Hej , skllavopronarë! Si guxoni ta mbyllni kanalin,dhe të hiqni morfinën e popullit?!
Nuk e di as vetë përse dola sot në mes të vapës, nja gjyëm ore sa për një të blerë dicka shpejt dhe c’të shoh. Populli im i dashur, i lodhur nga jeta e vështirë që të ofron në një vend si Shqipëria, të tjerë të lodhur nga vapa, të tjerë nga hallet, sëmundjet e mosha, vrapojnë si të çoroditur nëpër pika shërbimesh. interneti e tv-je. Njëlloj sikur t’u ketë mbaruar heroina apo kokaina kacafyten fyt për fyt me vajzat dhe djemtë e operatorëve e të kabllorëve, në kërkim të televizionit të tyre që nuk e shohin më. Ata kanë disa ditë tashmë që nuk marrin dozën e tv që u mungon. Ashtu me damarë të nxirë prej ageve te propagandas së kastës, kërkojnë me ngulm dozën e ditës për t’u vetëshpuar me shiringat e njëri- tjetrit, duke e përhapur epideminë tek damaret e tyre me një shpejtësi prej serie telenovele. Burra e gra, pleq e plaka, vajza e djem të rinj rendin të djersitur ujë dhe në mes të vapës janë në kërkim të grurit të shpirtit. Ata janë të gatshëm të flijohen për telenovelat e tyre të dashura të mbushura me pasuri, me mjerim, me jetë përrallash dhe me jetë mjerimi, me histori dashurie, tradhëtie, me mafie, me intriga, me urrejtje, me vrasje e me trill, njëlloj si jetët e tyre, pa i lëvizur asnjë grimcë.
Përballë tyre qëndrojne si të shastisur djem e vajza të rinj, punonjës kablloresh e zyrash, me lëkura te qetësuara prej kondicionerëve të firmës, që ngrenë shpatullat përballë urisë, duke e gënjyer atë si të munden. Justifikohen si të munden pa pikën e llogjikës për mjerimin që ka disa ditë pa i shpuar damarët me programet e tyre te preferuara. Ata janë të gatshëm të hidhen në revolucion, për të kthyer mbrapsh kanalin që u mungon, sepse nuk e kanë marrë dozën prej disa ditësh. Ata janë të gatshëm që të flijohen për dozën e shiringën e tyre të dashur. Ata nuk mund ta durojnë idenë që e kanë nënshkruar kontratën për ta marrë dozën deri në tetor dhe t’ua ndërpresin atë në gusht. Si mundet t’ia ndërpresësh dozën mjerimit dhe varfërisë dhe të mos i kompensosh financiarisht, që të shkojnë minimalisht ta blenë dozën tek dyqani tjetër? Skllavopronarët janë zënë. Nuk po u shkojnë mirë punët. Janë vazhdimisht në luftë për zonat e tyre të influencës. Paria e PPP-ve dhe e koncensioneve ka hyrë zyrtarisht në konflikt për tregun e skllevërve. Nga plazhet ekzotike i kanë shpallur njëri-tjetrit luftë me korrespendencë në Tiranë, në kërkim të klientelës besnike, që nuk mund të rrojë asnjë minutë pa dozën e kupoles, për të siguruar nëpërmjet laboratorëve të trurit dhe të mendjes sundimin e kastës edhe për disa dekada të tjera. Njerëzit e vendit tim janë të lodhur janë të rraskapitur, janë të mashtruar e të dëshpëruar prej të gjithëve dhe gjithcka kërkojnë, nuk është zgjidhja, por disa doza telenovelë, lajme, horoskop e analize, për ta hutuar dhimbjen dhe poshtërimin. Populli im i dashur, nuk ka më fuqi të marrë vendime të mëdha. Ata duan kanalin e tyre dhe pikë. Atë kanal të cilin kasta e ka hapur tek truri i tyre me kujdes kirurgësh mafiozë të politikës, të analizës dhe të gazetarisë. Ata duan kanalin e tyre pa të cilin nuk kanë jetë. Ata e duan kanalin e tyre, tek i cili mafia politike e Tiranës kontrabandon cisternat e mbushura me eliksirin e mpirjes dhe të dorëzimit. Askush nuk u jep një përgjigje, kush e ka prishur kanalin që mban jetët e tyre në jetë. Askush nuk ua jep një përgjigje jetime, se kur do të hapet kanali i tyre sërish dhe cila do të jetë dita kur ata do të shpojnë sërish damarët për dozën e radhës. Kush e bllokoi kanalin e tyre? Si mund të vazhdojnë ditët dhe netët të pasojnë njëra-tjetrën dhe kanali i tyre mungon? Si do të vazhdojë toka të rrotullohet dhe kanali i tyre nuk është më?
Si do të lindë dielli dhe si do të perëndojë pa kanalin e tyre? Si do të mund të cicërojnë zogjtë mbi pemë, si do të jetojnë peshqit në dete e oqeane, si do të mund të ndalohen meteorët të cajnë cipën e Tokës dhe të bien në tokë, tani që nuk është është më kanali i tyre? Si mund t’i lini ata pa kanalin e tyre dhe të shkoni e t’ua taksoni rrebelimin, indinjatën dhe herë të tjera cmendurinë? Tashmë që e keni bllokuar kanalin e tyre , si do t’a vadisin varfërinë?
Si guxoni t’i ndaloni edhe të bëjnë plazh, edhe të mos shkojnë në pushime, edhe të mos jetojnë si njerëz, edhe të mos arsimohen si njerëz, edhe të mos kurohen si njerëz, edhe të mos hanë si njerëz, edhe të mos pinë si njerëz, edhe të mos duan si njerëz, edhe të mos urrejnë si njerëz edhe të mos vdesin si njerëz, dhe njëkohësisht t’ua hiqni edhe kanalin e tyre dhe të bëni sikur nuk ka ndodhur gjë? Si munden ta përballojnë një jetë mizerabël si kjo që keni gatuar për ta dhe pa pikën e turpit t’ua fikni edhe kanalet e tyre që i mbajnë me sforco në jetë, si të ishin fisha reanimacioni, tek trupat e rënë në koma dhe që presin të shkulen me një njoftim të mortjes. Kthejuani kanalin urgjentisht, sepse kanë për t’iu hedhur në kanal. Bëni sit ë doni, merruni vesh si të doni. Po nuk ua kthyet kanalin do të shihni atë që nuk u ka shkuar kurrë ndërmed. Ai është kanali i tyre, nuk është më i juaji. Nuk keni asnjë të drejtë të eksperimentoni me kanalin e tyre që i bën t’iu harrojnë ju. Nuk keni të drejtë t’ua ndërprisni dozën që ua lehtëson dhimbjet e shkaktuara prej jush. Ata po e dorëzojnë edhe atë pikëz shpirt që u ka mbetur cdo ditë dhe asgjë të madhe nuk po ju kërkojnë. Sa të pashpirt që jeni. Kthejuani kanalin sa më shpejt. Ku do të mësojnë për rrenat që përhapni ju? Si mund t’i lini ata pa kanalin e tyre të jetës xhanëm? Kush do t’ua stërhollojë mashtrimet që bëni ju?
A nuk ju mjafton që vidhni e grabitni tërë kohën dhe jëni bërë miliarderë për dhjetë vjet? Si mundet t’i sundoni, t’i gënjeni, t’i mashtroni, t’i vidhni, t’i nëpërkëmbni dhe të mos lini hapur kanalin që ua zbut atyre të gjithë këtë? Ku do t’i shohin analistët e tyre të shpirtit që i mashtrojnë nga mëngjesi në dakë dhe ju ndihmojnë ju që të dilni të larë?
A keni Zot ju apo jo? Si mund të sundoni skllevërit dhe njëkohësisht të kurseheni kanalin që shuan dhimbjet e tyre? Nuk po ju kërkojnë zgjim, as bukë, as pushime, as rroga të majme, as pensione, as mirëqënie, as zgjedhje të lira dhe të ndershme, as Shtet, as pushtet, aq qeveri, as ministra duan të bëhen, as drejtorë e as deputetë. Të poshtrit ju sa dorështrënguar që jeni. Gjithcka po kërkojnë është një vdekje e qetë pa dhimbje dhe kanalin e tyre në shtratin e vdekjes, ku lundrojnë cisternat e ngarkuara me morfinë! Puls7.com
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



