Dy biznese janë ankuar në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) për procedurat e super tenderit për mirëmbajtjen e shpërndarësit TVB-T2 (dekoderat). Tenderi u hartua nga ish-drejtorja e komanduar e RTSH, Aurora Polo dhe ka vazhduar pasi drejtimin e institucionit e mori Eni Vasili. Të bën përshtypje se procedurat nisën me shpejtësi gjatë kohës kur Kuvendi po zgjidhte pasuesen e Alfred Pezës dhe pritej që më 7 prill 2025 të shpallej fituesi.
Por këto ditë mësojmë se tenderi është pezulluar nga denoncimet ndaj komisionit të vlerësimit të ofertave. Më 16 maj 2025, në sistemin elektronik të Komisionit të Prokurimeve Publike është dorëzuar ankesa e bashkimit të operatorëve ekonomikë “Idea Tel” SHPK & “Real Com” SHPK për procedurën e prokurimit me objekt “Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për Rrjetin e Shpërndarjes DVB-T2 për 48 (dyzetë e tetë) muaj”.
Tenderi që zyrtarisht është hapur më 6 mars 2025 e ka fondin limit fond 907,816,536.8 lekë pa tvsh ose 9,156,914.8 euro pa tvsh. Përllogaritja me sa duket është bazuar në kontratën e mirëmbajtjes që ka pasur operatori i mëparshëm, të cilit sapo i ka përfunduar kontrata. Marrëveshja për shërbimin e mirëmbajtjes së rrjetit të shpërndarjes DVBT2, lidhur ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH-së dhe shoqërisë ‘Rohde & Schwarz”, në një periudhë 4 vjeçare nga 1 marsi 2021, në vlerën 8.795.962 euro, me vlerë vjetore 2.1 milionë euro, mujore në vlerën 183.250 euro.
Rrjeti i transmetimit të sinjalit televiziv publik, në standardin DVB-T2 mbështetet edhe nga një numër i konsiderueshëm operatorësh lokalë që përdorin këtë rrjet për transmetimet e tyre.
Komisionit të Vlerësimit të Ofertave mbi skualifikimin e ofertës të paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë ankimues “Idea Tel” SHPK & “Real Com” SHPK, si dhe lënien të skualifikuar dhe shtimin e arsyeve të skualifikimit të operatorit ekonomik “R&T” SHPK dhe “”TBS 96” SHPK.
“Idea Tel” shpk me pronar Idlir Karkini dhe “Real-Com” e Servet Kasës kërkojnë të shfuqizohet vendimi i RTSH për skualifikimin e tyre. Jo vetëm kaq, por duan të shtohen arsyet e skualifikimit të konkurrentit të tyre “R & T” SHPK, që është në pronësinë e Renis Tërshanës. Të dy grupet e konkurrentëve hyjnë në kompanitë që janë favorizuar vazhdimisht nga zyrtarët në prokurime të tilla. Ndërkaq, operatori tjetër për të cilin kërkohet shtimin e arsyeve skualifikim është T.B.S 96 SH.P.K. me pronar Artan Xhorin. Ky i fundit është i njohur për skandalin e tenderit të respiratorëve gjatë pandemisë COVID-19 dhe është nën hetim nga SPAK.
Sipas dokumenteve të tenderit, firma ankuese e Idlir Karkinit është skualifikuar sepse nuk përmbush kriterin e kapacitetit financiar. Kusht i tenderit është që xhiroja e njërit prej tre viteve të fundit të operatorit pjesëmarrës të jetë sa 40% e vlerës së kontratës.
Ndërkaq, dy operatorët e tjerë janë shkualifikuar se nuk kanë dëshmi të shërbimeve të mëparshme të ngjashme me objektin e tenderit.
Ndërkaq edhe konkurrentët nuk e kanë lënë me kaq. “R&T” shpk ka bërë ankesë në KPP për arsyet e skualifikimit.
Komisioni i RTSH e ka skualifikuar kompaninë e Renis Tërshanës me argumentin “mungesa e përvojës specifike e kompanisë R&T shpk përbën një rrezik të lartë operacional për garantimin e cilësisë dhe vazhdimësisë së shërbimit”.
Për momentin tenderi është i bllokuar deri në vendimin që do të marrë Jonaid Myzyri i KPP-së, por është e qartë se fituesi do të vendoset nga “lart”, jo nga RTSH.