E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
4 mln eurot e Kanye West, Malaj ‘gozhdon Ramën: Fama nuk blihet
Lajme

4 mln eurot e Kanye West, Malaj ‘gozhdon Ramën: Fama nuk blihet

“Shqipëria mori famë më shumë nga flamingot se nga një këngëtar urrejtjenxitës dhe bipolar”

Ish-ministri i Financave dhe ekonomisti Arben Malaj ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për të financuar me 4 milionë euro koncertin e reperit amerikan Kanye West në Tiranë, duke vënë në pikëpyetje prioritetet e ekzekutivit dhe duke kritikuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama.

Në një qëndrim publik, Malaj kundërshton idenë se një event i tillë mund të shërbejë si mjet efektiv për promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Sipas tij, në epokën e inteligjencës artificiale dhe komunikimit global, fama nuk blihet me fonde publike, por ndërtohet përmes vlerave reale dhe arritjeve të qëndrueshme.

Ai thekson se vendi përballet me sfida të thella strukturore, të cilat kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe investime prioritare. Mes tyre, Malaj rendit cilësinë e ulët të arsimit, kostot e larta të shëndetësisë që rëndojnë mbi qytetarët, mungesën e furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pijshëm, si dhe vështirësinë në rritje për të rinjtë për të siguruar një banesë.

Ekonomisti ndalet edhe tek problematikat e drejtësisë, duke theksuar vonesat e gjata në shqyrtimin e çështjeve dhe numrin e lartë të dosjeve të pambyllura, çka sipas tij dëmton besimin e qytetarëve tek institucionet. Ai shton se situata ekonomike dhe sociale ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e dëshirës së të rinjve për t’u larguar nga vendi, duke e konsideruar këtë një alarm serioz për të ardhmen.

Në reagimin e tij, Malaj ngre gjithashtu pyetjen pse shteti nuk investon në promovimin e figurave shqiptare me reputacion ndërkombëtar, si Dua Lipa dhe talente të tjera, të cilat sipas tij përfaqësojnë në mënyrë më autentike imazhin e vendit në botë.

Ai kritikon mënyrën e përdorimit të fondeve publike, duke sugjeruar se mbështetja financiare nuk i është dedikuar drejtpërdrejt artistit, por strukturave organizative të eventit. Sipas Malajt, një qasje e tillë ngre dyshime mbi transparencën dhe përgjegjshmërinë në menaxhimin e buxhetit.

Në përfundim, ish-ministri paralajmëron se vendimmarrjet që nuk reflektojnë nevojat reale të qytetarëve dhe që anashkalojnë standardet etike e ligjore, mund të kenë pasoja afatgjata për zhvillimin ekonomik dhe besimin publik në institucionet shtetërore.

Reagimi i Arben Malaj: 

Fama globale??? Nuk jemi ne epokën e gurit.Ndoshta të mbretërve kryeministrorë, po.
Jemi në periudhën e Inteligjencës Artificiale,
ku në milionat e sekondës; dhe
me shume pak lekë
mund të arrish
çdo cep të botës dhe çdo individ të botës globale
për mirë apo për keq.
Ti jeton në “Kopshtin e Edenit” si faraonët e mijëra shekujve më parë.
Ti jeton në kullën e fildishtë të arrogancës dhe të urrejtjes ndaj popullit tënd.
Jemi vendi i fundit në Evropë në testimin PISA.
Pra, të fundit për cilësinë e arsimit.
Jemi të parët për koston e lartë të pagesës nga xhepi të faturave shëndetësore, me rreth 65% të shumës së çmimeve të ilaçeve.
Jemi të fundit për sigurimin e ujit të pijshëm në qytete dhe fshatra.
Jemi të parët në pamundësinë e blerjes së shtëpisë së parë.
Sepse ti ndoqe modelin: Shqipëria sa më e shtrenjtë dhe shqiptarët më të varfër.
Jemi të fundit në garantimin dhe gëzimin e pronës private.
Jemi të parët,
të ndëshkuar nga drejtësia e mohuar
Jemi të fundit jo vetëm në Evropë, ku :
(i) drejtësia vonohet deri
në 21 vite dhe
(ii) stoku dosjeve të pa
shqyrtuara janë rreth
200 mijë.
Para pak ditëve rezultuam të parët ne Evrope ku të rinjtë dëshirojnë të braktisin vendin e tyre.
Përqindja ishte
(i) tronditëse,
(ii) shpirtëtisht
dërmuese
((iii) ekonomikisht
vrastare
për ekzistencën tone në të ardhmen, jo shumê të largêt.
Janë mbi 67% e të rinjve që duan ta braktisin vendin e tyre.
Jemi në shekullin e 21,
në shekullin ku
fama nuk blihet,
po fitohet.
Më shumë “famë” Shqipëria ka marrë nga “flamingot” sesa nga një këngëtar ;
(i) 400 milion $ pasuri
((ii) bipolar,
(iii) urrejtjenxitës dhe
(Iv) kontravers.
Të cilin e braktisën kompanite më të mëdha sponsorizuese si Adidas për nxitjen e antisemitizmit dhe lartësimin e Hitlerit.
Po pse nuk promovohet Shqipëria nëpërmjet Dua Lipës dhe talenteve të tjera me famë botërore nga trojet shqiptare?
Ti nuk financove këngëtarin,
Ti financove organizatorët.
Babëzia jote për pushtet, deri kriminale, nuk ka kufi:
(i) etik,
(ii) moral,
(iii) shoqëror,
(iv) Pergjegjesi buxhetore
(v) papërgjegjshmëri politike
Koha është gjykatësi më i madh!
Kujdes nga mallkimi me shpirt i njerëzve të varfër të vendit tonë!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.