‘Pazari’ i rradhës PS-PD për Reformën Territoriale me mbi 90 bashki
Socialistët dhe demokratët kishin hedhur hapa drejt një marrëveshjeje paraprake për reformën territoriale, por procesi duket se është futur në ngërç pas vendimit të opozitës për t’u tërhequr nga Komisioni parlamentar, pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Mësohet se mes palëve kishin nisur negociata konkrete për rikonfigurimin e pushtetit vendor, me një model të ri funksionimi të ndarë në dy nivele qeverisjeje.
Reforma administrativo-territoriale nuk do të kufizohej vetëm në rishikimin e hartës së bashkive, por parashikonte edhe një ridimensionim të kompetencave, duke ndryshuar thellësisht mënyrën se si administrohet territori.
Edhe pse Partia Socialiste ka mbajtur historikisht qëndrimin për uljen e numrit të bashkive, në këto bisedime ishte arritur një kompromis për rritjen e tyre nga 61 aktualisht në mbi 90 njësi vendore. Megjithatë, këto bashki do të kishin kompetenca të kufizuara, të përqendruara kryesisht në administrimin e përditshëm të qyteteve.
Në këtë formulë, kompetencat kyçe – financat, politikat e zhvillimit dhe planifikimi strategjik – do t’i kalonin një niveli më të lartë administrimi, konkretisht qarqeve, të cilat sipas propozimit mund të rikonceptoheshin edhe në emërtim, me variantin që të quheshin “superbashki”.
Sipas draftit të diskutuar, këto struktura të reja do të drejtoheshin nga organe të zgjedhura drejtpërdrejt nga qytetarët. Kryetari i Qarkut dhe Këshilli përkatës do të zgjidheshin me votë popullore dhe do të kishin nën administrim jo vetëm buxhetet, por edhe hartimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit territorial.
Megjithatë, kjo marrëveshje paraprake ka mbetur pezull. Partia Demokratike ka vendosur të tërhiqet nga komisionet e posaçme parlamentare, si ai për reformën territoriale, ashtu edhe për reformën zgjedhore, duke vendosur si kusht të panegociueshëm rikthimin e saj në këto procese nën rrethana të tjera politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



