E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Reforma në arsim, “revolucioni” i peshës së çantave shkollore
Sot

Reforma në arsim, “revolucioni” i peshës së çantave shkollore

Ju kujtohet një skenë nga komedia “Pallati 176”? Skena kur po kërkojnë që Sandrin ta fejojnë? Në një moment Jovan Bregu pyet:

-Po mirë, Sandrin e keni pyetur juve?

– Jo! E pse ta pyesim?- përgjigjet motra e tij.

– Si moj jo? Po ai është i zoti i punës!- thotë Jovani…

E, pra, e gjithë situata e këtyre ditëve në arsim, me gjasme reformën e re, këtë skenë më kujton. Një reformë që bëhet pa u konsultuar me ata që janë specialistët e arsimit, me ata që përballen çdo ditë me problemet e vërteta të arsimit, me ata që nuk shkojnë pas “berihajt” politik e qeveritar: Me MËSUESIT! Por çfarë thotë nisma e re? “Tri lëndë në gjashtë orë” është nisma e re e cila do të praktikohet që nga data 1 shkurt në arsimin parauniversitar. Në bazë të kësaj nisme do të ndryshojë në mënyrë thelbësore orari i përditshëm i nxënësve. Sipas MAS një prej ndryshimeve të nevojshme dhe të domosdoshme për përmirësimin e efektivitetit të procesit të të nxënit të nxënësve është rritja e fleksibilitetit të shkollës për të menaxhuar dhe për të organizuar orarin mësimor. Në sistemin arsimor parauniversitar, për çdo ditë nxënësit zhvillojnë 4 – 6 orë mësimore/ditë, në varësi të nivelit të arsimit (në arsimin fillor 4-5 orë/ditë, në arsimin e mesëm të ulët dhe të lartë 5-6 orë/ditë). Ora e mësimit zgjat 45 minuta. Aktualisht, shkollat e ndërtojnë orarin mësimor duke planifikuar për çdo ditë lëndë të ndryshme, në varësi të numrit të orëve për secilën klasë, që do të thotë nxënësit zhvillojnë 4- 6 lëndë në ditë.

Ky model i organizimit të orarit, i zhvilluar deri më tani, në shumë raste sjell mbingarkesë të nxënësve, në lidhje me numrin e lëndëve që duhet të studiojnë për çdo ditë (deri në 6 lëndë/ditë), shqetësim i cili shoqërohet edhe me pasoja të tjera, si për shembull: – Numri i madh i lëndëve që nxënësit zhvillojnë brenda një dite, sjell ngarkesë të përditshme të teksteve dhe të fletoreve, të cilat nxënësit duhet t’i marrin me vete në shkollë. Aktualisht, pesha e çantave që duhet të mbajë një fëmijë e tejkalon raportin peshë çantë/ peshë trupore. – Në shumë raste gjatë 45 minutave, për zhvillimin e disa lëndëve, mësuesit “marrin kohë” nga pushimet midis orëve ose nga orët e lëndëve të tjera “më pak të rëndësishme”. – Në disa raste, nxënësve u mungon koha e nevojshme për të kryer detyra që kërkojnë zbatim të njohurive, punë në grup, punë të pavarur etj. Në bazë të këtij ndryshimi, shkolla mund të riorganizojë orët mësimore të lëndëve, duke zhvilluar për një lëndë, 2 (dy) orë mësimore të njëpasnjëshme (45 + 45), sigurisht me pushimin 5- minutësh ndërmjet tyre. Kjo do të thotë që nxënësi mund të zhvillojë në një ditë 3 lëndë të ndryshme dhe jo 6 lëndë të ndryshme.

Zhvillimi i lëndëve mësimore në dy orë të njëpasnjëshme brenda një dite është një praktikë që zbatohet edhe në vendet e tjera. Qëllimi i kurrikulës, sipas MAS së re është që të ndërtojë dhe të zhvillojë kompetenca te nxënësit. Kjo do të thotë që gjatë orës së mësimit të përdoren metoda, teknika dhe strategji, të cilat do t’u mundësojnë nxënësve që të ndërtojnë vetë dijet dhe njohuritë e tyre. Kjo nismë do të zbatohet në të gjitha shkollat e arsimit bazë dhe arsimit të mesëm të lartë. Referuar kësaj nisme, shkollat kanë lirinë dhe fleksibilietin të riorganizojnë orët mësimore për secilën lëndë, të përcaktuara në planin mësimor të arsimit bazë dhe arsimit të mesëm të lartë, duke bërë grupime të këtyre orëve. Brenda një dite mësimi, një lëndë mund të zhvillohet në dy orë mësimore të njëpasnjëshme (45 min + 45min), me 5 minuta pushim në mes.”

  1. Që të ketë reformë në arsim, sidomos reforma për të mirën e arsimit, dijes e kombit, nuk ka njeri në këtë vend që të mos jetë dakord, por mënyra dhe argumentet në rastin tonë nuk qëndrojnë. Unë e kuptoj që qeveria ka parasysh (hahaha) shkollën ideale, nxënësit idealë, prindërit idealë, programet ideale, shoqërinë ideale, kuadrin ideal ligjor, por a është vërtet kështu? Procedura e pranimit dhe zbatimit të kësaj nisme, është jashtë çdo kriteri profesional dhe shkencor. Me ndërhyrjet e vazhdueshme në sistemin arsimor shqiptar nxënësit janë shndërruar në kavje eksperimentale me pasoja të pariparueshme për kombin. Kujtonin ndryshimin (përsëri në mes të vitit shkollor në 2014) në ligjin për Arsimin e lartë dhe Maturën Shtetërore, gjë që çorientoi dhe la shumë maturantë pa shkuar në degën e tyre të preferuar dhe mbushi universitetet private… Dhe, në shqipëri vitet e fundit, reformat janë bërë pa e ditur gjendjen reale apo terapia është dhënë pa bërë diagnostikimin e saktë të sëmundje. Mënyra e marrjes së vendimit nga instanca të larta ekzekutivo – administrative është jashtëzakonisht shqetësuese dhe e papranueshme. Armiku më i madh i ndryshimeve cilësore në edukim dhe arsim është inkompetenca e forcave të ndryshimit – mendjes së pashkolluar, të cilët nuk munden të depërtojnë në thellësinë shumë komplekse dhe të ndërlikuar të reformave arsimore, me impakt në të ardhmen e vetë kombit. Po i marr me radhë “argumentet”e përdorura dhe do të përpiqem t’i rrëyoj, jo vetëm me argumente logjike, por edhe ligjore, profesionale e pedagogjike.

– Nga ana ligjore, kjo nismë shkel disa ligje dhe nuk mund të zbatohet, pasi nuk mund të bëhen ndryshime apriori në mes të vitit shkollor, duke përmbysur të gjitha planet, organizimin e punën përgatitore të mësuesve, madje edhe të vetë nxënësve. Sipas pretendimit të ministres dhe vetë kryeministrit kjo ka ardhur si pasojë e disa kërkesave dhe kontakteve me disa mësues, prindër, pskologë dhe nxënës, në nismën për bashkëqeverisjen me popullin! Por, ata janë DISA, d.m.th pakica, jo shumica. As specialistë të mirëfilltë të arsimit dhe as ligjvënës. DISA! Këta DISA kanë emër e mbiemër, tagër profesional e pedagogjik dhe, sa transperente ishte e gjitha procedura e propozimit të tyre??? Logjika të thotë që është “propozim nga poshtë, i imponuar nga lart”! Apo mos vallë risjellim thënien e famshme të Enver Hoxhës: “Ç’do populli bën Partia. Ç’thotë partia bën populli!”?…

– Sa do të ndikojë kjo mënyrë në “fleksibilitetin e riorganizimit të orëve mësimore? Ndikim do të ketë, por do të jetë ndikim negativ. Si nga ana pedagogjike, ashtu edhe shkencore.

Të gjithë ata që jenë me të vërtetë MËSUES e kuptojnë që zhvillimi i orëve 90 minutëshe, qoftë edhe me pushim 5 minutësh në mes është absurd. Për faktin se psikologjikisht nxënësi, por edhe mësuesi lodhet dhe stresohet me të njëjtët nxënës për një periudhë të gjatë kohore. Kurrikulat dhe tekstet mësimore janë parashikuar që të zhvillohen në një orar 45 minutësh. Tekstet e reja mësimore janë thjeshtëzuar jashtëzakonisht, që nxënësi të mos ngarkohet. Njohuritë e reja janë reduktuar në 3-4 paragrafë dhe ushtrimet në lëndët kryesore të shkollës janë jo më tepër se 5 pas një mësimi të ri. Pretendimi se orën e dytë mësuesi do të punojë me detyrat dhe me përvetësimin e mësimit të ri, bie, pasi nxënësi po nuk u përgatit në mënyrë individuale nuk mund të kryejë detyrat. Gjithashtu në këtë mënyrë gjysma e planit aktual ose do të ngelet pa u realizuar ose pa u përvetësuar nga nxënësit.

Pra, njohuritë e tyre do të jenë gjysmake. Në lëndën e letërsisë që ka edhe komente, si mund të zhvillohet ora e dytë e komentit, pa u përvetësuar njohuritë teorike të analizës së veprës letrare. Po ashtu edhe në matematikë, fizikë, kimi, biologji, etj, etj. Nga ana tjetër, nxënësit në përgatitjen e tyre, veç mësuesit, tekstit duhet të përdorin edhe mjete e burime të tjera. Sa ekziston nëpër shkollat shqiptare infrastruktura në lidhje me këtë çështje. Sa shkolla kanë internet e kompjuter për çdo nxënës? Sa të ndërgjegjshëm janë nxënësit që orën e dytë të punojnë vërtet e të mos nxjerrin justifikime të llojllojshme për të abuzuar e shtyrë orën?

– Një tjetër “argument” është pesha e çantës dhe e raportit të padrejtë peshë e çantës/ peshë trupore. Uau! Çfarë argumenti. Është argument që qëndron, por që zgjidhet fare lehtë. Dy palë libra. Një palë në shkollë dhe një palë në shtëpi. Dhe, meqënëse qeveria ka shumë merak për shtrembërimin dhe deformimin e shpinës së tyre, le t’ua subvencionojë e paguajë një palë libra. Ose të investojë paraprakisht në infrastrukturën e shkollave dhe futjen e teknonlogjisë në to. Propozimi nuk më duket i qëlluar, sepse kjo “risi” duket se ka për qëllim vetëm uljen e peshës së çantave. Propozimi i dhënë, do të mbingarkojë nxënësit. Zhvillimi i orëve 90 minuta do të ndikojë në humbjen e zhvillimit të një mësimi tërheqës e të këndshëm, i cili më pas do përkeqësojë cilësinë e mësimdhënies dhe të nxënit dhe në analizë të fundit dëmin e pariparueshëm të kombit.

Një tjetër “argument” është se mësuesit “inkompetentë” u “marrin nxënësve pushimin pesë minutësh dhe marrin edhe disa minuta nga orët e tjera “më pak të rëndësishme”. E, argumenti bie vetë. Kuptohet që është një argument i sforcuar i shkruar shkel e shko, sa për të të plotësuar numrin e argumenteve, që i duheshin kësaj “nisme”. Thuhet se zbatohet kjo mënyrë edhe në vende të tjera, por cilat janë ato vende? Të na përmanden vendet dhe rezultatet e kësaj reforme. Të paktën në nja dhjetë shtete ku kam qenë dhe për shumë vende që kam lexuar e jam informuar për sistemin e tyre arsimor nuk e kam parë këtë gjë… Nga ana tjetër, orari do të jetë i komplikuar, me javë çift dhe javë tek. Gjë që do të sjellë pështjellim, sidomos në lëndët, 1, 3 dhe 5 orëshe. Nga ana praktike, nxënësit do të qëndrojnë më shumë orë në shkollë, sepse java çift do të ketë edhe ditë me 8 orë. Pra, nxënësit do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 15 (1-2 orë më tepër). Sa të lumtur janë prindërit në këtë rast dhe sa të mjerë mësuesit, të cilët do të punojnë shumë herë e shumë orë më tepër pa u paguar. – Por si mund të përgatitësh e shpallësh një reformë në arsim, në njërën nga fushat me rëndësi të veçantë kombëtare, kur nuk ke parashikuar kurrikulat, tekstet, normën e mësuesve, etj, etj?. Dyshues siç jam, mendoj se e gjitha kjo është bërë me një qëllim të errët. Ndoshta kjo “reformë” do të zbatohet dhe në fund të vitit ministria të thotë se tekstet janë të papërshtatshme dhe se do të çelet një tender i ri për tekste të tjera. Lë shkas kjo për abuzime, korrupsion?

2. Dua të vij tani tek një tjetër parametër, i cili qëllimisht sulmohet e lihet mënjanë: Mësuesit. Dëgjoj nga specialistë të ndryshëm të arsimit se kjo qeveri ka urrejtje patologjike ndaj mësuesve. Nuk kam dashur ta besoj, por në të gjitha daljet nga 2013 e këtej, mësuesit sulmohen, si të paaftë, të papërgatitur, kërcënohen me largime nga puna, testohen për tjetër gjë, e kërcënohen për tjetër gjë me rezultatet e testimeve, etj, etj. E, pra, duke qenë edhe vetë mësues, jam i prirur tashmë ta besoj e pranoj këtë konstatim.  I respektoj pa fund mësuesit, sidomos mësuesit e aftë. Ata mësues profesionistë, të përkushtuar, të arsimuar e të ditur, tolerantë e të urtë që përcjellin dijen tek njerëzit e këtij vendi. Pikërisht kjo kategori sulmohet. Kjo kategori që edhe pse është e arsimuar detyrohet të paguajë për një vend pune, të durojë presionin e nxënësve, prindërve për notat, të ruajë dinjitetin, personalitetin e profesionalizmin, në një kohë që sulmohet nga e gjithë shoqëria dhe vetë qeveria.

Këta mësues e heronj të heshtur, që zbythen të fyer përpara fasadës së rilindjes urbane dhe detyrohen të zbatojnë dhjetëra arna në sistemin arsimor, të plotësojnë dhjetëra dokumentacione në kurriz të përgatitjes shkencore të vetes e nxënësve, vetëm e vetës se ndonjë i droguar, apo “specialist arsimi” që s’ka qenë kurrë mësues, i shfryn tek sistemi arsimor komplekset e tij seksuale, profesionale e njerëzore. Përse ky qëndrim ndaj mësuesve shtresës që i ka humbur shkëlqimi e është kthyer në nivelet më të mjeruara të saj në histori? Përse nuk pyeten mësuesit për ndryshimet në sistemin arsimor? Sepse të gjitha nismat gjasme reformuese kanë qenë arnime dhe, si pasojë, nuk dihet çfarë është thes e çfarë është arnë.

3. Kjo reformë është jashtë çdo lloj kriteri pedagogjik e profesional. Në një shtet normal, në një shtet demokratik, përpara se të vendosej diçka, sidomos për arsimin duhet që të ndiqeshin disa hapa. Hapa, të cilat i përvijoi fort mirë Halim Hyseni:

  1. Për zbatimin e këtij propozimi duhet zhvilluar një studim i mirëfilltë, krejtësisht i çliruar nga politika.që do të thotë se kjo çështje duhet të jetë objekt i analizave të thella të ekspertëve të profileve të ndryshme (pedagogëve, psikologëve, sociologëve, filozofëve, juristëve …).
  2. Duhet të përcaktohet qëllimi moral i këtij propozimi (përfitime që do t’i kenë nxënësit, familjet dhe shoqëria nga ky ndryshim).
  3. Duhet të hartohet një projekt i cili duhet të jetë objekt i një debati të gjerë (prindërve, mësuesve, nxënësve, medias së pavarur, ekspertëve dhe të institucioneve përkatëse).
  4. Propozimi të pilotohet në një disa shkolla dhe pastaj, në rast se ka sukses të zbatohet.
  5. Të monitorohet dhe vlerësohet zbatimi i faktorit eksperimental- me kritere dhe standarde paraprakisht të përcaktuara.
  6. Të përgatiten raporte me argumente bindëse dhe shkencore, së bashku me rekomandime.

Ky është itinerari për të bërë ndryshme pozitive në edukim dhe në arsim. Shmangia e kësaj rruge katërcipërisht çon në dështimin e nismave reformuese.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.