U përplas nga djali i policit me BMW, ndërron jetë te Trauma 33-vjeçari

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një aksident i rëndë rrugor në Tiranë ka marrë përmasa tragjike, pasi 33-vjeçari Kristo Liço ka ndërruar jetë në spital pas disa ditësh në gjendje kritike.

Ngjarja ndodhi mesditën e 1 prillit në rrugën “Naim Frashëri”, në zonën e Mëzezit, pranë ish-depove të naftës. I riu, me origjinë nga Përmeti, po udhëtonte me motor së bashku me një 20-vjeçare, kur u përplas nga një automjet tip “BMW”, i drejtuar nga 18-vjeçari Endri Brailika.

Sipas të dhënave paraprake, makina lëvizte me shpejtësi të lartë, çka dyshohet se ishte shkaku kryesor i përplasjes së fortë. Pas aksidentit, të plagosurit u transportuan me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku 33-vjeçari luftoi për jetën për disa ditë, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Ndërkohë, 20-vjeçarja që udhëtonte si pasagjere me motorin ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Rasti ka ngjallur reagime dhe pikëpyetje, pasi drejtuesi i mjetit është lënë i lirë menjëherë pas aksidentit. Ky fakt ka shtuar dyshimet dhe debatet publike, sidomos për shkak të lidhjeve familjare të tij, pasi sipas raportimeve të mediave, babai i 18-vjeçarit është efektiv i forcave RENEA.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje diskutimin mbi barazinë përpara ligjit dhe mënyrën se si trajtohen raste të tilla nga institucionet përgjegjëse. Tashmë, pas humbjes së jetës së 33-vjeçarit, pritet që hetimet të marrin një tjetër rrjedhë dhe të përcaktohen qartë përgjegjësitë ligjore.

Publikuar nga Publik Media