E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kurti në Shkup: Kosovës t’i garantohet barazia në programet e BE
Bota

Kurti në Shkup: Kosovës t’i garantohet barazia në programet e BE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, që u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut, nën tematikën “Stabiliteti, Uniteti dhe e Ardhmja”.

Kryeministri Kurti ishte pjesë e panelit të parë të diskutimit ndërmjet liderëve me temën “Plani i Rritjes: Vlerësim, puna e ardhshme dhe komunikimi”.

Në fjalën e tij, ai vlerësoi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian si një hap të rëndësishëm, duke theksuar se mbështetja e BE-së për vendet e rajonit duhet të jetë në përputhje me përkushtimin e tyre ndaj reformave, progresit demokratik dhe vlerave të përbashkëta evropiane. Në këtë kuadër, ai kërkoi që Kosovës t’i garantohet qasje e barabartë në programet dhe instrumentet e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kurti rikonfirmoi mbështetjen e Kosovës për nismat e BE-së në kuadër të Planit të Rritjes, përfshirë turizmin, mbrojtjen e konsumatorit dhe “Autostradën e Tregut të Përbashkët”, ndërsa propozoi tre sektorë të tjerë me potencial bashkëpunimi: shërbimet digjitale konkurruese, përfshirë zhvillimin e softuerëve, sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e strukturuara; sektorin e mbrojtjes; dhe sektorin e bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit.

Në përmbyllje, kryeministri Kurti theksoi se siguria është parakusht për zhvillim dhe rritje, duke vënë në pah se Ballkani Perëndimor nuk është i shkëputur nga rrafshi gjeopolitik i Evropës. Ai mirëpriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të parandaluar Iranin që të pajiset me armë bërthamore, si dhe vendimin e anëtarëve të NATO-s në Samitin e Hagës për të rritur shpenzimet për mbrojtje në 5% të Bruto Prodhimit Vendor.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.