Më prishe pushimet Agim Hushi!
Kozeta Kurti
Kam gjysmë ore që nuk po di si t’i drejtohem personazhit Agim Hushi: I dashur Agim, I nderuar zoti Hushi…. Apo si?
I dashur nuk je, sepse s’jemi të afërt, madje nuk njihemi fare, i nderuar jo e jo Agim dhe ti e di me mirë se unë këtë, por nëse ke harruar, po ta kujtoj ty dhe atyre shqiptarëve që i trushpëlave ti me atë deklaratën tënde se do ikësh nga ky vend i fëlliqur. Po të qoftë udha e mbarë o Gim, se si artist nuk do i mungosh askujt, se ke vite që i ke larë duart me artin në këtë vend.
Të gjithë e dimë Gimo që ti aspiroje postin e Drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe meqë s’ta dhanë, se për ta marrë ta harroje me atë platformën tënde amatore që e kishe n’men, se kështu prej vërteti s’ta pamë gjëkundi, u hodhe papritmas kundër Qeverisë, kundër Ministrisë së Kulturës dhe ca tenderave milionësh që po menaxhoheshin prej saj, sipas teje. Çfarë nuk bën vaki, por jam kurioze Gimo, nëse do të të kishin bërë drejtor, a do i gjeje gjëkundi këllqet për t’i thënë këto? Pastaj nga rilindas i pakënaqur dhe i pashpërblyer, zure vend si spektator te çadra e Bashës Gimo. The që nuk ishte inat personal, por unë prapë pyes veten, ku do i gjeje këllqet ti Gimo për me shku’ te çadra nëse do të të kishin bërë drejtor. Pastaj i bëre një përmendore Edi Ramës, që s’ta harroi ditëlindjen dhe të uroi e të bëri dhuratë, edhe pse të kishte parë të çadra. Ti e festove ditëlidjen me: (po të citoj ty ) “Kjo është Shqipëria që duam. S’ja vlen të mbjellim palma dhe të shkulim shpritra njerëzish. Unë po festoj sot me verën e zotit Rama freskimin e qeverisë me ministrat teknikë….” A e di kur e ke thënë këtë Gimo? Në fund të majit të këtij viti! Çfarë ndryshoi mor burr’ vetëm dy muaj më pas që u ktheve tek: (po të citoj sërish) “termat seriozë të realitetit të një atdheu të dështuar që është kapur për fyti dhe po jep shpirt në duart e një kaste kriminale…”
Po ku ishe ti deri para tetë javësh o i madhi Agim Hushi kur thoje se kjo është Shqipëria që duam? Përse e bëre? Për atë shishene verës që të solli kryeministri për ditëlindje? Apo mendove se i kthjellove ujërat e trazuar me pushtetin dhe kur e pe që ishte veç një mendim për ditëlindje, u hodh në sulm?
Po kush je ti o i madhi Agim Hushi që na tregon neve që kemi vendosur të jetojmë këtu, se ky është një vend i ndyrë dhe i pashpresë? Ç’faj të ka vendi o i madh? Fajin e kanë njerëzit, produkte të urrejtjes së njerëzve që veprojnë si ti. Ata që ushqehen kështu, rrihen, pështyhen, masakrohen, vriten rrugëve të këtij vendi. Prej njerëzve që flasin kështu për këtë vend e për këta njerëz, m’u nxi jeta mua o artist dy vjet më parë, kur më akuzuan se kisha vjedh’ rimel e anidjesë në supermarkatë në Itali. M’u desh t’u shpjegoja “talianëve” që nuk kanë faj pse besojnë se çdo zullum e bëjnë shqiptarët, por që s’kanë të drejtë të mendojnë se më të thatin, duhet të digjet edhe i njomi. Po unë vetëm para dyzet e tetë orësh, shkruajta një artikull mbi sterrën e zemrave tona që veç lëndon tjetrin o artist. Nuk e di ku e ke parë e ku e ke mësuar, por unë nuk kam dëgjuar kurrë artist të flasë me gjuhën e urrejtjes si ty, përkundrazi: një prej detyrave të tyre është edhe të frymëzojnë. Dhe frymëzimi vjen prej dashurisë o artist, edhe asaj më të pamundurës e dhimbjes, por gjithësesi prej dashurisë.
Ne e dimë shumë mirë në ç’vend jetojmë, por ti je i fundit për të na e treguar!
Si fodull që je, po pyet veten kush është kjo spurdhjake që më drejtohet mua: mua që kam punuar në Vienë, mua që jam ftuar të drejtoj operan e Singaporit, mua që kam mbaruar dy universitete…mua…mua… mua….
Ta them unë o artist! Jam një si shumë prej qindra njerëzve në këtë vend, që kanë mbaruar me rezultate po aq të mira sa ty, madje edhe më të mira, dy universitete, mastera, edhe jashtë dhe nuk pritëm kurrë asgjë në këmbim. Ka ende njerëz në këtë vend që mendojnë: “Përpara se të kërkosh të bëjë diçka vendi për ty, bëj ti diçka për vendin”. Nuk u kapa kurrë pas ndonjë partie, edhe pse kanë dashur të më rekrutojnë që kur isha ende në gjimnaz, këtu e njëzet vjet më parë për të arritur qëllimet e mia. A meritoj më shumë unë e mijëra të tjerë? Patjetër që meritoj! Por kam zgjedhur lirinë time dhe nuk dua t’i jap mundësinë askujt të më kapë prej mënge e të më thotë: e drodhe se t’u prishën interesat e tua. Të rinjtë e familjes sime thonë: ti je shembulli që në këtë vend mund të jetohet dhe ti s’ke të drejtë t’u prishësh atyre modelin. Mblidh rraqet dhe ik andej nga Australia JOTE, që ta kanë lënë trashëgim stërgjyshërit, por mos bëj zhurmë. Nëse ky vend është i vogël e të rri ngushtë, ik, se ka kolegë të tutë që kanë shkëlqyer më shumë se ty dhe kthehen krenarë në këtë tokë, sepse kanë familjen, kanë të afërmit, shoqërinë, shtëpinë ku kanë lindur, janë rritur, rrugicat ku kanë gjakosur gjunjtë miliona herë. Njerëzit janë të lirë të jetojnë ku të duan, sepse siç ka thënë Remarku, “Qyeteti më i bukur në botë është ai ku njeriu rron i lumtur”, ndaj sigurisht që është patetike të bëjmë patriotin, nacionalistin, por jo të vjellim vrer dreqi e mori.
E mora vesh që Shqipëria nuk është atdheu yt o i madh se ti ke lind’ poshtë këmbëve të Eiffelit, por s’mora vesh atdhe cilin ke? Një herë pate thënë që po të pret atdheu yt i dytë Kina, tani na doli “Australia jote”. Po mirë që do shkosh atje, po ç’do bësh? Lexova një intervistë të vjetër tënden ku thoje se “pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshme, njoftoj se me “Toskën” mbyll karrierën time operistike”. Dhe në fakt e vërtetova se hyra të kontrolloja kaledarin tënd tek operabase.com. Pashë kalendarin e Ermonela Jahos, Saimir Pirgut, Gëzim Myshketës etj etj, kurse ti hiç, bosh, faqe e bardhë borë. Le karrierën apo të la ajo ty?
O Gim, ja dole të m’i prishësh pushimet, ja dole të më mbushësh me mllef… Habitem me veten se si një artist arriti të më inatosë mua që e kam kokën sa fillon sezoni e deri kur mbaron në Opera, në Teatër, në koncerte. Një artist edhe mizerjen më të madhe ta zbukuron, edhe shpirtin më të përvuajtur ta zbut…edhe me dramën më të madhe të të gjitha kohërave, sërish të ushqen, edhe protestën ta servir paqësisht, sepse e konsideron kauzën më të madhe se vetja…kurse ti…ç’të të them?
Shko te Australia JOTE! Po vdes nga kurioziteti sa “birin e saj” do të të konsiderojë.
————————————————————-
E masakruan në rrjetet sociale pas letrës për ikjen nga Shqipëria, tenori Hushi u kthen përgjigje
05/08/2017
Tenori i njohur edhe jashtë vendit, Agim Hushi, shkroi një letër ditën e djeshme që ishte sa lamtumire, aq edhe zhgënjimi edhe akuzuese për një kastë politike që sipas tij e ka lënë vendin varfërisht mjeran. Por ajo që nuk pritej ishte sulmi që pësoi tenori në rrjetet sociale, ku shumë syresh e sulmuan deri aty sa duke i thënë :”Bëre shumë mirë që ike, na ler në hallet tona”, “Ike se s`të bënë drejtor” apo “ Ti je një m..”.
Duket se këto sulme frontale edhe nga njerëz publik e kanë zhgënjyer shumë tenorin i cili mëngjesin e sotëm ka postuar në profilin e tij një tjetër shkrim, ku u kthen përgjigje të gjithë atyre që e kanë sulmuar.
Ja ta çfarë shkruan Hushi në postimin e tij:
Te dashur miq!
Vertet ngela i shtangur me kete shperthim online dhe menyren se si po lexohet nje zhgenjim njerzor, qytetar dhe te nje personi qe Shqiperine dhe familjen i ka gjerat me te shenjta te tij.
Jam mesuar gjith jeten te jem pre e cmirzinjeve dhe njerezve te parealizuar por sme ka ndodhur kurre qe nje mesazh i qarte qytetar te lexohet me koke poshte dhe ku njerez qe as e kam iden se egzistojne dhe me te cilet sjam pare kurre ne kete jete te futen ne profilin tim dhe me nje gjuhe viktimash te deshperuar shfryjne pezmin e tyre personal, pa llogjike, te verber jo per fajin tim natyrisht!
Une atdheun tim e dua dhe do ta dua sa te jete jeta, mbi te gjitha me vepra; perfshi dhe kete postim!
Une atdheun s’mund ta lidh me nje klase politike qe me ka zhgenjyer cdo dite timen!
Dhe teksa gjej dashurine dhe respektin njerzor ne nje vend te huaj s’ka se si mos te me vij turp qe i kam bashkekombas kete race maskarenjsh qe kemi mbi krye
Ç’ka ketu tragjike ne kete qendrim?
Ju uroj nje fund jave te bukur dhe te lumtur me familjet tuaja!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


