E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tabaku: Qeveria e dha me koncesion, nis prishja e Teatrit Kombëtar
Sot

Tabaku: Qeveria e dha me koncesion, nis prishja e Teatrit Kombëtar

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku përmes një statusi në Facebook denoncon atë që e quan projekti i prishjes së Teatrit Kombëtar.

Ajo publikon një draft ligjor të kaluar siç thotë nga qeveria “jashtë çdo standardi ligjor dhe kushtetues”, në bazë të së cilit i jepet me koncesion kompanisë private prishja e teatrit dhe ndërtimi i kullave.

“Një procedurë e ngjashme u ndoq edhe për aeroportin e Vlorës ku dy super ministrat e pazarit qeveritar Ahmetaj dhe Gjiknuri morën përsipër negocimin e kontratës me palën turke duke lënë qytetarët dhe parlamentin në errësirë”,- thotë Tabaku.

 

STATUSI I PLOTE
Fillon procedura antikushtetuese e prishjes se Teatrit Kombetar!

Ndonëse të zhytur në skandalin e ministrit Xhafaj dhe atë të ish ministrit Tahiri, qeveria Rama nuk rresht së grabituri pasuritë publike për interesin e një klientele të vogël. Pak ditë më parë një qeveri e etur dhe uritur për abuzime ka propozuar një draft ligjor për të kaluar jashtë çdo standardi ligjor dhe kushtetues, projektin për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Pasi dështuan që ta realizonin planin e prishjes së Teatrit Kombëtar me metodat e shëmtuara, qeveria ka vendosur që të prodhojë një ligj për t’i dhënë me koncesion kompanisë private prishjen e teatrit dhe ndërtimin e kullave. Një procedurë e ngjashme u ndoq edhe për aeroportin e Vlorës ku dy super ministrat e pazarit qeveritar Ahmetaj dhe Gjiknuri morën përsipër negocimin e kontratës me palën turke duke lënë qytetarët dhe parlamentin në errësirë.

Po kështu edhe sot qeveria propozimin e pa kërkuar të kompanisë Fusha (e cila edhe nënkontraktoi studion daneze BIG për projektin e teatrit) po e shndërron në ligj me synimin që të anashkalojë edhe nesër një revokim të kontratës apo përgjegjësitë penale. Pse nuk zbatohet ligji i prokurimit publik? Pse nuk zbatohet ligji i koncesioneve? Pse nuk bëhet një tender ndërkombëtar? Si mundet te grabitet toka publike dhe private dhe ti jepet me koncesion një kompanie private?
Kështu Tiranës dhe vendit i zhduket një pasuri kombëtare ndërkohë që qeveria majmet përmes koncesioneve që pasurojnë vetëm një grusht njerëzish.

Ky projektligj është tërësisht antikushtetues pasi ligji për koncesionet/prokurimet konsiderohet si ligji kryesor në fushat përkatëse. Kjo do të thotë që ai qëndron mbi çdo ligj tjetër në fushën e koncesioneve apo prokurimeve. Më konkretisht, ligji i koncesioneve dhe prokurimeve është tejet i qartë në formë shteruese për rastet përjashtimore kur ai nuk zbatohet dhe rasti në fjalë nuk është i parashikuar në asnjë nga rastet në fjalë.
Por e keqja nuk mbyllet me kaq. Sipas logjikës që po përdor këto ditë qeveria për çdo koncesion po shkruan një ligj të veçantë duke anashkaluar detyrimet që rrjedhin nga ligji i posaçëm sikundër edhe nga parimi i mirëmanaxhimit të fondeve publike, konkurrenca dhe barazia në tendera.

FMN, BE dhe të gjithë aktorët e brendshëm edhe të jashtëm kanë kritikuar qeverinë për koncesionet e shumta që kanë rënduar buxhetin e shtetit. Por kryeministri dhe super ministrat e pazareve kanë vendosur që abuzimet e tyre t’i mbulojnë përmes ligjeve që miratojnë në një parlament të kthyer në noter. Me një mazhorancë që ka humbur kontaktin me qytetarët dhe që mendon si e si të pasurojë veten në kurriz të pronës së përbashkët dhe asaj private.

E në fund te ditës ku të ankohesh për një ligj antikushtetues? A kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale? Apo nuk na duhet?!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.