E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Fatos Lubonja: U ndjeva i poshtëruar nga arroganca e njeriut që ka bashkëpunuar me kriminelët
Uncategorized

Fatos Lubonja: U ndjeva i poshtëruar nga arroganca e njeriut që ka bashkëpunuar me kriminelët

Shfaqja arrogante e Saimir Tahirit dhe avokatia që deputetët socialistë i bënë atij kundrejt provave të dukshme të përfshirjes së tij me Habilajt, në Komisionin e Rregullores për Mandatet dhe Imunitetet, sipas Fatos Lubonjës, është një ngjarje që fyen dhe poshtëron çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi.
“Si qytetar, duke parë atë shfaqje, u ndjeva disa herë i fyer dhe i poshtëruar. U ndjeva kështu sepse pashë një njeri, për të cilin ka prova më se të mjaftueshme për ta quajtur bashkëpunëtor me kriminelët, të sillej përpara njerëzve të drejtësisë me një arrogancë dhe siguri të frikshme për çdo njeri që ka shpresë se në këtë vend mund të ketë një çikëz drejtësi. U ndjeva i fyer dhe i poshtëruar sepse pashë deputetë, që pretendojnë se janë intelektualë apo mbrojtës të të drejtave të njeriut, të bëhen një me këtë njeri.

U ndjeva i fyer dhe i poshtëruar edhe më shumë, duke parë një turmë të organizuar për ta pritur jashtë me brohoritma, sikur ky sapo të ishte kthyer nga fitimi i ndonjë trofeu sportiv dhe jo sikur të ishte njeriu i akuzuar se ka kthyer shtabin drejtues të policisë në bandë kriminale, që është përgjegjës minimumi për mbulimin e aktivitetit kriminal të një bande shumë të rrezikshme, që është direkt dhe indirekt përgjegjës edhe për tërë ata të rinj, që futen në rrugën e trafikimeve dhe vrasin çdo ditë njëri-tjetrin në rrugët e Shqipërisë. U ndjeva i fyer dhe i poshtëruar sepse nuk pashë një gazetar t’u afrohej këtyre njerëzve dhe t’i pyesë se përse ndiheshin kaq krenar për një njeri, mbi të cilin rëndojnë akuza kaq të rënda.” – shkruan publicisti Fatos Lubonja në analizën e vet në gazetën Panorama.

Por sipas Lubonjës, më shqetësuese se kaq, është ajo çfarë pritet nga kjo histori. Sipas tij, njerëzit që arrijnë deri këtu, mund të shkojnë edhe më tej për të mbrojtur atë pushtet që u jep garancinë se provat nuk do të dalin në dritë.
“Sepse krimi ndjell krimin, humnera ndjell humnerën. Historia jonë na e ka provuar më se një herë këtë.” – shkruan Lubonja.
Lubonja shkruan se alibia që përdori Tahiri dhe socialistët, sipas të cilëve nuk ka prova vjen për shkak se pushtetin mbi Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat e kanë kriminelët.

“Kriminelët na thonë: ok, ju e dini që ne jemi kriminelë, edhe ne e dimë që jemi të tillë, por s’keni prova të na e vërtetoni. Që t’ua provosh duhet t’u marrësh pushtetin, por që t’u marrësh pushtetin, duhet të kesh paratë e tyre të pafundme që i sigurojnë nga krimi.

Përndryshe, po të guxosh t’u nxjerrësh ndonjë provë, të bëjnë qindin, të thonë gënjen, maskara, kjo nuk është provë.” – thotë ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.