E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
35 gjyqtarët që do i nënshtrohen të parët vetingut
Uncategorized

35 gjyqtarët që do i nënshtrohen të parët vetingut

Zbardhet lista e 35 gjyqtarëve që do i nënshtrohen të parët vetingut, nga emrat që mbyllën 21 janarin dhe i dhanë fitoren Bashës në 2011, te të kallëzuarit për fshehje pasurie

Zbardhet lista e gjyqtarëve që do i nënshtrohen të parët procesit të vetingut. Një ditë më parë gazeta deklaroi se KLD kishte hartuar një listë me 35 emrat e parë që do të kalojnë në sitën e Komisionit të Kualifikimit, ndërsa tani gazeta ka siguruar listën e plotë të tyre. Bëhet fjalë për një listë me emra mjaft të njohur për publikun, disa të akuzuar, e disa të tjerë kanë qenë pjesë e një sërë dosjeve mjaft të rëndësishme. Sipas burimeve të gazetës, lista është hartuar nga Komisioni i Kualifikimit, në bashkëpunim me institucionet e tjera, KLD, ILDKP, DSIK, si dhe ONM. Emrat në fjalë do i nënshtrohen fillimisht kontrollit të aftësive profesionale, pasurisë dhe më pas pastërtisë së figurës. KLD listën në fjalë e miratoi në mbledhjen e datës 16 tetor, ndërsa të martën dhe të mërkurën u përzgjodhën dhe dosjet që do të shqyrtohen sa i takon aspektit profesional. Komisioni do të kontrollojë 5 çështje që ka shqyrtuar secili emër dhe nëse ka abuzime, atëherë vetingu nuk quhet i kaluar.

Emrat që do kalojnë në sitë

Burime nga KLD dhe Komisioni i Kualifikimit thanë për gazetën se lista është hartuar në bazë të ligjit, duke përzgjedhur emrat më prioritar. Të parët janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, më pas anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe më pas janë emrat që kanë kandiduar për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe ata që janë pjesë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Nëse analizojmë të shkuarën e emrave në fjalë, disa janë të njohur sepse kanë shqyrtuar dosje të rëndësishme. 4 ndër emrat janë ata që kanë pasur në dorë rastin e 21 Janarit. I pari është Artan Broci, aktualisht gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Por kur ndodhi ngjarja e 21 Janarit, ai ishte në Gjykatën e Apelit dhe u mor vendimi për dënimin e disa praj anëtarëve të Gardës, por dënime minimale. Ndërkohë prokuroria e dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë dhe ata që vulosën mbylljen e saj ishin Edmond Islamaj, Shkëlzen Selimi dhe Artan Zeneli. Pas zvarritjes për muaj e muaj me radhë, duke e mbajtur dosjen në dhomë këshillimi, në fund u rrëzua ankimi i Prokurorisë së Përgjithshme dhe të gjithë autorët e vrasjes së 4 protestuesve ia hodhën paq. Mbetet të shihet se çfarë dosje është përzgjedhur për t’u shqyrtuar dhe nëse është ajo e 21 janarit, pritet të ketë zhvillime të shumta.

Gjyqtari që i dha fitoren Bashës

Një tjetër emër është Tom Ndreca. Ai është anëtar i Gjykatës së Lartë aktualisht, por në vitin 2011 ka qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor, i cili bëri Lulzim Bashën kryetar Bashkie. Në atë kohë pati një debat të ashpër pasi Arben Ristani, kryetar i KQZ në atë kohë vendosi që 10 votat që ishin hedhur gabim në kuti të kalonin në favor të Bashës. Çështja shkoi në Kolegjin Zgjedhor dhe aty vendimi i KQZ u cilësua i drejtë. Pjesë e këtij kolegji ishte Tom Ndreca. Por ky gjyqtar është pjesë dhe e trupës që mbyllën rastin e 21 Janarit.

Të akuzuarit nga ILDKP

Në listë është futur dhe një emër mjaft i njohur, siç është Gjin Gjoni, ai aktualisht është anëtar i KLD, gjyqtar në Gjykatën e Apelit dhe anëtar i Kolegjit të Zgjedhjeve. Ai është një emër mjaft i njohur, pasi ILDKP e ka kallëzuar penalisht për fshehje pasurie. Ndaj tij nisi një hetim nga prokuroria, por në fund dosja u mbyll pasi nuk u gjetën elemente të veprës penale. Pra reforma do të nisë me krerët e institucioneve të drejtësisë dhe shumë shpejt do të dalin në dritë pasuritë e tyre dhe nëse kanë qenë korrektë me vendimet që kanë marrë. Në listë janë dhe dy gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe 1 e Kushtetueses që e kanë dorëzuar mandatin, por ata gjithsesi do i nënshtrohen vetingut.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.