Tirana e gratacelave me depozita uji mbi pallate dhe tela në ajër që fitoi çmimin si qyteti më i gjelbëruar në botë
Naim Noka

Tirana, e mbushur me dritat verbuese të gratacelave të reja, po na serviret si një metropol modern në rritje. Por nën këtë fasadë gënjeshtare fshihet një realitet i hidhur, ku infrastruktura bazike është po aq e prapambetur sa qeverisja që e lejon këtë kaos. Gratacelat që ngrihen me shpejtësi marramendëse mbi qytet nuk janë asgjë më shumë se një simbol i varfërisë së një sistemi të korruptuar, ku prioritet janë interesat e një grushti biznesmenësh dhe politikanësh të pangopur.
Tirana më në fund ka fituar çmimin si qyteti më i gjelbëruar në botë, falë parqeve të reja që ndodhen brenda fasadave të qelqit të kullave. Pemët janë bërë pothuajse virtuale – i sheh vetëm në projektet 3D të bashkisë. Plehrat në rrugë janë interpretuar si kompost natyral, dhe smogu është shpallur pjesë e biodiversitetit urban. Kopshtet me bar plastik dhe pemët prej metali janë dëshmi e përparimit teknologjik të kryeqytetit. Tirana na dëshmon se betoni mund të gjelbërohet, mjafton të besosh!
Depozitat e ujit mbi pallate: Një shekull pas në kohë

Në çdo cep të Tiranës, nga periferitë e deri në zemër të qytetit, ajo që bie në sy nuk janë vetëm godinat e larta, por edhe një imazh i neveritshëm – depozitat e ujit të vendosura mbi çatitë e pallateve. Në një kryeqytet që pretendon të jetë modern, ku miliona euro investohen për të ngritur qiellgërvishtëse, qytetarët e thjeshtë ende vuajnë për ujin e pijshëm. Depozitat e ujit nuk janë thjesht shenja e një infrastrukture të kalbur, por një denoncim i qartë i një shteti të paaftë për të ofruar shërbime bazike. Pse në vitin 2024 Tirana nuk ka ende një rrjet të denjë furnizimi me ujë të pijshëm, kur miliona derdhen për ndërtime pa kriter?
Telat dhe kabllo në ajër: Skandal pa Fund

Një tjetër simbol i gjendjes kaotike të qytetit janë kabllot e energjisë dhe internetit, të varura si rrjeta merimangash mbi kokat tona. Këto tela të ngatërruar që varen nga një shtyllë në tjetrën, janë një paralajmërim i heshtur i rrezikut që vjen nga neglizhenca e institucioneve. Qeveria e Tiranës preferon të investojë në sheshe luksoze dhe ndriçime spektakolare, por neglizhon faktin se çdo ditë qytetarët përballen me kërcënime për jetën nga një rrjet kabllor i papërgjegjshëm, që nuk i përket një qytetërimi të shekullit të XXI.
Në fund të ditës, kush përfiton?!
Ndërkohë që gratacelat shtohen dhe infrastruktura bazike shpërbëhet, qytetarët e zakonshëm janë lënë në harresë. Projekti për transformimin e Tiranës nuk është për njerëzit e zakonshëm; është një projekt për të pasurit, për oligarkët, për ata që ndërtojnë gratacela e që asnjëherë nuk jetojnë në to. Ndërkohë, ata që duhet të mbajnë mbi shpatulla barrën e kësaj junte urbanistike janë qytetarët që çdo ditë ngjiten nëpër çati për të kontrolluar depozitat e ujit dhe shohin mbi kokë tela që varen në ajër.
Ky është realiteti i hidhur i një Tirane që pret të lulëzojë, por që është e mbërthyer në mjerim urbanistik. Ky është dështimi total i një vizioni të mbështetur vetëm mbi fasada dhe beton, pa një qasje humane për jetën e përditshme të qytetarëve.
Transporti publik në Tiranë: Ku thërret qameti në kaosin e përditshëm
Tirana, kryeqyteti që pretendon modernitet dhe zhvillim, është kthyer në një arenë lufte për çdo qytetar që guxon të përdorë rrugët e saj. Nga trafiku i çmendur e deri te sistemi i rrënuar i transportit publik, qyteti duket më shumë si një qendër eksperimentale e dështuar urbanistike sesa një metropol funksional. Çdo ditë, mijëra qytetarë hyjnë në një betejë të pabarabartë me makinat, autobusët e mbushur plot e përplot dhe trafikun e përhershëm, ku sharjet dhe alarmi i borive është e vetmja gjë që dëgjohet.
Autobusët e qytetit: Një turp publik
Sistemi i transportit publik të Tiranës është një ndër më të këqijtë në rajon, dhe kjo nuk është e vështirë për t’u kuptuar.
Autobusët janë të vjetruar, të ngadalshëm dhe të mbingarkuar deri në atë pikë sa qytetarët janë të detyruar të qëndrojnë si sardele, janë të ndotur, shpesh të paajrosur dhe mund të ngecin në ndonjë stacion me motorin e prishur. Dhe kjo është përditshmëria e një qytetari që nuk ka luksin e një makine.
Ndërkohë, investimet në transportin publik janë më shumë show sesa përmirësim real. Përse një kryeqytet që po investon miliona euro në projekte të dyshimta dhe pa impakt afatgjatë, nuk mund të sigurojë një shërbim minimal të denjë për transport publik? Në vend të autobusëve modernë dhe rrugëve të mirëmbajtura, qytetarët përballen çdo ditë me një realitet të trishtë që vetëm sa u shton stresin në jetën e përditshme.
Trafiku: Një kaos pa fund
Trafiku në Tiranë është thjesht kaotik. Nga mëngjesi e deri në mbrëmje, rrugët janë të bllokuara nga makina që shkojnë diku, por kurrë nuk arrijnë në kohë. Të përpiqesh të lëvizësh me makinë është si të futesh në një rrjetë të pafund labirintesh, ku durimi të mbaron para se të kesh bërë ndonjë progres real. Dhe nuk ka ndonjë zgjidhje në horizont. Mungesa e vizionit dhe keqplanifikimi i rrugëve kanë krijuar një qytet ku makinat dominojnë çdo cep, ndërkohë që njerëzit mbeten të bllokuar në rrugë për orë të tëra.
Rrugët e ngushta, ndërtimet pa kriter dhe mungesa e investimeve në infrastrukturë kanë bërë që Tirana të përballet me një krizë trafiku që duket se nuk ka zgjidhje. Në vend që të ndërtohen rrugë të reja apo të përmirësohen ato ekzistuese, qyteti është mbushur me ndërtime të reja, që vetëm sa e përkeqësojnë situatën.
Beteja me boriet e makinave
Një nga sfidat më të mëdha të transportit publik janë makinat e parkuara në çdo cep të mundshëm. Autobusët shpesh ndalen ose vonohen për shkak të makinave që hedhin beton ngado duke bllokuar korsitë e tyre, duke krijuar një situatë të pashpresë për çdo pasagjer që pret në stacion. Beteja me makinat private është bërë një luftë për mbijetesë për çdo drejtues autobusi dhe çdo udhëtar.
Ndërkohë që Tirana përballet me sfidat e një qyteti që po zgjerohet me shpejtësi, neglizhenca ndaj transportit publik është një shenjë e qartë e dështimit të planifikimit urban dhe indiferencës së autoriteteve. Qytetarët e Tiranës do të vazhdojnë të jetojnë në një qytet ku kaosi zhurma e borive të makinave është krejt normale. Po normale është nyjet e lloj-lloj telave e kabllove mbi kokat tona. Kujtesë: Mos harroni të kontrolloni pompat shtytëse sepse nëse nuk mbushen depozitat lart mbi pallate nuk laheni dot!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



