Pal Kola është viktima e vërtetë – por TOP CHANNEL të na kursejë nga patetizmi
Erl Kodra
Vrasja e Pal Kolës në kabinën e rojës tek Top Channel padyshim që është një krim i neveritshëm, para të cilit çdokush mbetet pa fjalë. Por, padyshim që Pal Kola është viktima koletarale e një sulmi kundër Top Channel, media më e fuqishme televizive në Shqipëri.
Por a është ky një sulm kundër fjalës së lirë, lirisë së medias, apo politikës editoriale të Top Channel?! Në pamje të parë kështu duket, domethënë se ngjan si një sulm kundër fjalës së lirë.
Në fakt, kjo vrasje ka lidhje me fjalën e lirë aq sa mund të ketë lidhje me ngrohjen globale. Në përgjithësi mediat shqiptare – veçanarisht Top Channel – nuk kanë lidhje me fjalën e lirë, por në emër të fjalës së lirë, kryejn krime sistemike po kundër fjalës së lirë. Mediat kryesore në vend zotërohen nga biznesmenë të fuqishëm, ndërkohë që politika e tyre editoriale përcaktohet absolutisht sipas interesave të pronarit, që në përgjithsi janë interesa të ndryshme nga ato të publikut të gjerë.
Të gjithë e dinë se çfarë dhe kush e ka përcaktuar politikën editoriale të Top Channel, Klan TV, Vizion Plus, News 24, EuroNews, A2CNN etj. Të gjithë e dinë se pronarët e këtyre mediave as që e kanë konsideruar ndonjëherë interesin publik, por vetëm interesin e tyre privat. Sepse një media vërtetë e lirë rrëzon qeveri, sado e fortë të jetë ajo.
Gjithashtu të gjithë e dinë se mediat – përfshirë edhe TOP Channel – gëlojnë nga konflikte për interesa të tjera, që nuk kanë asnjë lidhje me fjalën e lirë. Shpesh mediat janë përdorur për shantazhe dhe presione, madje edhe përmes programeve në dukje investigative. A ju kujtohet lista e çmimeve për skandalet që nuk transmetoheshin kurrë nga këto programe “investigative”?
Të paktën na kurseni nga ky patetizëm ekstrem dhe i panevojshëm; tashmë të gjithë e kemi kuptuar lojën.
Ndërkohë vazhdoni qetësisht biznesin në emër të “lirisë së shprehjes”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



