Shtetasja e mashtruar gjurmon transaksionet dhe çon hetimet drejt dy emrave kyç në Tiranë që përfitonin miliona përmes kriptovalutave
Hetimet për rrjetin e call center-ave mashtrues në Tiranë kanë nxjerrë në pah detaje të reja mbi mënyrën se si përdoreshin kriptovalutat për të zhdukur gjurmët e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme. Sipas dosjes hetimore, mësohet se në qendër të skemës rezultojnë dy persona: Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra.
Sipas organit të akuzës, Mateo Hoxha, 24 vjeç, dyshohet të ketë përfituar rreth 3.2 milionë dollarë, ndërsa Tedi Agastra, 23 vjeç, rreth 4.8 milionë dollarë. Paratë, sipas dokumenteve hetimore, kalonin fillimisht në adresa kripto dhe më pas zhvendoseshin në portofola të tjerë digjitalë për të fshehur origjinën e tyre.
“Të dy gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa Kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera Kripto”, thuhet në dosje, duke përshkruar qartë mekanizmin e përdorur për të humbur gjurmët financiare.
Emri i Tedi Agastra nuk është i panjohur për drejtësinë. Ai ka qenë më herët nën hetim nga Prokuroria e Tiranës gjatë vitit 2024, në një procedim ku u lëshuan 19 urdhër-arreste për “ushtrim pa licencë të veprimtarive financiare” dhe “fshehje të të ardhurave”.
Në të njëjtën çështje është dokumentuar edhe bashkëpunimi i tij me të atin, Arbëror Agastra, i cili administron një zyrë këmbimi valutor “Alba Forex” në rrugën “Abdyl Frashëri”. Sipas hetimeve, aty realizohej kthimi i kriptomonedhave në para cash. Në këtë ambient, që prej dhjetorit 2024, rezulton të ketë punuar edhe Mateo Hoxha.
Aktualisht, Arbëror Agastra ndodhet nën masën “arrest në shtëpi” për çështjen e mëparshme. Në të njëjtin hetim është përmendur edhe Evis Sopi, i cili dyshohet se përdorte një exchange për të konvertuar kriptovalutat në para fizike.
Hetimet për këtë rrjet kanë nisur që në vitin 2024 nga Prokuroria e Tiranës, por ato morën një shtysë të re në janar 2025, kur autoritetet austriake raportuan kallëzime të tjera nga qytetarë të mashtruar. Sipas tyre, persona që prezantoheshin si këshilltarë financiarë i bindnin të investonin në platformën “imctrading”.
Një nga viktimat në Austri ka arritur të ndjekë gjurmën e parave të saj përmes një kompanie shkëmbimi kriptomonedhash. Përgjigjja që ajo mori lidhte drejtpërdrejt transaksionet me dy të rinjtë shqiptarë, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra, duke i vendosur ata në qendër të skemës së dyshuar mashtruese.
Pjesë nga dosja:
Nga ana e autoriteteve Austriake nëpërmjet Oficerit të kontaktit në datë 14.01 jemi informuar se rrjeti i Call Centerave për të cilin po hetohet kishte lidhje me dy shtetas te cilët sipas tyre ishin përfitues fundor të kriptovalutave të këtyre Call Center. Sipas këtij informacioni këta ishin shtetasit Mateo Hoxha, i cili kishte përfituar në total 3.219.915 USD dhe shtetasi Tedi Agastra i cili kishte përfituar 4.811.154 USD.
Në kuadër të hetimit të një procedimi tjetër të zhvilluar pranë kësaj prokurorie konkretisht Procedimit Penal 3167/2024 të realizuar nëpërmjet metodave speciale të hetimit është arritur të dokumentohej dhe në përfundim të lëshoheshin nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë 19 urdhër arreste për veprat penale të “Ushtrimi pa licencë të veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga nenet 170/ç dhe 180.
Vlen të theksohet fakti se në procedimin e mësipërm njëri nga të arrestuarit ishte dhe shtetasi Tedi Arbëror Agastra, i datëlindjes 19.06.2003. Ky shtetas në bashkëpunim me babain e tij i cili ka zyrën e këmbimit valutor “Alba Forex” të ndodhur në rrugën “Abdyl Frashëri”, ku në procedimin tjetër i është dokumentuar këmbimi i kriptovalutave në para FIAT.
Babai i tij shtetasi Arbëror Agastra është nën masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”. Në lidhje me shtetasit Mateo Hoxha rezulton të jetë njohje dhe punonjës nga muaji Dhjetor 2024 i zyrës së këmbimit valutor “Alba Forex”.
Në datë 20.01.2025 oficeri i kontaktit ka informuar nëpërmjet shkresës përkatëse se në shtetin austriak janë depozituar kallëzime të reja nga shtetas austriakë. E dëmtuara është kontaktuar nëpërmjet telefonit nga këshilltarë financiarë të supozuar dhe është ftuar që të bënte investime në platformën “imctrading”. Transaksionet janë kryer në data të ndryshme.
Pas interesimit të të dëmtuarës në sistemin “OKX”, në datë 01.01.2025 “OKX” ka kthyer informacion të detajuar për trasnaksionet dhe këto transaksione lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me shetasit Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra. Të dy këta shtetas gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa Kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera Kripto.







