atyre që thërrisnin miq kosovarët e vëllezër kinezët.

Deklaratat e ambasadorëve pas miratimit të Kodit Zgjedhor dhe ndryshimeve kushtetuese që ndalojnë koalicionet parazgjedhore ishin si ato të vitit 1938 kur Gjermania naziste copëtonte Çekosllovakinë, duke i shkëputur krahinën e sudetëve, duke barazuar agresorin me viktimën, Hitlerin me Presidentin Benesh.

Ata flasin për mirëbesim, mirëkuptim apo për dy palë. Shaka e hidhur kjo kur këtu ka vetëm një palë që vetë shkruan e vetë vulos. Sot konfirmohet për të disatën herë që ndërkombëtarëve u intereson më shumë stabiliteti sesa demokracia.

Por a kanë garanci që kështu e ruajnë stabilitetin, duke lënë një individ të përdhunojë demokracinë, duke i njohur sinorët e çifligut një sundimtari?! Zor ta thuash! Zor ta thuash sepse ky skenar po përvijohet që të godasë brinjë me brinjë procesin zgjedhor, e thënë me troç, për të trukuar rezultatin e zgjedhjeve dhe frymën e vitit elektoral.

Kur këtë e bën haptas, a duhet të imagjinojmë se çfarë është i zoti të bëjë fshehurazi me një shtet në shërbim të tij nga i pari tek i fundit, me shumë para narkotrafiku e tenderësh publikë në dispozicion? Sot kemi dy qëndrime përballë këtij skenari më shumë real sesa hipotetik!

Atë të Presidentit të Republikës që ndodhinë e ka konsideruar “grusht shteti”, duke premtuar se do të përballet me të shesh më shesh, duke i prirë rezistencës qytetare dhe atë të opozitës, e cila beson se “asgjë nuk e shpëton më Edi Ramën” dhe vazhdon komunikimin me qytetarët në shpjegim të programit, ndonëse ajo (opozita) ende s’ka paraqitur një plan si do ta mbrojë votën.

E vërteta rri në mes dhe bash në atë pikë si borxh ndaj shoqërisë, e cila, për aq sa nuk është militante, duhet të unifikohet në qëndrim si dhe opozita e Presidenti tani edhe de jure në një front! Nëse kjo nuk ndodh, do gjendemi më 26 prill duke thënë “uaaaa, e bëri edhe këtë ë… sa i poshtër, pu, pu, pu? Përgjimet mund t’i botojë përsëri Bild”. 25 Prilli duhet mbrojtur që sot!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.