Zgjidhet pasardhësi i Zoran Zaevit
Dimitar Kovaçevski, është zgjedhur kryetar i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë së Veriut.
Ai në këtë post do të zëvendësoj kryetarin e deritanishëm, Zoran Zaev, i cili paraqiti dorëheqjen pas disfatës së thellë të LSDM-së në zgjedhjet lokale, më 31 tetor.
Zgjedhja e Dimitar Kovaçevskit, sipas REL, mban postin e zëvendësministrit të Financave, u bë në kongresin e jashtëzakonshëm të socialdemokratëve, në një garë ku kishte edhe dy kandidat të tjerë, Frosina Remenski dhe Jovan Despotovski.
Kryetari i ri i LSDM-së, Kovaçevski, pritet të jetë edhe kryeministër i ardhshëm pasi, Zoran Zaev, dorëheqjen ka paraqitur edhe nga drejtimi i ekzekutivit, por ende nuk ka kaluar në Kuvend pasi organet drejtuese të LSDM-së, kërkuan shtyrjen e dorëheqjes deri në zgjedhjen e kryetarit të ri dhe sigurimin e shumicës në Kuvend.
“Qytetarët duhet ta rikthejnë besimin tek institucionet dhe e ardhmja e vendit dhe për këtë Qeveria duhet t’i përmbushë pritjet e tyre për efikasitet më të madh në qeverisje dhe përmbushje të premtimeve. Çelësi për këtë është te vendosja e njerëzve të duhur në pozitat e duhura, si dhe krijimi i një sistemi në të cilin secili do të jetë përgjegjës për detyrat e veta. Duhet përqendrim më i madh në nevojat reale të qytetarëve, në ato probleme që rëndojnë mbi njerëzit. Nevojitet gjithashtu një qeverisje e përgjegjshme dhe një luftë e qartë kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Kovaçevski.
Zaev me anë në një postimi në rrjetet sociale e uroi pasardhësin e tij për drejtimin e partisë, duke iu kujtuar njëherësh edhe sfidat që e presin.
“Anëtarët e # LSDM-së zgjodhën sot kryetarin e ri të partisë, në zgjedhjet demokratike brendapartiake. Dimitar Kovaçevskit e përgëzoj dhe i uroj suksese. Urime të gjithë anëtarëve të LSDM-së që votuan në zgjedhjet brendapartiake dhe me këtë treguan vetëdije dhe sjellje të lartë demokratike. LSDM – Bashkimi Social Demokrat i Maqedonisë sot votoi denjësisht dhe evropiane për një të ardhme të qëndrueshme maqedonase. Pres angazhim, përgjegjësi, qasje të hapur dhe veprim politik progresiv, në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe në interes të familjes socialdemokrate. Rroftë LSDM”, shkruan Zaev.
LSDM-ja, që drejton qeverinë e Maqedonisë së Veriut humbi shumicën pas largimit të lëvizjes Besa nga qeveria.
Pjesë e qeverisë tani do të jetë partia Alternativa, e cila në zgjedhjet lokale ishte në koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët, por edhe nënshkruese e nismës për mocionin e mosbesimit të qeverisë, që ishte iniciuar nga VMRO DPMNE, më 11 nëntor.
Të dielën e 12 dhjetorit, kongres të partisë ka mbajtur edhe VMRO DPMNE-ja, në të cilin është konfirmuar kryetari aktual, Hristijan Mickoski edhe për një mandat të ri.
Mickoski ka përsëritur kërkesën për zgjedhje të parakohshme, të cilat sipas tij, janë zgjidhje e vetme për dalje nga kriza politike.
“Suksesi ynë në zgjedhjet lokale tregon se në vendi ka nevojë për ndryshime edhe në pushtetin qendror. Ndryshimet janë të pashmangshme. Populli ka pritshmëri dhe shpresë nga ne dhe ne duhet të bëjmë ndryshime. Jam i gatshëm të bisedoj me çdo politikan të ndershëm për një proces i ri në vend”, tha Mickoski pas rizgjedhjes në krye të partisë.
Por, Lidhja Social Demokrate është kundër zgjedhjeve të parakohshme, pasi sipas saj, “shumica parlamentare është stabile”.
Kundër zgjedhjeve është deklaruar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë. Zgjedhjet e fundit të rregullta në Maqedoninë e Veriu janë mbajtur në korrik të vitit 2020.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



