Zoti nuk i rreh gratë
– Çfarë ke grua?
– Dua të vdes.
– Pse do të vdesësh?!
– Se të vdekurit nuk i rrahin. Nuk do të më rrahin më. Nuk do të më dhembë trupi nga druri dhe nuk do të më nxihet lëkura nga shenjat e drurit. E kupton?! Nëse një grua ëndërron të bukurën, unë kam ëndërruar gjithmonë veç të mos më rrahin. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë një ditë pa dru. Një ditë ku dikush mos të ngrinte dorën dhe të më godiste. Kurrë nuk e jetova një ditë të tillë. Druri ishte vakt për mua. Kur të tjerët hanin mëngjes, unë haja dru. Kur të tjerët hanin drekë, unë haja dru. Kur të tjerët hanin darkë, unë haja dru.
– Kush të rrihte grua?
– Burri dhe vjehrra më rrihnin dhe më poshtëronin. Kurrë nuk u ndieva gruaja e tim shoqi dhe nusja e sime vjehrre.
– Pse nuk i denoncon grua?
– I denoncova. Policia lëshoi një urdhër mbrojtjeje për mua dhe dje shkova të flija te motra ime.
– Erdhi burri dhe më mori me forcë nga atje dhe më çoi në shtëpi. Më rrahu prapë.
Ka mijëra gra si unë, historia e të cilave është brenda dosjeve të komisariateve.
” Do ta shohim rastin tuaj” – thotë polici dhe historia,mbyllet këtu.
– Ku po shkon grua?!
– Do të ngjitem në katin e tretë dhe do të hidhem. Do të shkoj pranë Zotit. Zoti nuk i rreh gratë dhe e di që Zoti do të më qortojë për këtë që po bëj, por do t’i them veç një gjë- Zot, unë doja veç një ditë pa dru.
Shënim- Një grua 52 vjeç i dha fund jetës pasi kish denoncuar dhunën nga i shoqi dhe vjehrra. Policia kishte qenë 24 orë më parë në banesën e saj.
Elona Caslli
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



