Sot hyn në fuqi Kodi i ri, ja çfarë do të ndryshojë në hetim dhe gjykim!
Gjyqtarët e hetimeve dhe ato të seancave paraprake do të ndjekin dosjet deri në dërgimin e tyre për gjykim
Pak ditë më parë Prokurori i Përgjithshëm bashkoi vartësit e rretheve dhe iu komunikoi nevojën e njohjes me ndryshimet në Kodin Penal. Nga sot, ndryshimet e propozuara për efektin e “Reformës në Drejtësi”, ky Kod do të gjejë përdorim pasi pretendohet që sistemi jonë i drejtësisë do të pësoje jo vetëm një transformim por edhe reformim për shkak se politika zyrtare pretendon se është një nga kushtet e BE-së. Kështu nga dita e sotme, data 1 gusht, do të hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale sa i takon organizimit të punës së Prokurorisë dhe Gjykatës në lidhje me hetimin dhe gjykimin e çështjeve. Sipas këtyre ndryshimeve, të gjitha veprimet hetimore që do të kryhen nga prokuroria duhet të marrin edhe miratimin e gjykatës. Thënë më thjeshtë, vendimet e pushimit të hetimeve, ndryshimit të akuzës, zgjatjes së afateve të hetimit, kontrolleve dhe ekspertizave për shkak të hetimit e deri te dërgimi i dosjes për gjykim, duhet të kenë, patjetër, përveç kërkesës së prokurorit edhe miratimin e gjykatës.
Për këtë arsye, gjykatat duhet të bëjnë një ndarje të trupës së gjyqtarëve që kanë në dispozicion, duke i ndarë në gjyqtarë të hetimeve paraprake, që do të shqyrtojnë kryesisht masat e sigurisë, ndryshimet e masave dhe afatet e hetimit në gjyqtarë të seancave paraprake, që do të shqyrtojnë veprimet hetimore të prokurorit dhe pushimet apo dërgimin e dosjeve për gjykim; dhe gjyqtarë që do të gjykojnë çështjen në themel. Sipas këtyre ndryshimeve, gjyqtarët e hetimeve paraprake dhe ato të seancave paraprake do të ndjekin dosjet deri në dërgimin e tyre për gjykim, apo deri në pushimin e tyre dhe nuk do të marrin pjesë në gjykimin e themelit. Kjo do të kërkojë nga shtatori rritje të numrit të gjyqtarëve, kryesisht atyre të seancave paraprake, pasi sipas një përllogaritjeje, në Gjykatën e Tiranës, një gjyqtar i caktuar për seancat paraprake, nga 12 të tillë, duhet të ndjekë minimalisht 1 mijë dosje hetimore, pasi aktualisht Prokuroria e Tiranës ka mbi 12 mijë dosje në hetim. Si pasojë e këtyre ndryshimeve, roli i drejtuesit të prokurorisë merr më tepër natyrë administrative, pasi gjithçka që lidhet me hetimin i kalon për kompetencë gjykatave.
Priten të ndryshojnë edhe disa nga rregullat e procedimit dhe gjykimit penal. Pika më e rëndësishme e kodit është ngritja e SPAK-ut. Ndërkohë një prej risive të Kodit të Procedurës Penale është ajo e dëshmitarit me identitetit të fshehur që nuk është pritur mirë nga avokatët. Megjithatë juristët janë të paqartë se çfarë do të ndodhë në Gjykatën e Krimeve të Rënda pas 1 gushtit, nëse kjo gjykatë sipas përcaktimeve ligjore do të shpallë mos kompetencën për vepra që i hiqen asaj, sikurse veprat terroriste, vrasja në familje, apo trafikimi, çështje të cilat duhet të kalojnë në gjykatat e zakonshme!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



