Në prag të festave të fundvitit më 30 dhjetor 2022, kreu i spitalit rajonal “Xhaferr Kongoli” të Elbasanit, Agron Gaxho, rinovoi për të tretin vit radhazi kontratën e shërbimit të gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për pacientët e spitalit të tij.
Kontrata vjetore me vlerë 23.6 milionë lekë u firmos me një kompani të vogël të tregtisë së mishit në pronësinë e Olta Sharrës, një 43-vjeçare nga Elbasani, që kishte punuar më herët në bibliotekën e qytetit.
E regjistruar si person fizik, kompania e Sharrës ofron ofron gjithashtu shërbimin e ushqimit për spitalin psikiatrik “Sadik Dinçi” si dhe kishte fituar tendera në tre bashki të qarkut të Elbasanit.
Por ka një problem: në kohën kur spitali rajonal i Elbasanit i rinovoi kontratën, subjekti “Olta Sharra” ndodhej prej gjashtë muajsh nën sekuestro si një derivat i dyshuar i burimeve kriminale.
Vendimi për sekuestrimin e personit fizik “Olta Sharra” u mor nga Gjykata e Elbasanit më 9 qershor 2022, si pjesë e hetimit pasuror të nisur ndaj bashkëshortit të saj, Gentian Sharra – një 48-vjeçar nga Elbasani i akuzuar për vjedhje me dhunë dhe pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Vetë Sharra u arrestua në maj 2022 në kuadër të operacionit “Golden Bullet” të SPAK si pjesë e njërit prej grupeve të krimit të organizuar të denoncuara nga Nuredin Dumani – një ushtar i krimit të organizuar i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë.
Ligji shqiptar për prokurimin publik u ndalon kompanive pjesmarrjen në tendera vetëm në rastet kur operatori ekonomik apo drejtuesit e tyre janë të dënuar me vendim të formës së prerë.
Megjithatë, ekspertët thonë se përfshirja e kompanive me prejardhje kriminale në prokurimet publike i shkakton një dëm të madh zhvillimit normal të ekonomisë.
“Mendoni një kompani që punon çdo ditë, merr kredi dhe krijon kapital përballë një kompanie që e ka siguruar nëpërmjet parave me prejardhje të dyshimtë. Këto kompani janë të fuqishme, kanë paranë e padeklaruar dhe mund ta përdorin për të deformuar proceset nëpërmjet korrupsionit,” tha Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.
I pyetur për rinovimin e kontratës me një kompani të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar dhe të sekuestruar nga gjykata, drejtori i spitalit rajonal të Elbasanit, Agron Gaxho pretendoi se procedura ishte ligjore dhe se përzgjedhja ishte bërë mbi bazën e dokumenteve.
“Autoriteti kontraktor nuk vlerëson procedura në bazë të dyshimeve, por në bazë të dokumenteve të kërkuara dhe të paraqitura,” tha Gaxho, duke iu referuar dëshmive të penalitetit dhe gjendjes gjyqësore të kompanisë.
“Nëse ju keni informacione të dyshimta, jeni të lutur t’ju drejtoheni organeve të drejtësisë,” tha Gaxho përmes një përgjigje me shkrim.
Skeda kriminale
Dokumentet gjyqësore tregojnë se Gentian Sharra ka një skedë të pasur kriminale që daton nga viti 1999 si dhe ka qenë subjekt hetimesh për trafik të lëndëve narkotike, krime kundër personit dhe korrupsionit aktiv në zgjedhje.
E megjithatë, precedentët penalë nuk e kanë penguar atë që të shtojë pasurinë e tij si dhe të zgjerojë biznesin në emër të bashkëshortes me institucionet lokale në Elbasan.
Në procedimin pasuror të Prokurorisë së Elbasanit, Sharra përshkruhet si autor i dyshuar i një episodi të trafikut të drogës në vitin 1999, ku një gomone ishte kapur në det për shkak të një avarie.
Përgjatë viteve 2011-2013, Sharra akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se ka kryer pesë vjedhje me dhunë në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, mes të cilëve edhe një argjendar.
Duke iu referuar dëshmisë së Dumanit, SPAK përshkruan grabitjen e një argjendari, ku Sharra dyshohet si organizator.
“Ne pritëm këtë zotëri që kishte florinjtë. E kam goditur unë i pari me levë hekuri mbas qafe ose në kurriz, të njëjtën gjë bëri edhe Iliri…Kam marrë një nga çantat. U vonuam pak dhe më pas u larguam bashkë me Sharrën,” citohet të ketë thënë Dumani në dokument.
Në vitin 2017, ai u hetua për korrupsion aktiv në zgjedhjet lokale të mbajtura në të njëjtin vit. Dokumentet gjyqësore nuk hedhin dritë mbi rezultatet e këtij hetimi.
Ndërsa në vitin 2019, Sharra u hetua sërish si lidhje e grupit kriminal që kreu grabitjen spektakolare të mbi 4 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit.
“Furgoni i përdorur për këtë ngjarje është modifikuar nga vëllezërit Çala te servisi i shtetasit Gentian Mustafa Sharra, i ndodhur në fshatin Katund i Ri, Elbasan,” thuhet në vendimin e Gjykatës.
Për Prokurorinë, Sharra njihet gjithashtu si lidhje e ngushtë shoqërore e Talo Çelës – i dënuar nga gjykata për grabitjen në pistën e aeroportit të Rinasit dhe i shpallur në kërkim për tre vrasje dhe një seri grabitjesh të dhunshme në fillim të viteve 2010. Çela ishte gjithashtu një i punësuar fiktiv në kompaninë e bashkëshortes së tij, Olta Sharra.
Pavarësisht listës së gjatë të precedentëve kriminalë, një hetim pasuror për Gentian Sharrën u çel vetëm pas arrestimit të tij në maj të vitit të kaluar.
Në qershor të vitit 2022, Prokuroria e Elbasanit identifikoi pasuri të llogaritura në vlerën e 5 milionë eurove në emrin e tij dhe të familjarëve dhe gjykata urdhëroi sekuestrimin e tyre.
Mes tyre gjendet një vilë luksoze në periferi të Elbasanit, sipërfaqe të mëdha toke, një bar- kafe, 13 automjete si dhe tre subjekte biznesi – ku personi fizik “Olta Sharra” rezulton edhe më fitimprurësi.
Tenderat e shëndetësisë
Subjekti “Olta Sharra” u themelua në vitin 2013 me objekt aktiviteti të trefishtë; bar-kafe, servis automjetesh dhe tregti mishi dhe nënprodukte të tij. Por prej vitit 2016, kompania e vogël e ka zgjeruar aktivitetin në fushën fitimprurëse të tenderave publikë, fillimisht me bashkitë e qarkut dhe më pas në sektorin e shëndetësisë.
Prej vitit 2016, subjekti “Olta Sharra” ka marrë 19 kontrata për furnizim me ushqime nga bashkitë e Elbasanit, Cërrikut dhe Librazhdit me një vlerë totale prej 117,539,778 lekësh [rreth 1 milion euro].
Ajo ka fituar gjithashtu 8 tendera vetëm në sektorin e shëndetësisë me spitalin psikiatrik “Sadik Dinçi” dhe qendrën spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan, e vetme ose si bashkim operatorësh. Në total, tenderat e spitaleve kapin vlerën e 626 milionë lekëve [5.5 milionë euro].
Në vitin 2016, “Olta Sharra” bashkë me dy kompani të tjera u shpall fituese e një tenderi me vlerë 249 milionë lekësh për shërbimin e gatimit në spitalin psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan, kontratë e cila përfundoi në vitin 2019.
Kompania e bashkëshortes së Gentian Sharrës e rinovoi sërish kontratën me spitalin psikiatrik në vitin 2020 përmes fitimit të një tenderi nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara me vlerë 264 milionë lekësh. Subjekti “Olta Sharra” u shpall fitues si bashkim operatorësh me kompaninë Dion-Al.
Po në vitin 2020, “Olta Sharra” fitoi si bashkim operatorësh edhe tenderin e ushqimit për qendrën spitalore “Xhaferr Kongoli” të Elbasanit nëpërmjet Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara me një vlerë prej 78.8 milionë lekësh. Kjo kontratë bazohet në një marrëveshje kuadër të nënshkruar në 13 maj të vitit 2020 dhe vazhdon efektin e saj deri në 31 dhjetor 2023, me të drejtë rinovimi çdo vit.
Subjekti “Olta Sharra” u vendos nën sekuestrim me urdhër të gjykatës në qershor 2022, por vendimi u ekzekutua thuajse shtatë muaj më vonë.
Arjan Baçi, administrator i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, tha se e mori kompaninë nën administrim në shkurt të vitit 2023, ndërsa shtoi se zbatimi i kontratave me spitalet po ecte normalisht.
Baçi tha gjithashtu se subjekti kishte 17 punonjës dhe se ai kishte hequr nga listë-pagesa Olta Sharrën dhe 2-3 persona të lidhur me të për një administrim sa më të mirë.
“Ne kemi marrë nën administrim të gjitha llogaritë bankare të personit fizik dhe nuk ka pasur probleme për zbatimin e kontratave,” tha Baçi.
Ai shtoi megjithatë se pas përfundimit të kontratave aktuale, nuk mendonte që kompania duhej të rifutej në tendera.
Ekspertët e prokurimeve publike vlerësojnë se sistemi shëndetësor është ndër më të prekurit nga tenderat me rrisk të lartë dhe bëjnë thirrje për hetime më aktive për të mbajtur larg kompanitë e dyshuara për lidhje kriminale.
Aranita Brahaj, drejtuese e AIS që menaxhon portalin e të dhënave të hapura, Open Data, tha se sektori i shëndetësisë vuan nga tenderimet e parregullta ose në mungesë të konkurrencës.
“Në momente të caktura, më shumë se 40% e procedurave paraqesin një rast rrisku, pra kanë një markim me red flag nga sistemi ynë,” tha Brahaj duke iu referuar këtij sektori.
Ndërsa Preçi nga Instituti për Studime Ekonomike theksoi rrezikun që paraqesin kompanitë me burime të dyshimta në dominimin e tregut.
“Shteti me mekanizmat e tij, ligjet antimafia, përjashtimi nga proceset nëse ka dyshime të arsyeshme, duhet të ndërhyjë për të garantuar zbatimin e ligjit dhe zhvillimin normal të vendit,” përfundoi Preçi./BIRN
Një tender me plot gojën “i çmendur” është publikuar këto ditë. Bëhet fjalë për plot 3,2 miliardë lekë të vjetra me TVSH për gatim dhe shpërndarje ushqimi në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit dhe qendrat në varësi të tij. Është e paimagjinueshme se si mund të shpenzohen kaq shumë miliarda vetëm për gatim dhe ushqim dhe jo për gjithë vendin, as për një rajon apo qytet, por vetëm për Spitalin Psikiatrik dhe qendrat në varësi të tij në Elbasan. Me këto para, fare mirë jo vetëm mund të ishin rikonstruktuar shumë spitale por madje do ishin veshur edhe me ar. Por në Shqipërinë tonë, vjedhjet bëhen në një mënyrë aq galopante sa shihen edhe çudira të tilla. Madje jo vetëm kaq, por tenderin e ka fituar e arrestuara për mashtrim me TVSH-në, Shpresa Joanidhi. Le të dalim tek faktet.

Tenderi që mban numër reference REF-50034-02-11-2020, ka për objekt “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi (katering) për Sadik Dinçi” Elbasan dhe qendrat në varësi të tij”. Fondi i përgjithshëm i marrëveshjes kuadër është 268.475.020 lekë të reja pa TVSH ose gati 3,2 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Proçedura e prokurimit është “Procedurë e hapur mbi kufirin e lartë monetar”- Shërbime dhe në këtë tender kanë marrë pjesë 3 kompani.

Njëra prej tyre nuk ka ofruar fare as vlerë ekonomike dhe asnjë nga dokumentacionet e kërkuara në tender, çka të bën të dyshosh shumë se ka marrë pjesë sa për numër në një tender ku fituesi është i paracaktuar. Themi këtë, pasi nuk ka asnjë arsye se pse një kompani duhet të marrë pjesë në një tender dhe më pas të ofrojë vlerë zero, pra përse mori pjesë atëherë? Kompania tjetër ofroi vlerën 255,040,508 lekë të reja pa TVSH dhe u skualifikua.

Ndërkohë u shpall fitues bashkimi i operatorëve ekonomikë “Olta SHARRA” dhe “DION-AL” SHPK. Olta Sharra rezulton të jetë regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit si Person Fizik. Nëse i hedhim një sy të dhënave publike të fituesit, shohim se Olta Sharra ka fituar për periudhën 2014-2020 shifrën e pabesueshme prej mbi 6 milionë euro. Është një mister se si një individ me formë ligjore Person Fzik (pra jo SH.P.K. apo SH.A.) të ketë fituar nga shteti shqiptar mbi 6 milionë euro. Ka dyshime të forta se në fakt pas saj mund të fshihet një personazh i njohur dhe i lakuar së tepërmi përsa i përket tenderave të fituar në ushqimet e spitaleve në vend.

Nga ana tjetër, operatori tjetër fitues, “DION-AL” SHPK, është në fakt ish kompania “Shpresa” SHPK pronarja e së cilës Shpresa Joanidhi u arrestua bashkë me shumë biznesmenë të tjerë në shtator të vitit 2019 për krijim skemash mashtrimi me Tatimin e Vlerës së Shtuar dhe u akuzuan nga prokuroria se i kishin shkaktuar shtetit një dëm prej miliona eurosh.

Çuditërisht, po kjo kompani, pas më pak se një viti, fiton një tender me shumën marramendëse prej 3,2 miliardë lekësh për gatimin dhe shpërndarjen e ushqimit të vetëm një spitali në Elbasan dhe qendrave në varësi të tij . Nuk ka shtet këtu, jo. Gjak e dhjamë o Shpresa!