Prishtinë-Beograd/ Rikthehet normaliteti në veri të Kosovës, largohen dhe Njësitë Speciale të Kosovës
Situata në veri të Kosovës duket se po i kthehet normalitetit. Pas 13 ditësh tensione dhe negociatash me Beogradit dhe Prishtinës, njësia special e Kosovës është larguar nga rajoni verior.
Tërheqja e policisë së Kosovës, ka ndodhur pas largimit më herët gjatë ditë së sotme të barrikadave nga serbët lokalë, që e kishin bllokuar rrugën me kamionë e mjete tjera të rënda ditën kur policia ishte vendosur në dy pikat kufitare Jarinje e Bërnjak.
Tashmë prezent në dy pikat kufitare është vetëm KFOR që do të qëndrojë 2 javë për të siguruar paqe e siguri.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.
PIKAT E MARRËVESHJES KOSOVË-SERBI
- Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
- Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
- Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



