Blend Fevziu, Baton Haxhiu, koherenca dhe Berat Buzhala
Ajo çfarë ndodhi mbrëmë në “Opinion”-in e Blend Fevziut nuk mund të kalojë në heshtje. Të paktën unë nuk mundem. Më e pakta që mund të bëj është të shkruaj këtë tekst.
Me sa duket ato që kam shkruar më herët për Blend Fevziun nuk mjaftojnë. Sepse çudia me këtë lloj gazetari nuk po mbaron kurrë. Është gati e pabesueshme se si këtij njeriu e keqja i buron gjithandej. Në çdo detaj dhe gjest të qenies së tij ajo rrjedh lirshëm. Sidomos në çastin kur merr atë pamjen naive të qëndrimit asnjanës. Qasja e tij ndaj problemeve ekzistenciale të shqiptarëve është ç’merituese, uluritëse. Blend Fevziu mendon se është gjë e zgjuar. Në fakt Blendi është thjesht një njeri i vogël, delirant, nihilist dhe cinik. Sepse Blendi nuk e vret mendjen dhe nuk lodhet se çfarë impakti të rëndë për shoqërinë shqiptare shkaktojnë ato që thuhen çdo natë në “Opinion”-in e tij.
Blend Fevziu merret me tema të rënda, mashtrime të mëdha, çështje të jashtëzakonshme, aq të jashtëzakonshme sa ç’është Ministri i Jashtëm i Shqipërisë dhe ndarja e Kosovës. Pasi e merr temën e madhe sa malet e Shqipërisë dhe Kosovës bashkë, ai fillon ta trajtojë atë pa pikën e seriozitetit, pa grimën e respektit, duke e deformuar, duke e latuar, duke e përpunuar ashtu siç ia do qejfi dhe interesi, duke e paraqitur atë ashtu siç nuk është. Këtë e bën me anë të atyre qenieve po aq të çuditshme që i fton në studio, siç është Baton Haxhiu dhe Mustafa Nano. Aty ishte edhe Preç Zogaj, të cilin mbrëmë nuk e njoha. Nejse!
Blendi mendon thjesht, aq thjesht, sa duket se nuk mendon hiç. Përshembull, Blendi mendon se ai djali; Gent Cakaj, që Edi Rama e ka piketuar për Ministër të Jashtëm është shumë i zoti, shumë i lexuar, një gjeni i rënë nga qielli mu në mes të politikës shqiptare. Këtë e konfirmon si diçka e njohur, e gjithëpranuar, madje ajo nuk mund të vihet në dyshim perderisa këtë e thotë ai. Mjafton kjo cilësi që Gent Cakaj të jetë Ministër i Jashtëm. Për Blendin nuk ka asnjë rëndësi fakti se Gent Cakaj është një kalama që ka lexuar shumë libra, por nuk ka asnjë përvojë politike dhe diplomatike.
Të ftuarit e Blendit janë të shumtët e zakonshëm dhe të përhershëm; ata që flasin për gjithçka me një papërgjegjshmëri të pashoqe. Çfarë e lidhë Muç Nanon me Kosovën? Apo analisti ngjyrë portokalli duhej në studion e “Opinion” që t’i turrej Berat Buzhalës si i çakardisur? A e dëgjuat korifeun e “mendimit politik dhe estetik” shqiptar? Çfarë shëmtie madhështore!
Ka diçka që duhet thënë ashtu siç është, pa mëdyshje. Kosova ka qenë dhe mbetet lakmuesi perfekt ku ndahen dy botë, ku ndahet e mira me të keqen, përfundimisht. Sepse qëndrimi ndaj Kosovës është qëndrimi ndaj Atdheut. Unë besoj se për shqiptarët Kosova është më shumë se gjithçka; domethënë është më shumë se Jeruzalemi, është më shumë se Berlini, Brukseli, Londra, Parisi, New Yorku dhe Washingtoni të marra së bashku dhe veç e veç.
Kosova është arsyeja pse ekzistojmë, pse marrim frymë, pse flasim shqip. Gjithçka në botën shqiptare është Kosovë. Kush nuk e di, le ta mësojë përfundimisht se Kosova është Preambula e Atdheut.
Pesha e rëndë e Kosovës i ka ndarë punët, gjithashtu edhe njerëzit. Shumica që Kosovën e duan pa kushte, dhe pakica që Kosovën e përdorin për gjithçka, edhe si plaçkë tregu. Ndër përdoruesit e Kosovës janë Presidenti Hashim Thaçi, gaztori Baton Haxhiu, kllouni Edi Rama. Aleanca e legenave vertetë funksionon këndej e andej kufirit.
Shikojeni se si e kanë gjetë njëri tjetrin; prej njërit cep në tjetrin. Aleksandër Vuçiç gjenë Hashim Thaçin, Thaçi gjenë Baton Haxhiun, Batoni gjenë Edi Ramën, Rama gjenë Gent Cakajn që Batoni e ka nxjerrë prej xhepi, Cakaj flet në Klanin e Batonit, Batoni është mik me Blend Fevziun, Blendi thërret Muç Nanon, Muçi ulet përkrah Batonit, Rama ka gjetë Aleksandër Frangaj; Frangaj ka media të pavarur ku punojnë Mamaqi dhe Arian Çani, Edi Rama del çdo javë në Klan TV. Por nuk mbaron këtu, Aleanca e Legenave është e gjerë dhe komplekse, ajo tejkalon kufinjtë rajonal dhe kontinental. Madje, Aleanca e Legenave shkon përtej Oqeanit.
A po i shihni se si po funksionojnë legenat?!
***
Berat Buzhala
Unë jam lexues dhe vëzhgues i rregullt i politikës dhe medias. Gjithashtu jam kritik i saj, domethënë kritik i lidhjes së ndyrë media-politikë-krim-biznes. Për mua kjo nuk është media, por arma e preferuar e Aleancës së Legenave, që rëndomë e përdorin për interesat e veta, që nuk janë interesat e shumicës së shqiptarve, përfshirë edhe ata të Kosovës.
Berat Buzhala është ndryshe. Një djalë modest, hajgarexhi dhe autoironik brilant, mbase shumë më i lexuar se Gent Cakaj(?!). Me një stil mbresëlënës, therës dhe zhbirilues, Berat Buzhala i ka shokët e rrallë në median shqiptare.
Berati u është imponuar të gjithëve, papërjashtim.
Unë nuk e njoh Beratin, domethënë, nuk e njoh realisht, sepse në rrethanat që unë shkruaj, ne nuk kemi asnjë mundësi që të njihemi. Por e di se ai e di; që ne te dy i kuptojmë disa punë, që nuk duan shumë mend për t’i kuptuar;
Berati e di, ashtu siç e di edhe unë, se nuk ka nevojë për të qenë i ditur dhe enigmatik sa Baton Haxhiu për të kuptuar arsyet e retorikës se Batonit, Muçit, Edit, Hashimit, Aleksandrit. Por Berati ka fatin që Blend Fevziu e fton nganjëherë në studio, ku përballë ka Batonin, Muçin dhe Preçin, të cilët, ky djalë brilant i çakërdisi me tri fjalë!
E kam shkruajt edhe herë tjetër; koherenca është një ndër cilësitë më të vyera të njeriut; sidomos koherenca (e shqiptarve) në raport me Kosovën.
Kosova është bota jonë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



