E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ta bëjmë Shqipërinë të mërzitshme sa Gjermania
Sot

Ta bëjmë Shqipërinë të mërzitshme sa Gjermania

“Ta bëjmë Shqipërinë vend të mërzitshëm, aq të mërzitshëm sa Gjermania, Franca, apo Austria” i thoshte me shaka stafit të vet një diplomat në fillimet e misionit të tij në krye të një organizate ndërkombëtare në Shqipëri. E nuk ia doli.

Vite kanë kaluar dhe shihen përditë “dështimet e tij” e të gjitha organizatave e misioneve të huaja në këtë vend. Gjithsesi, po të duash të shohësh atë gjysmën plot të gotës e po të kesh pak shpirt prej sipërmarrësi apo sipërmarrëseje, mund ta shohësh këtë si ‘oportunitet’ biznesi në fushën e turizmit. Tashmë që edhe natyra e turizmit po anon gjithmonë e më shumë nga turizmi aktiv, agjencitë turistike mund të organizojnë tip ‘lojërash’ argëtuese me klientët e tyre, të cilat mund t’i ndihmojnë këta të fundit të testojnë e, me shpresë, edhe t’i përmirësojnë aftësitë e tyre orientuese, për të shkuar, le ta zëmë, nga ‘pallati me shigjeta’ deri tek Fresku, apo në Bathore, duke përdorur autobusin urban.

Do të duhet të gjejnë së pari stacionet, mënyra më e mirë për të ‘provuar’ mikpritjen e vendasve, sidomos të njerëzve të thjeshtë, atyre që udhëtojnë me autobusë, dhe zellin për të ndihmuar me çdo kusht. Pa do t’u duhet të kuptojnë se si funksionin autobusi. A duhet të kenë një biletë për të hipur në autobus? Po ku mund ta blejnë? Sa kushton?

Ah, dakord, ia blen faturinos, është ai djali ose burri (ej, si nuk ka më faturino femra meqë ra fjala) që mezi çan rrugën mes njerëzve e shqyen sytë në përpjekje për të dalluar kujt ia ka marrë lekët dhe kujt jo, ose të dallojë nëse po i thonë të vërtetën ata që e shohin gjithë bezdi dhe inat me përgjigjen dyrrokëshe ‘Isha’, medemek ‘M’i more njëherë lekët, prapë ti?’.

Pa do të shohin me kënaqësi se si të rinjtë e të rejat, sidomos ato gocat e kuruara me kujdes në çdo orë të ditës e natës për në punë apo duke u kthyer nga puna me kufje në vesh, ua lënë vendin të moshuarve, shpesh duke ‘vazhduar të shohin punën e tyre’, pa u dhënë ndonjë buzëqeshje.

Nuk u buzëqeshet dhe nuk u flitet zakonisht njerëzve nëpër autobusë, faturinos jo e jo njëherë, përveçse kur do të ankohesh se shoferi po ecën shumë shpejt ose shumë ngadalë. Jo! Qëndron turi më turi me tjetrin apo tjetrën dhe ti sheh përpara, apo anash autobusit, kudo që të ketë qëlluar të ngecësh, nuk u flet apo buzëqesh njerëzve të panjohur.

Njësoj si në ashensor. Nuk i thua ‘Mirëmëngjesi’ apo ‘Mirupafshim’ atij që gjen brenda ashensorit që me zor i nxë më shumë se dy vetë.

E mes këtyre vëzhgimeve arrin pa kuptuar në stacionin tjetër, ku ndoshta ti edhe nuk e di se duhet të zbresësh, të kalosh rrugën nja 100 metra poshtë vijave të bardha apo semaforit, nëse ka, dhe të kapësh linjën tjetër. Po s’ka gjë. “No problem” të ngushëllon shitësja e kioskës aty afër, “Vjen tjetri”. Dhe s’ka problem vërtet. Ti tani e di që me 400 leke (jo kartëmonedha, po nga ato monedhat e vogla të verdha”, mund të bësh edhe goxha rrugë akoma. Jo më kot e kishte planifikuar agjencia këtë ‘local travelling experience exercise’ një ditë para se të të niset avioni.

E ka qarë populli me atë shprehjen “Më mirë të dish sesa të kesh”. Ja pra një mundësi unike që mund të përkthehet pikërisht në atë çka kërkojnë shumë turistë, një eksperiencë e re, në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit, plot me surpriza dhe aventura. Le ta shfrytëzojë kush mundet se ku i dihet! Ja, hymë në Evropë! Ku ka eksperienca të tilla aty!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.