Vrau policin, si mori fonde nga AZHBR Violand Bracellari
Zbulime të reja hedhin hije të forta dyshimi mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike në bujqësi, pas daljes në dritë të detajeve që lidhin Violand Braçellarin me përfitime financiare nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
Braçellari, i identifikuar si autori i vrasjes së efektivit të policisë Enea Mokolli në Maliq, rezulton të ketë qenë në kërkim prej rreth nëntë vitesh dhe i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Megjithatë, sipas burimeve, ai ka përfituar subvencione në sektorin e blegtorisë.
Në dokumentacionin përkatës, përfituesja figuron e ëma e tij, Berdane Braçellari, e cila ka marrë rreth 500 mijë lekë të reja për ndërtimin e stallave të bagëtive. Pikërisht këto ambiente janë ato ku ndodhi përplasja me policinë, ku autori dyshohet se ishte fshehur dhe prej nga hapi zjarr me armë automatike.

Nga sulmi mbeti i vrarë efektivi 36-vjeçar Enea Mokolli, ndërsa u plagos kolegu i tij, Edison Adri. Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes kontrollin mbi fondet shtetërore.
Ende nuk është e qartë nëse përfitimi i subvencioneve është realizuar drejtpërdrejt nga Braçellari apo përmes familjarëve, por indiciet sugjerojnë se ai ka qenë përfitues indirekt i këtyre fondeve, pavarësisht statusit të tij si person në kërkim.
Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi filtrat dhe verifikimet që aplikohen në shpërndarjen e fondeve nga AZHBR, veçanërisht kur bëhet fjalë për individë me precedentë penalë. Fakti që një person për të cilin ishin angazhuar edhe struktura të specializuara si RENEA ka mundur të përfitojë mbështetje financiare, shton dyshimet për mangësi të theksuara në sistem.
Autoritetet pritet të thellojnë hetimet, jo vetëm për ngjarjen kriminale në Maliq, por edhe për procedurat që kanë mundësuar dhënien e fondeve publike në këtë rast.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



