SPAK fshehu procedimin ndaj Benet Becit para zgjedhjeve

Benet Beci u mor i pandehur nga SPAK 3 javë para zgjedhjeve

Afati 3 mujor i zgjatjes së hetimeve përfundon në gusht aty ku spak do vendos për dërgimin e dosjes në gjyq.

Të dhënat për hetimin ndaj Becit dhe 4 personave të tjerë janë përftuar nga ekzaminimi i telefonit të ish kreut të ARSH z.Berberi i arrestuar.

Benet Beci, kryebashkiaku aktual i Shkodrës dhe një prej figurave të preferuara të kryeministrit Rama, është vënë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK më 23 prill 2025, plot tre javë përpara mbajtjes së zgjedhjeve. Por ky zhvillim i rëndësishëm penal nuk është bërë publik në asnjë moment nga organi i akuzës. Vendimi për ta mbajtur të fshehtë procedimin penal ka ngritur dyshime serioze mbi transparencën e Prokurorisë së Posaçme, sidomos kur bëhet fjalë për figura të rëndësishme të mazhorancës.

Sipas dokumenteve Benet Beci është marrë i pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim me 6 zyrtarë të tjerë: Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni, Adela Ruko dhe Premtim Dauti.

Bëhet fjalë për një procedurë prokurimi të zhvilluar më 18 dhjetor 2019 nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me një fond limit prej 69.5 milionë lekësh.

Në atë kohë, Benet Beci mbante detyrën e drejtorit të KESH-it, institucion ku më herët kishte shërbyer edhe si drejtor i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, një tjetër strukturë kyçe në shpërndarjen e fondeve publike.

Prokuroria e Posaçme, sipas dokumentit, e regjistroi çështjen si procedim penal më 14 tetor 2024. Vetëm pak ditë më pas, më 23 tetor, emrat e të pandehurve, përfshirë Benet Beci, u shënuan zyrtarisht në regjistrin penal. Gjithsesi, SPAK nuk e bëri publik këtë fakt as në raportet e saj mujore dhe as në ndonjë komunikatë për shtyp – një vendim që bie ndesh me vetë frymën e transparencës që ky institucion ka pretenduar të mbrojë që prej themelimit.

Ndërkohë, Benet Beci vijoi pa pengesë fushatën dhe fitoren e zgjedhjeve për Bashkinë e Shkodrës, ndërsa publiku nuk ishte në dijeni se ai po hetohej zyrtarisht nga SPAK për abuzim me procedurat e tenderimit.

Ky rast shton edhe më shumë dyshimet për një standard të dyfishtë në ndjekjen penale nga SPAK, sidomos ndaj eksponentëve të mazhorancës. Nëse procedimi ndaj Benet Becit do të ishte bërë publik në kohën e duhur, fushata dhe rezultati në Shkodër do të merrnin një tjetër drejtim. Por heshtja e Prokurorisë së Posaçme i shërbeu qartësisht ruajtjes së status quo-së politike.

Në vend të drejtësisë, kemi një heshtje të koordinuar. Në vend të transparencës, kemi favorizim të heshtur. E ndërsa qytetarët presin me shpresë që SPAK të çlirojë politikën nga korrupsioni, duket se Prokuroria vazhdon të seleksionojë drejtësinë, njëlloj siç u akuzuan më parë të tjerët që ajo sot i ndjek.

Publikuar nga Publik Media