Paralajmërimi i fortë i zv.ministrit të Ramës: I ka ditët e numëruara!
Studiuesi Taulant Muka, gjatë një interviste në emisionin “Quo Vadis”, ka akuzuar qeverinë shqiptare për ndërtimin e një sistemi që, sipas tij, ka kapur shtetin dhe ka vënë institucionet në funksion të interesave politike.
Muka deklaroi se kryeministri Edi Rama ndodhet në një fazë të qartë rënieje politike dhe se mandati i tij po shkon drejt fundit. Sipas tij, që në fillim të qeverisjes, Rama ka përdorur paranë publike si mjet për të siguruar zgjedhjet e ardhshme, duke ndërtuar një mekanizëm që sot po e mbyt vetë pushtetin.
“Sistemi që ai ka krijuar, duke përdorur paranë publike që në fillim të mandatit në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, është sistemi që ka kapur shtetin. Rama ka rënë, ditët i ka të numëruara. Nuk ka më ku të shkojë, pavarësisht sistemit që ka ndërtuar, për t’i shpëtuar kësaj gjendjeje katastrofike,” u shpreh Muka.
Ai theksoi se ka disa sinjale të qarta që tregojnë rënien e kryeministrit, duke u ndalur te raporti i tij me drejtësinë dhe SPAK-un. Sipas Mukës, ndryshe nga e kaluara, Rama nuk po distancohet më nga personat që dalin përpara drejtësisë.
“Në momentin që dilnin njerëz të akuzuar nga SPAK, Rama i lëshonte. Sot është hera e parë që ai nuk po lëshon asnjë prej personave që po dalin para SPAK. Pse? Sepse rënia e tyre do të thotë rënie e Ramës,” tha studiuesi.
Në këtë kontekst, Muka u ndal veçanërisht te drejtuesja e AKSHI-t, të cilën e cilësoi si simbol të kapjes së shtetit. Ai ngriti shqetësimin për sigurinë e të dhënave shtetërore dhe personale, duke theksuar se ato janë vënë në rrezik serioz.
“Drejtoresha e AKSHI-t është simboli i marrjes peng të një shteti. Të gjitha të dhënat tona janë aty, të marra nga mafia. Është cenuar jo vetëm siguria jonë, por edhe e shteteve të tjera, pasi bëhet fjalë edhe për punonjës të ambasadave,” deklaroi Muka.
Sipas tij, fakti që drejtuesja e AKSHI-t vijon të mbetet në detyrë, pavarësisht akuzave dhe skandaleve, është një tjetër tregues i kapjes së institucioneve dhe i krizës së thellë politike në vend.
“Nuk është shkarkuar nga detyra dhe vazhdon të qëndrojë në post, çka flet shumë për gjendjen reale të shtetit,” përfundoi Muka.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



