Argumentet qesharake/ Ja si e mbrojnë Geron Xhafën gjyqtarët Artur Gaxha dhe Flutura Skënderi
Frika nga Vetingu ka detyruar dy gjyqtarë me eksperiencë në Apelin e Tiranës, Artur Gaxha dhe Flutura Skënderi që të japin një vendim me argumenta qesharake, me qëllimin e vetëm për të mbrojtur Geron Xhafën, vëllain e ish-ministrit të Brendshëm dhe njëkohësisht një prej njerëzve që kontrollon strukturat e verifikimit të zyrtarëve të drejtësisë, Fatmir Xhafaj.
Gjyqtarët Gaxha e Skënderi ishin pjesë e treshes gjykuese, të cilët kanë mbështetur, me vendim, qëndrimin se gazetari Jetmir Olldashi duhet të vijojë të jetë nën masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, për shkak se, siç argumenton Gjykata e Apelit “ka cënuar rëndë imazhin e vëllait të ministrit të Brendshëm (në atë kohë), Fatmir Xhafaj”. Ndërkohë, gjyqtari tjetër i treshes është shprehur kundër vendosjes së masës së sigurimit.
Gazetari Olldashi është “person nën hetim” për veprën penale të “kallëzimit të rremë” pas publikimit të audio-regjistrimit, ku shtetasi Albert Veliu komunikon me Agron (Geron) Xhafaj për trafikimin e një sasie narkotikësh në drejtim të Italisë.
Ndaj Olldashit u vendos masa e sigurisë “detyrim për paraqitje” fillimisht nga Gjykata për Krime të Rënda, e cila u konfirmua edhe nga Gjykata e Tiranës, kur Prokuroria për Krime të Rënda vendosi të shpallte moskompetencën për hetimin e veprës penale “kallëzim i rremë”.
Gazetari Olldashi dhe mbrojtja e tij kundërshtuan masën e sigurimit në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, me vendimin e datës 5.12.2018, la në fuqi masën “detyrim për paraqitje pranë oficerit të Policisë Gjyqësore”.
Në vendimin e zbardhur së fundmi, shumica e trupit gjykues, Artur Gaxha dhe Flutura Skënderi, kanë mbajtur qëndrim në disfavor të gazetarit Jetmir Olldashi, duke paraqitur argumenta “fajësie” për të, pavarësisht se ata nuk po gjykonin çështjen në themel, por vetëm ankimin kundër masës së sigurisë.
Më poshtë janë disa nga argumentat e mbështetur nga gjyqtarët Gaxha dhe Skënderi: “…Jetmir Olldashi mbetet si i dyshuar (për veprën penale “kallëzim i rremë”) dhe nga natyra dhe cilësia e provave që gjenden në bazë të këtyre dyshimeve, bëjnë të pakontestueshëm akuzën ndaj tij që i atribuohet…”
Pra, megjithëse edhe gjykata e Apelit e pranon se pozita proceduriale e gazetarit Olldashi është “i dyshuar”, po në të njëjtin paragraf, gjyqtarët Gaxha e Skënderi argumentojnë se “provat….e bëjnë të pakontestueshëm akuzën që atij i atribuohet”. Në këtë mënyrë, këta dy gjyqtarë e kanë dhënë “verdiktin” e tyre edhe për themelin e çështjes, duke argumentuar se akuza ndaj Olldashit është e pakontestueshme, pavarësisht se as Prokuroria nuk ka dalë në këtë konkluzion deri më tani, përsa koh që e ka rastin ende nën hetim.
Vijojmë më tej “argumentat” e Gjykatës së Apelit: “…Personi nën hetim, Jetmir Olldashi, me veprimet e kryera nga ana e tij solli që të bëhet publike biseda e supozuar, e kryer mes shtetasve Albert Veliu dhe Fredi Alizoti, e cila në përmbajtje të saj ka të bëj me përfshirjen e shtetasit Geron Xhafaj (vëllai i ministrit Xhafaj) në trafik narkotikësh…”
Argumenti i mësipërm i Gjykatës së Apelit nuk gjen mbështetje në asnjë prej rrethanave të ngjarjes dhe hetimit të deritanishëm të Prokurorisë. Gjyqtarët Gaxha dhe Skënderi mbështesin idenë e “…bisedës së supozuar mes Veliut dhe Alizotit…për Geron Xhafaj…”. Ndërkohë që, audio-regjistrimi përmban një bisedë mes Albert Veliut dhe Agron (Geron) Xhafaj, sipas deklarimeve të vetë Veliut publikisht dhe para organit të prokurorisë.
“Qershia mbi tortë” e vendimit të Gjykatës së Apelit është vijimi i argumentit të marrë në analizë më sipër: “…Qëllimi i investigimit (gazetaresk) ishte vëllai i ministrit të Brendshëm, për të denigruar figurën e tij…”.

Pra, gjyqtarët Artur Gaxha dhe Flutura Skënderi tregojnë një “debulesë” të madhe për imazhin e vëllait të ministrit të Brendshëm, deri në atë nivel sa të vlerësojnë se dyshimet për përfshirjen e tij në trafik narkotikësh janë një skenar gazetaresk kundër Agron (Geron) Xhafaj, për të goditur edhe imazhin e vëllait të tij, Ministër i Brendshëm në atë kohë, Fatmir Xhafaj.
Edhe në këtë argumentim, Gjykata e Apelit e Tiranës ka arritur në konkluzione përfundimtare themeli, pavarësisht se po shqyrtonte ankim për masë sigurimi. Artur Gaxha dhe Flutura Skënderi mbështetin qëndrimin që audio-regjistrimi nuk lidhet me Agron (Geron) Xhafaj, një qëndrim që, të paktën formalisht, nuk ka dalë as Prokuroria, e cila vijon hetimin si për “kallëzim të rremë” ndaj gazetarit Olldashi e shtetasve Veliu e Alizoti, ashtu edhe, siç shprehet vetë të paktën institucioni i akuzës, për veprën penale të “trafikut të narkotikëve”, ku i dyshuar është Agron (Geron) Xhafaj.
E, për ta përmbyllur me serinë e “argumentave qesharakë” të Gjykatës së Apelit, më poshtë po sjellim qëndrimin e gjyqtarëve Gaxha e Skënderi lidhur me “bashkëpunimin” në kryerjen e veprës penale ndërmjet Jetmir Olldashit e Fredi Alizotit, dy njerëz që as nuk njihen e as nuk kanë komunikuar ndonjëherë me njëri-tjetrin, fakt që pranohet si nga prokuroria, ashtu edhe nga gjykatat që kanë shqyrtuar deri më tani këtë rast.
“…Pavarësisht se në nivelin e provave të paraqitura nuk rezulton ndonjë e dhënë për lidhje të drejtëpërdrejtë midis të hetuarve Jetmir Olldashi e Fredi Alizoti, elementi i bashkëpunimit ekziston sepse provohet lidhja e Olldashit dhe Veliut nga njëra anë dhe të hetuarve Veliu e Alizotit nga ana tjetër….”
Pra, pavarësisht se dyshja e gjyqtarëve Gaxha-Skënderi e pranojnë se nuk gjendet asnjë lidhje mes Olldashit e Alizotit, sërish ata kanë përdorur “rregullin e treshit”, ku, nëse A njeh B dhe B njeh C, atëherë edhe A dhe C njihen me njëri-tjetrin, pavarësisht se as nuk e kanë parë dhe as komunikuar ndodnjëherë mes tyre!!!!!
Gjyqtarët Artur Gaxha dhe Flutura Skënderi nuk janë të nivelit skandaloz, siç prezantohen në vendimin e dhënë në dt. 5.12.2018. Por, ata, qartësisht, kanë vendosur veten në pozita “qesharake” me qëllimin e vetëm për t’i bërë qejfin maxhorancës në pushtet e specifikisht ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, me shpresën që ky i fundit do t’i ndihmojë të kalojnë procesin e Vetingut./ Boldnews
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



