Nnxënsit në Shkodër pa ngohje,”esnafi” i tenderave pazar me 544 milionë lekë!
Dy tenderat me “flamur të kuq” në Bashkinë Shkodër
SPAK duhet të ndërhyjë urgjentisht dhe të pezullojë të drejtën për tenderim të çdo zyrtari që është nën hetim për korrupsion. Shembulli më skandaloz është kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili, pavarësisht se emri i tij është përmendur në dosjet e tenderave të dyshimtë, vazhdon të shpërndajë qindra milionë lekë nga buxheti i bashkisë pa asnjë garë transparente.
Një nga rastet më flagrante është tenderi për “Instalimin e ngrohjes qendrore në shkollat 9-vjeçare” me një fond prej 240 milionë lekësh. Procedura është shpallur më 6 nëntor 2024, në mes të dimrit, dhe afati për dorëzimin e ofertave ka përfunduar më 21 nëntor. Siç pritej, gara ishte një farsë, pasi vetëm bashkimi i operatorëve ERXHEN sh.pk dhe NDËRTUESI 2014 shpk dorëzuan një ofertë prej 191 milionë lekësh.
Sipas rregullave të prokurimit, kur ka vetëm një ofertë të vlefshme, procedura duhet të anulohet. Por Beci, në mënyrë të përsëritur, e shpërfill këtë kërkesë ligjore. Kështu, tenderi u miratua dhe më 12 dhjetor 2024 u bë publike kontrata, e cila tashmë është vlerësuar nga Open Data Albania si një prokurim me “Flamur të Kuq”, duke treguar riskun e lartë për korrupsion.
Tenderi i dytë: Abuzimi vazhdon
Pak ditë më pas, një tjetër tender me objekt “Instalimi i sistemit të ngrohjes në shkollat B.Kadia, M.Logoreci dhe A.Hajdari” përsëriti të njëjtën skemë abuzive. Procedura u mbyll më 21 nëntor 2024, dhe sërish, e vetmja ofertë e dorëzuar ishte nga të njëjtat kompani: ERXHEN sh.pk dhe NDËRTUESI 2014 shpk. Kjo kontratë, me një vlerë totale prej 353 milionë lekësh, u shpall fituese më 10 dhjetor 2024, pa asnjë shqyrtim të shkeljeve ligjore.
Në total, në një ditë janë kaluar dy kontrata abuzive me vlerë 544 milionë lekë. Për më tepër, meqenëse kryebashkiaku kishte çështje të tjera në SPAK, kontratat janë firmosur nga nënkryetari i bashkisë me autorizim të Becit.
Pse hesht SPAK?
Ndërsa fondet publike ndahen mes miqve dhe klientëve të preferuar të kryebashkiakut, qytetarët dhe institucionet arsimore mbeten të nëpërkëmbura. SPAK duhet të veprojë menjëherë, duke ndaluar këtë valë abuzimi dhe duke vendosur para drejtësisë çdo zyrtar të përfshirë. Ligji për prokurimet nuk mund të jetë një farsë, e aq më pak një mbulesë për korrupsionin e hapur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


