Strazimiri: KQZ tregoi se është Komisioni Qendror i Vjedhjes
Ish-deputeti i PD, Gent Strazimiri në një deklaratë nga selia blu hodhi sërish akuza në drejtim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke thënë se po bëhet pjesë e qëllimshme e asaj që e quan, krim dhe manipulim të pjesëmarrjes në votime.
Deklarata e plotë:
Komisioni Qëndror i Vjedhjeve nuk ka asnjë alibi për të fshehur krimin e manipulimit të pjesëmarrjes në votimet moniste, të paligjshme dhe antikushtetuese të 30 qershorit.
Kamikazët e Komisionit Qendror të Vjedhjeve janë përfshirë me vetëdije në këtë krim masiv, të orkestruar nga Edi Rama.
Ndryshe nga çdo herë të tjetër, Komisioni Qendror i Vjedhjeve nuk i ka nxjerrë të dhënat e pjesëmarrjes në votime nga sistemi online i përpunimit të të dhënave, por nga telefonatat e një grupi informal në KQZ- drejtuar nga militant të Partisë Socialiste.
Kjo mënyrë, e zgjedhur për të mos lënë gjurmët e manipulimit në sistemin e të dhënave, zhbën alibinë e trashë të KQZ-së për të fshehur krimin e manipulimit të numrit të pjesëmarrësve.
Ky është një proces i diskretituar. Është një proces nul, jashtë çdo standardi minimal demokratik.
Është për të ardhur keq, që edhe prokuroria, siç pritej, u bërë hapur pjesë e kësaj farse, duke mos hetuar as krimet e reja zgjedhore, të denoncuara nga opozita dhe nga media gjatë këtyre dy ditëve.
Është flagrante që prokuroria akoma nuk ka trokitur në derën e Partisë Demokratike për të kërkuar videon që e ka parë e gjithë bota, ku një grup i strukturuar kriminal nga Partia Socialiste bleu një vajzë të re për të votuar Edi Ramën dhe Erion Veliajn tek Njësia 9 në Tiranë.
Deri tani nuk ka asnjë reagim nga prokuroria për aktin kriminal të blerjes së votës, siç nuk ka patur këto tre vjet me dosjet e tjera të masakrave elektorale të organizuara nga Edi Rama.
Asnjë alibi, as nga Komisioni Qendror i Vjedhjeve, as nga Prokuroria nuk mund ta mbulojë dot të vërtetën se Edi Rama u refuzua në mënyrë plebishitare nga shqiptarët.
30 Qershori dhe dita pas tij provuan përtej çdo dyshimi se, me Edi Ramën, Shqipëria nuk ka asnjë shans të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



