Këshilli Bashkiak në Tiranë hap mbledhjen për shkarkimin e Veliajt, përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës
Këshillin Bashkiak të Tiranës ka nisur mbledhja e jashtëzakonshme ku shqyrtohet propozimi për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Rendi i ditës u miratua me 12 vota pro dhe një abstenim, ndërsa disa anëtarë munguan, përfshirë Gaz Pajën, Aldo Merkocin dhe Joleza Kokën, të cilët nuk pritet të mbështesin shkarkimin.
Diskutimet u shoqëruan me tone të forta politike. Anëtarja demokrate Ilda Zhulali deklaroi se vendimi është i paplotë pa praninë e vetë Veliajt.
“Erion Veliaj duhet të ishte këtu. Për sa kohë ju ia mohuat, mua më vjen mirë që ai sot mori shijen e gjellës që ka gatuar vetë gjithë këto vite. Le ta provojë nga qelia ku është. Ai duhej të ishte shkarkuar që në vitin 2023,” tha Zhulali.
Në të njëjtën linjë, Endri Shabani kritikoi mosveprimin e mëparshëm të këshillit dhe theksoi se Veliaj ka mbajtur qytetin “peng”.
“Kërkesa ime është injoruar për muaj të tërë. Ai e di shumë mirë që nuk është kryetar. Duhet ta kishte dhënë dorëheqjen në dhjetor, në shkurt kur u arrestua, apo në korrik kur Gjykata e Lartë vendosi që nuk do dilte nga burgu. Çdo anëtar i PS duhet të nisë me ndjesë ndaj qytetarëve të Tiranës,” tha Shabani.
Nga ana e tij, Dorjan Teliti e cilësoi votimin si një akt historik dhe tha se qyteti po lirohet nga pengmarrja politike.
“Ne sot i bashkuam votat jo ne me ju, por ju me ne. Kemi katër muaj që e kërkojmë këtë ditë. Do ta votoj me të dyja duart. Veliaj kishte marrë kompetencat financiare të këshillit, që nuk i takonin. Jetesa e qytetarëve është përkeqësuar,” tha Teliti.
Por në sallë pati edhe zëra më të përmbajtur. Këshilltari Luan Bregasi theksoi se nuk bëhet fjalë për një gjyq ndaj Veliajt, por për një procedurë të zakonshme mes këshillit dhe kryebashkiakut.
“Kjo është një mbledhje normale, një raport institucional. Gjyqin Veliajt do t’ia bëjnë gjykatat. Ne sot po zbatojmë detyrimet tona ligjore,” tha Bregasi, duke shtuar se disa muaj më parë nuk kishte ende qartësi për ecurinë e çështjes gjyqësore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



